• Video galeri

Shtypi turk 10.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 10 maj 2018:

Shtypi turk 10.05.2018

Sabah” – Erdogan: SHBA-ja po i humbet miqtë e vërtetë

Gjatë një interviste për televizionin “CNN International”, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është prononcuar në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore me Iranin. “Unë mendoj që Irani s’do të bëjë lëshime nga marrëveshja që ka nënshkruar dhe do t’i qëndrojë asaj deri në fund. Por këtu është Amerika ajo që do të humbasë” , ka thënë lideri turk.

Vatan” – Samit ekonomik në Kompleksin Presidencial

Kreu i shtetit turk, Erdogan, mblodhi pasditen e së mërkurës Këshillin e Koordinimit Ekonomik. “Do të merren masa ndaj presionit të inflacionit dhe kursit të këmbimit valutor. Nuk do të bëhen kurrë lëshime nga disiplina financiare, e cila është një prej spirancave më të rëndësishme të ekonomisë së vendit tonë”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e publikuar në fund të takimit në fjalë, mbajtur në Kompleksin Presidencial në Bestepe të Ankarasë.

Star” – Turqia reagon ndaj komisarit të OKB-së: S’e marrim seriozisht

Ankaraja zyrtare ka reaguar ndaj kritikave të Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, në lidhje me vendimin për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe legjislative në Turqi. Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, i është përgjigjur me shkrim një pyetjeje mbi deklaratën për Turqinë të diplomatit jordanez, Al-Hussein. “Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka lëshuar sërish një deklaratë të njëanshme rreth Turqisë më 9 maj 2018. Deklarata vë në pyetje vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve nga Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë, që përfaqëson vullnetin sovran të kombit tonë, si dhe përfshin fraza të pafavorshme që imponojnë kushtet e qeverisjes për një shtet të pavarur. Ne s’e marrim seriozisht këtë deklaratë, e cila është bërë me motive tërësisht politike”, shkruhet në përgjigjen e zëdhënësit Aksoy.

Yeni Şafak” – Çavusoglu: Shtetet duhet t’u përmbahen marrëveshjeve që nënshkruajnë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka vlerësuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore me Iranin, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun lituan, Linas Linkevicius, që realizoi një vizitë zyrtare në Ankara. “Ky vendim i SHBA-së është një hap i pafat. Ai është i pafat për arsye të ndryshme: Së pari, në shtete ka vazhdimësi. Prandaj shtetet duhet t’u përmbahen marrëveshjeve që kanë nënshkruar. Së dyti, marrëveshja bërthamore nuk është nënshkruar vetëm ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, por duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe vende të tjera. Si rezultat, nuk është një hap i duhur për SHBA-në që ta marrë këtë vendim në mënyrë të njëanshme”, është shprehur kryediplomati turk.

Hürriyet” – Ngrihen parashikimet për rritjen ekonomike të Turqisë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) ka revizionuar me kah pozitiv parashikimet e saj për rritjen ekonomike të Turqisë. Sipas raportit të fundit të EBRD-së, parashikimi për rritjen e ekonomisë turke në vitin 2018 është ngritur në 4,4%, nga 3,5% që ishte më parë. Ndërsa për 2019-n, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ekonomia e Turqisë të rritet me 4,2%.



Lajme të ngjashme