Shtypi turk 16.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 16 maj 2018:

Shtypi turk 16.05.2018

“Sabah”: Erdoğan: Në duart e Netanyahut është gjaku i palestinezëve

Presidenti Recep Tayyip Erdogan në postimin e bërë në rrjetin social Twitter, tha se “Në duart e Netayahut (kryeministri i Izraelit) është gjaku i palestinezëve dhe nuk mund ta fshehë këtë duke sulmuar Turqinë”.  Ai shkroi gjithashtu se “Netanyahu është kryeministri i një shteti racist, që prej 60 vjetësh mban të pushtuar territoret e një populli të pambrojtur duke shkelur rezolutat e OKB-së”.

“Hürriyet”: Sabotohet paqja

Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) në një deklaratë të bërë në Ankara tha se “Ne e shohim transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Izrael nga Tel-Avivi në Jerusalem si një sabotim të paqes dhe nuk e pranojmë atë. Ky vendim për ne është i jashtëligjshëm. Ceremonia e hapjes së ambasadës amerikane ka kaluar në histori si një datë kur është derdhur gjaku i myslimanëve. Ne mallkojmë politikën linçuese dhe të dhunës së Izraelit që bën terror duke përdorur forcë të çekuilibruar”.  

“Star: Ish-presidenti i Tunizisë: Arabët të marrin shembull nga Turqia në lidhje me Jerusalemin

Ish-presidenti i Tunizisë dhe Kryetari i Këshillit të Revolucioneve Demokratike Arabe, Munsif Marzuki në një fjalim të mbajtur në Stamboll falënderoi Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe popullin turk për qëndrimin e mbajtur dhe për mbrojtjen e tyre. “Qeverive arabe i këshilloj që të paktën të zotërojnë një qëndrim dhe në këtë temë mund të marrin shembull Turqinë” tha Marzuki.

“Vatan”: Vijnë në Turqi

Agjencia Federale e Turizmit të Rusisë(Rosturizm), deklaroi se me rastin e Festës së Punëtorëve dhe Festës së Fitores, që festohen në krye të muajit maj, nënshtetasit rusë kanë preferuar përsëri Turqinë për të kaluar pushimet e tyre. Në deklaratën e bërë nga agjencia theksohet se me 52,3% të preferencës së nënshtetasve rusë për pushime, Turqia është liderë me një distancë të madhe nga vendet e tjera.  

“Haber Türk”: Anija gjigande që po bën turin e botës erdhi në Kusadasi

Anija ‘Azamara Journey’ me flamurin e Maltës, që ka dalë në turneun botëror, me 850 pasagjerë në bord, ka ankoruar në Porti Egje në nënprefekturën Kushadasi (Kuşadası) të rrethit Aydën (Aydın). Ndërkohë që një pjesë e tyre me anë të autobuzave të turit preferuan të vizitojnë Qytetin Antik të Efesit dhe shtëpinë e Shën Mërisë, pjesa tjetër shëtiti në qendër të qytetit dhe preferoi të psonisë në çarshi.



Lajme të ngjashme