Shtypi turk 17.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 17 maj 2018:

Shtypi turk 17.05.2018

Sabah” – Vijon diplomacia e Presidentit Erdogan për Palestinën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar të mërkurën biseda telefonike të veçanta për zhvillimet e fundit në Palestinë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Presidentin iranian, Hassan Rouhani dhe Kryetarin e Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin. Me Kancelaren Merkel, lideri turk shkëmbeu mendime në lidhje me tensionin e shkaktuar nga sulmet izraelite ndaj palestinezëve në Gazë. Gjatë bisedës telefonike në fjalë, Merkel dhe Erdogan theksuan gjithashtu se tabloja aktuale vështirëson jashtë mase gjetjen e zgjidhjes për problemin. Presidenti Erdogan i diskutoi zhvillimet e fundit në Palestinë veç e veç po ashtu me homologun iranian, Hassan Rouhani dhe atë rus, Vladimir Putin. Sipas burimeve presidenciale, edhe në këto biseda u morën në shqyrtim transferimi i Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe tensionet që ndodhën në rajon pas ndërhyrjes së ushtrisë izraelite ndaj protestuesve në Gazë. Presidenti turk theksoi se sulmet brutale ndaj palestinezëve para syve të botës janë të turpshme, ndërsa ka ndarë edhe informacione në lidhje me takimin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam që do të mbahet të premten e 18 majit në Stamboll, samit ky me rëndësi speciale nga aspekti i një qëndrimi të përbashkët të myslimanëve. Liderët theksuan se do të jenë ndjekës të çështjes edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Star” – Caktohet data e bisedimeve të rëndësishme Turqi-SHBA

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, do të takohet më datë 4 qershor me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Takimi Çavusoglu-Pompeo do të realizohet në kryeqytetin Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç bëjnë të ditur burimet diplomatike turke, gjatë takimit Çavusoglu-Pompeo pritet të diskutohen çështje shumë të rëndësishme si zhvillimet në Siri dhe Lindjen e Mesme, marrëdhëniet bilaterale turko-amerikane dhe lufta kundër organizatave terroriste PKK e FETO/PDY.

Vatan” – Gjenerali Akar realizon dy takime mjaft kritike

Shefi i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneralarmate Hulusi Akar, është takuar në Belgjikë me homologët e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia. Kreu i ushtrisë turke, i cili shkoi të mërkurën në Bruksel për të marrë pjesë në Mbledhjen e Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të Komitetit Ushtarak të NATO-s, ka takuar fillimisht homologun grek, Admiralin Evangelos Apostolakis. Ky ishte takimi i parë mes shefave të ushtrive turke dhe greke që pas shkallëzimit të tensionit në detin Egje. Një tjetër takim mjaft kritik i Gjeneralit Akar ishte ai me homologun amerikan, Gjeneralarmate Joseph Dunford. Krahas marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit turko-amerikan në fushën ushtarake, Akar dhe Dunford gjithashtu shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri dhe Lindjen e Mesme.

Hürriyet” – Deklaratë shumë e rëndësishme për ekonominë nga zv/kryeministri Simsek

Zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, ka deklaruar të mërkurën, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, se kompleksi i politikave do të përmirësohet pas zgjedhjeve. “Unë ende shpresoj dhe besoj se pragmatizmi politik në fund do të mbisundojë. Një ekonomi tregu e bazuar në rregull është i vetmi opsion i mundshëm për të avancuar. Prandaj ne mbetemi të angazhuar për një kornizë politike të shëndoshë dhe të kujdesshme”, ka shkruar zv/kryeministri Simsek në “Twitter” duke iu përgjigjur një lajmi të postuar nga shefi i zyrës së “Bloomberg News” në Turqi, Benjamin Harvey.

Yeni Şafak” – Akdag: Izraeli dhe Egjipti pengojnë transferimin e të plagosurve në Turqi

Zëvendëskryeministri turk, Recep Akdag, ka realizuar një vizitë zyrtare në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV), ku është pritur në takime të veçanta nga Presidenti turkoqipriot, Mustafa Akinci dhe Kryeministri Tufan Erhurman. Në një dalje publike pas kontakteve në fjalë, Akdag është shprehur se Izraeli dhe Egjipti po pengojnë transferimin e të plagosurve palestinezë në Turqi. “Për të transferuar në Turqi të plagosurit në Palestinë, duhet që një avion të bëjë ulje në Izrael ose në Egjipt. Por që të dyja këto vende nuk e kanë lejuar një diçka të tillë deri më tani”, ka thënë ai.



Lajme të ngjashme