Shtypi turk 08.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 08 maj 2018:

Shtypi turk 08.05.2018

“Star”: Erdogan: Dhuna në Palestinë ndalet nëse bota thotë ‘One minute’

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan në lidhje me zgjidhjen e çështjes palestineze tha se “Kur i tërë njerëzimi arrin në pikën për tu thënë mizorëve ‘One minute’, atëherë kjo dhunë hyn në procesin e mbarimit”. Në prononcimin e tij gjatë shfaqjes gala të filmit dokumentar, “Shekulli i fundit i Jerusalemit”, Presidenti Erdogan theksoi se çështja palestineze dhe e Jerusalemit nuk është kauzë e vetëm një populli. Gazeta citon Presidentin Erdogan të ketë thënë se “Palestinezët për shkak të dhunës janë bërë simbol i të gjithë të shtypurve. Ndërkaq Jerusalemi është simbol i idealit të aftësisë së njerëzimit për t'u mbledhur rreth vlerave të njëjta”.

“Yeni Safak”: Turqia është vendi më i fuqishëm në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq falënderoi Turqinë për kontributin e dhënë në vendosjen e sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit. Në prononcimin e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të organizuar me Presidentin Erdogan në Ankara, presidenti serb tha se mikpritja që i bëhet në Turqi nuk i bëhet në asnjë vend tjetër dhe e falënderoi Presidentin Erdogan për këtë. Vuçiq duke vënë në dukje se turqit me të vërtetë e kryejnë me përkushtim punën e tyre dhe janë shumë punëtorë, u bëri thirrje investitorëve turq për të investuar në vendin e tij. Duke vënë në dukje se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Serbisë kontribuon në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, Vuçiq tha se “Turqia është fuqia më e madhe dhe vendi më i fortë në Ballkan. Opinioni i Turqisë është i rëndësishëm”.

“Sabah”: Populli i kthyer në Xherablus shpreh kënaqësinë

Jeta e kthyer në normale në Xherablus të Sirisë, të spastruar nga elementët e terrorit me operacionin ushtarak të ndërmarrë nga Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtrisë së Lirë Siriane, vazhdon të zërë vend në mediat botërore. Institucioni mediatik anglez, “Financial Times” me ftesë të autoriteteve turke vizitoi qytetin Xherablus dhe jetën e kthyer në normalitet në këtë qytet e pasqyroi në lajmet e tij. Në këto lajme u jepet vend opinioneve të banorëve të Xherablusit, të spastruar nga elementët e terrorit të organizatave separatiste terroriste PKK/PYD-YPG dhe DAESH me operacionin “Mburoja e Eufratit” të ndërmarrë në vitin 2016. Mësuesja e quajtur Amira Najjar në prononcimin e saj thotë se “Këtu njerëzit i janë falënderues Turqisë për ndihmat që ofron ajo”.

“Haberturk”: Organizata separatiste terroriste PKK nga Menbixhi do të largohet në korrik

Ankaraja zyrtare shumë herë ka deklaruar se pas operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë, objektivi i radhës do të jetë rajoni i Menbixhit. Ndërkohë që Forcat e Armatosura të Turqisë janë duke vazhduar me përgatitjet në vijën Xherablus – Al-Bab për operacion ndaj Menbixhit që pritet të fillojë nga mesi i korrikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se janë të gatshme për një plan të konsensusit me Turqinë. Mirëpo Turqia është e kujdesshme ndaj taktikës së vonesës, ajo dëshiron që në rast të fillimit të procesit të hartimit të kushtetutës së re të Sirisë, banorët e Menbixhit të përfshihen në këtë proces pa ndikimin e PYD/YPG-së, fraksionit të organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.

“Vatan”: Pa Turqinë projekti i avionit F-35 do të dështojë

Kreu i bordit drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së Industrisë Elektronike Ushtarake (ASELSAN), Haluk Gorgun deklaroi se Turqia nga aspekti i prodhimit vendor në industrinë e mbrojtjes ka arritur në nivel të mjaftueshëm për mbrojtjen e vendit. Gorgun bëri të ditur se punimet në prodhimin e sistemeve vendore të mbrojtjes ajrore kanë arritur në fazën e testimit. Në përgjigje të një pyetje në lidhje me debatet në ShBA për të mos i shitur Turqisë avionët luftarakë të gjeneratës së re të tipit F-35 për shkak të blerjes së sistemeve raketore S-400 nga Rusia, Gorgun tha se “Nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem. Turqia është njëra prej partnereve të rëndësishme e programit të F-35-ës. Ne do ta përkrahim këtë projekt me sisteme të luftës elektronike dhe jemi një pjesë e rëndësishme e këtij projekti. Në qoftë se Turqia përjashtohet nga ky projekt ai do të dështojë”.   



Lajme të ngjashme