Shtypi turk 21.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 21 maj 2018:

Shtypi turk 21.05.2018

Vatan” – Presidenti Erdogan iu përgjigjet pretendimeve rreth përgatitjeve për atentat ndaj tij

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është takuar të dielën në Sarajevë me Kryetarin e Këshillit Presidencial të Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, në kuadër të një vizite njëditore në këtë vend ballkanik. Pas bisedimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, Erdogani dhe Izetbegoviçi kanë dalë përpara kamerave në një konferencë të përbashkët shtypi. I pyetur rreth informacioneve për një atentat ndaj tij, presidenti turk është përgjigjur me këto fjalë: “Ky lajm më ka ardhur edhe mua. Prandaj jam këtu.”

Star” – Erdogani radhit në Bosnjë-Hercegovinë sihariqet për turqit rezidentë jashtë shtetit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme 6. të Unionit të Demokratëve Turq Evropianë (UETD), organizuar të dielën në kryeqytetin Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. “Merrni patjetër nënshtetësinë e vendeve ku jetoni. Mos thoni ‘nuk e marrim’, por merreni. Nëse jua japin, merreni. Sa u përket shteteve që lejojnë dyshtetësinë, në to s’ka ndonjë problem edhe kështu. Kurse për vendet që kanë praktika të ndryshme në lidhje me këtë çështje, ne kemi zhvilluar disa formula, të cilat do t’ju lejojnë të përdorni pa kurrfarë humbjeje të gjitha të drejtat tuaja në Turqi, me në krye ‘Kartën Blu’. Në anën tjetër, ne jo vetëm që kemi ulur dietën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak me valutë në 1.000 euro, nga 6.000 euro që ishte më parë, por së shpejti do të zgjidhim edhe problemet e personave mbi 38 vjeç, që s’kanë aplikuar deri më tani për të paguar dietën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak me valutë”, ka thënë kreu i shtetit turk.

Sabah” – Kryeministri Yildirim: U zhgënjyem

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, është prononcuar për të përjavshmen greke “To Vima” në lidhje me 8 puçistët e arratisur në Greqi gjatë natës së tradhtisë, tentativës së dështuar për grusht shteti, e cila u ndërmor më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY). “Ne u zhgënjyem nga vendimet e drejtësisë greke, sepse këta persona morën pjesë aktivisht në tentativën për grusht shteti, e cila shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e njerëzve të pafajshëm. Ata bombarduan Kuvendin, morën në shënjestër presidentin e zgjedhur dhe kur e kuptuan se nuk ia arritën dot që të përmbysnin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, këta 8 veta u arratis ilegalisht me një helikopter. Në thelb, drejtësia greke jo vetëm që nuk i ka ndëshkuar ata duke vepruar në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare, por ka shkelur edhe të drejtat e viktimave të tentativës puçiste”, ka deklaruar shefi i Ankarasë zyrtare.

Yeni Şafak” – Lehtësohen procedurat për turizmin e jahteve

Ministri turk i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, Ahmet Arslan, ka bërë me dije se burokracia është reduktuar thuajse në zero për ta bërë Turqinë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit të jahteve në Mesdhe. Sipas tij, ajo më kryesorja është reduktimi në 5 minuta i procedurave të jahteve në hyrje të Turqisë, veprime këto që më parë merrnin 1-1,5 ditë. Duke rikujtuar se në pellgun mesdhetar ka mbi 1 milion jahte, ministri Arslan ka theksuar se po realizojnë projekte të rëndësishme për ta transformuar Turqinë në një prej destinacioneve kyçe të turizmit të jahteve në Mesdhe.

Haber Türk” – Realizohet në Nju-Jork Marshimi 37. i Ditës Turke

Marshimi i Ditës Turke, tashmë një traditë në qytetin Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë vit iu është atribuuar Forcave të Armatosura të Turqisë. Në këtë marshim, organizuar për të 37-n herë nga Federata e Shoqatave Turko-Amerikane (TADF), përfaqësues të komunitetit turk dhe nxënës të Shkollës “Ataturk” të Nju-Jorkut gjithashtu morën pjesë me kostume tradicionale. Marshimi filloi në Manhatan, në kryqëzimin e Bulevardit “Madison” me Rrugën “53.” dhe përfundoi në afërsi të selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.



Lajme të ngjashme