Shtypi turk 24.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 24 maj 2018:

Shtypi turk 24.05.2018

Sabah” – Erdogani u bën thirrje qytetarëve: Mos e ndërroni monedhën kombëtare me valutë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar të mërkurën lëkundjet e kursit të këmbimit valutor gjatë një darke iftari në Kompleksin Presidencial në Ankara. “I bëj thirrje të gjithë popullit tim: Ju lutem, mos e ndërroni monedhën kombëtare me valutë. Të vazhdojmë manovrimin me monedhën tonë kombëtare. Kjo është atdhedashuri, respekt për atë që është kombëtare dhe vendore. Nëse i dalim për zot kësaj, atëherë e nesërmja do të jetë shumë më ndryshe për ne. Turqia u ka bërë ballë shumë vështirësive e sprovave deri më sot. Me lejen e Allahut dhe mbështetjen e kombit tonë, Turqia do ta përballojë edhe këtë çështje”, është shprehur Presidenti Erdogan.

Star” – Erdogan: Lëkundjet e kursit valutor s’përputhen me realitetin ekonomik të Turqisë

Kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka tërhequr vëmendjen se lëkundjet e pjesshme të kursit valutor gjatë ditëve të fundit nuk përputhen në asnjë mënyrë me realitetin ekonomik të Turqisë. “Vendi ynë ka shënuar një rritje ekonomike me 7,4% vitin e kaluar dhe vijon ende një tendencë rritjeje në këto nivele. Eksportet tona deri në fund të muajit prill janë realizuar në mbi 161 miliardë dollarë dhe, me sa duket, do të shkojnë mbi 170 miliardë dollarë në fund të vitit. Sa i përket turizmit, kemi hyrë në një sezon shumë të begatë, nga i cili presim 40 milionë turistë dhe mbi 30 miliardë dollarë të ardhura nga ky sektor. Bankat tona kanë mjaftueshmëri të kapitalit dy herë më të fuqishme sesa institucionet homologe të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë. Borxhi publik i Turqisë është sa 8,4% e prodhimit tonë të brendshëm bruto (PBB) dhe nga ky aspekt jemi mjaft më mirë sesa shumica e vendeve të industrializuara/zhvilluara. Në një klimë të tillë, është e nevojshme që të përcaktohen drejt dhe ashtu si duhet arsyet e ngritjes së kursit të këmbimit valutor në vendin tonë”, ka thënë lideri turk.

Vatan” – Turqia po bën hapa gjigante në sektorin energjetik

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga ekranet e Korporatës së Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT), Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka vlerësuar rendin e ditës dhe ka dhënë informacione në lidhje me përparimin e vendit të tij në sektorin e energjisë. Ai ka theksuar se në rrethin Hakkari do të shpohen puse të reja sondazhi të naftës, në Mersin po vazhdojnë punimet për ndërtimin e Centralit Bërthamor “Akkuyu” dhe se impiante të reja të energjisë nukleare do të ndërtohen gjithashtu në zona të tjera të Turqisë. Pasi ka tërhequr vëmendjen se një rëndësi të veçantë po u kushtojnë edhe projekteve të energjisë së pastër, Erdogani ka sqaruar se me Gazsjellësin Transanadolli (TANAP), gazin e Azerbajxhanit do ta transferojnë në Evropë përmes Turqisë. Ai ka nënvizuar po ashtu se Turqia është në një stad mjaft të mirë edhe për sa i takon energjisë eolike (e erës), ndërkohë që në rrethin Konya, ku tashmë funksionon një central me fuqi të instaluar 1.000 MW, është bërë një hap shumë serioz për energjinë diellore.

Yeni Şafak” – Iranianët do të zgjedhin Turqinë për udhëtime

Turqia është në pritje të një dyndjeje turistësh nga Irani, vend që po përballet me sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas tërheqjes së kësaj të fundit nga marrëveshja bërthamore (JCPOA). Operatorët turistikë turq, që në 2017-n pritën 2,5 milionë qytetarë iranianë, janë të bindur se turistët iranianë, në pamundësi për të shkuar në SHBA dhe Bashkimin Evropian si pasojë e masave detyruese ndaj këtyre tregjeve, do ta kthejnë timonin drejt Turqisë. Turistët iranianë, që dihet botërisht se shpenzojnë 35-40% më tepër sesa ata perëndimorë, pritet të zgjedhin Turqinë për të kaluar pushimet e ardhshme. Në tremujorin e parë të vitit 2018, Irani zë vendin e parë në renditjen e vizitorëve të huaj në Turqi me 738 mijë persona.

Haber Türk” – Besiktas, klubi që ka fituar më shumë vlerë në Evropë

Stambollinjtë e Besiktasit, dy herë radhazi kampion të Turqisë në sezonet 2015-2016 dhe 2016-2017, kanë rezultuar klubi me rritjen më të lartë të vlerës në Evropë falë edhe të ardhurave të konsiderueshme nga Liga e Kampioneve në dy vitet e fundit. Në raportin e titulluar “Vlerësimi i Klubeve të Futbollit: Elita Evropiane 2018”, një hulumtim i përvitshëm i departamentit “Football Benchmark” të kompanisë holandeze me famë botërore “KPMG”, janë përcaktuar 32 klubet më të çmuara të futbollit evropian. Sipas këtij raporti, Besiktasi ka rezultuar klubi që ka fituar më shumë vlerë, me 52%, jo vetëm në Superligën e Turqisë, por njëherësh në të gjitha kampionatet e futbollit në Evropë.



Lajme të ngjashme