Shtypi turk 18.04.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 18 prill 2018:

Shtypi turk 18.04.2018

Sabah” – Erdogani bisedoi në telefon me homologun iranian

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar të martën një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Hassan Rouhani. Të dy liderët vunë theksin mbi rëndësinë e ruajtjes së tërësisë territoriale të Sirisë dhe vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta të Turqisë, Iranit dhe Rusisë për një zgjidhje politike të qëndrueshme të krizës siriane në kuadër të Procesit të Astanës. Gjatë kësaj bisede telefonike, Erdogan dhe Rouhani u shprehën gjithashtu të kënaqur nga forcimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Turqisë dhe Iranit.

Yeni Şafak” – Mocioni për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme i dërgohet Parlamentit

Qeveria turke dërgoi në Parlament një mocion për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend edhe për tre muaj të tjerë, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Bekir Bozdag. Duke folur në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryesuar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, ai tha se gjendja e jashtëzakonshme ka në shënjestër vetëm terroristët dhe jo qytetarët paqësorë në Turqi. “Kabineti miratoi mocionin siç u rekomandua nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, tha Bozdag duke shtuar se, pas miratimit nga Parlamenti, zgjatja për herë të 7-të e gjendjes së jashtëzakonshme do të hyjë në fuqi më datë 19 prill.

Hürriyet” – Bozdag: Turqia s’do të lejojë një fakt të kryer në Egje

ZV/kryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Bekir Bozdag, ka informuar të martën gazetarët pas takimit të Kabinetit. Mes të tjerash, zëdhënësi i qeverisë turke u ndal edhe mbi incidentin e flamurit në Egje. “Çështjet e kontestuara në lidhje me ishujt e Egjeut janë shumë të qarta. Askush s’duhet të presë nga Turqia që të bëjë lëshime, të tolerojë apo lejojë një fakt të kryer në Egje. Nëse Greqia është duket bërë një llogari të tillë, ajo llogari do të fundoset në ujërat e Egjeut”, ka deklaruar ai.

Vatan” – Albayrak: Gjermania është e domosdoshme për Turqinë

I ndodhur në kryeqytetin Berlin të Gjermanisë për një vizitë zyrtare, ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, iu përgjigj interesit të gazetarëve pas takimit me ministrin gjerman të Çështjeve Ekonomike dhe Energjetikës, Peter Altmaier. “Me vëllimin tregtar rreth 40 miliardë dollarë ndërmjet dy vendeve, të cilat janë partnere tregtare të njëra-tjetrës, si dhe për faktin që ajo është vendi i dytë në importet dhe i pari në eksportet e Turqisë, Gjermania është një partnere e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme për Turqinë”, ka thënë Albayrak.

Star” – Fillon “Viti i Turizmit Turk” në Kinë

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus, pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Vitit të Turizmit Turk në Kinë, ka theksuar se 2018-a është një shans i madh për të ngritur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në një nivel më të lartë. “Uroj që afrimi mes Republikës së Turqisë dhe Republikës Popullore të Kinës të kontribuojë në ndërtimin e rendit të ri të paqes dhe prosperitetit në ekuilibrat botërore në zhvillim”, është shprehur Kurtulmus.



Lajme të ngjashme