Shtypi turk 7.12.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 7 dhjetor 2017:

Shtypi turk 7.12.2017

“SABAH” "Erdoani filloi mobilizimin për Jerusalemin

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) filloi mobilizimin kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Erdoan, që zhvillon një diplomaci telefonike kundër hapit të hedhur, i cili do të pezullojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në cilësinë e kryesuesit të radhës së Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) bëri thirrje për një mbledhje të jashtëzakonshme në datën 13 dhjetor në Stamboll.

“Vatan”: Deklaratë e përbashkët e Kuvendit Turk për Jerusalemin

4 grupet parlamentare të forcave politike në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) publikuan një komunikatë të përbashkët kundër planit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në komunikatën e tyre të përbashkët theksohet se nuk do mund të ndryshohet statusi i Jerusalemit dhe as të shkelen rezolutat e Kombeve të Bashkuara. “Ky është vullneti i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë për të refuzuar në mënyrë të prerë dhe të padiskutueshme këtë tentativë aventureske” shkruhet në deklaratën e përbashkët.  

 “Yeni Şafak”: Turqia në këmbë për Jerusalemin

Njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëri që tërë Turqia të ngrihet në këmbë. Adresa e protestave në shumë qytete të Turqisë ishin ambasadat e Amerikës dhe Izraelit. Për Jerusalemin, që është vija e kuqe e myslimanëve përgjatë gjithë historisë, njerëzit në shumë qytete të Turqisë, dolën në rrugë për ti dalë Zot Jerusalemit.

“Hürriyet”: Turqia bëri marrëveshje me Rusinë për fluturimet Moskë-Antalja

Autoritetet ruse dhe turke të sektorit të aviacionit arritën në marrëveshje për një kompani të tretë që do të realizojë fluturime 7 herë në javë me itinerarin Moskë-Antalja. Deri më sot, fluturimet vajtje-ardhje Moskë-Antalja bëheshin nëpërmjet kompanisë ajrore ruse Aeroflot dhe kompanisë turke Turkish Airlines.

“Haber Türk”: Makaronat “inteligjente” shkojnë në Japoni

Kompania turke që prodhon makarona në qytetin e Konja-s, që nga viti  1998, me mbështetjen e Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK), pas një pune 3-vjeçare, makaronat e pasuruara me vitaminë E, fosfor dhe proteinë i eksporton në 10 vende të botës me në krye Japoninë. Në këtë mënyrë kjo kompani kontribuon në ekonominë e vendit.



Lajme të ngjashme