Shtypi turk 03.10.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 03 tetor 2017:

Shtypi turk 03.10.2017

Star” – Konsensus për paqen rajonale

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke, Gjeneralarmate Hulusi Akar, që realizoi të hënën takime dypalëshe në Teheran, përpara vizitës që Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të realizojë të mërkurën (4 tetor) në Iran, publikoi një mesazh të përbashkët me homologun iranian, Gjeneralmajor Mohammad Bagheri. “Arritëm konsensus të plotë për çdo çështje”, thuhet në këtë mesazh. Mes çështjeve të akorduara renditen sanksionet, të cilat do të zbatohen për shkak të referendumit të jashtëligjshëm të 25 shtatorit për pavarësinë e administratës rajonale kurde të Irakut (KRG), bashkëpunimi ushtarak kundër rreziqeve dhe kërcënimeve ekzistuese, lufta antiterrorizëm dhe siguria kufitare.

Yeni Şafak” – Kompanitë ajrore falimentojnë, “Turkish Airlines” rritet

Konkurrenca gjithnjë e më e fortë ndërmjet kompanive ajrore është pasqyruar edhe në sektorin e aviacionit. Rritja e kostove dhe rënia e numrit të pasagjerëve pas krizës së vitit 2008 shkaktuan falimentimin e shumicës së kompanive ajrore brenda 9 vitesh. Kurse “Monarch Airlines”, firmë britanike që shpalli falimentimin papritmas ditën e hënë, është kompania e 4-t që ka falimentuar gjatë 2017-s. Teksa kompanitë ajrore po kacafyten me krizën ekonomike, “Turkish Airlines” vazhdon të rrisë numrin e pasagjerëve dhe avionëve. Në një periudhë që po shënon falimentimin e kompanive të mëdha evropiane, Linjat Ajrore Turke (THY) kanë thyer rekord duke shitur 84,3 për qind të biletave në muajin gusht 2017. THY-ja njoftoi gjithashtu muajin e kaluar se do të blejë edhe 40 avionë të mëdhenj duke sinjalizuar kështu se rritja e saj do të vazhdojë.

Vatan” – Turqia, urë ndërmjet Evropës dhe Azisë

Shefi i Ankarasë zyrtare, Binali Yildirim, deklaroi të hënën se Turqia luan rolin e një ure ndërmjet Evropës dhe Azisë jo vetëm gjeografikisht, por edhe në aspektin e qytetërimit dhe akumulimit kulturor. “Turqia parandalon përplasjen e qytetërimeve dhe njëherësh mundëson takimin e tyre. Me rolin e urës, Turqia siguron edhe përshkueshmërinë ekonomike hera-herës të ndryshueshme mes Lindjes dhe Perëndimit”, tha Binali Yildirim në Stamboll, gjatë fjalimit të hapjes së Takimit 10. Rajonal Evropian të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Pasi rikujtoi se Turqia është duke ndërtuar aeroportin ndërkombëtar më të madh në botë, etapa e parë e të cilit do të jetë funksionale brenda çerekut të parë të vitit 2018, Kryeministri Yildirim vijoi me këto fjalë: “Këtu jeni në një vend të atillë, nga ku mund të shkoni në 56 shtete me vetëm 3 orë fluturim. Po e realizoni këtë takim në një vend, ku xhiron një aset ekonomik vjetor prej 30 trilionë dollarësh.”

Sabah” – Turqia po i shpëton varësisë së jashtme në industrinë e mbrojtjes

Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Nurettin Canikli, tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e prodhimit të armëve vendore duke theksuar se disa vende aleate dhe mike anëtare të NATO-s nuk i shesin armë Turqisë, madje dhe para në dorë, në një periudhë kritike si kjo e luftës kundër terrorizmit. Gjatë një fjalimi në ceremoninë e fillimit të Vitit të Ri Akademik në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare (Akademia e Forcave Tokësore) në Ankara, Nurettin Canikli tha se këto shtete nuk i shesin armë Turqisë, por organizatave terroriste ua japin falas. Prandaj – vijoi ministri Canikli – Turqia është e detyruar që të zhvillojë dhe perfeksionojë sistemet e saj kombëtare të mbrojtjes. Ai nënvizoi gjithashtu se varësia e jashtme e vendit në industrinë e mbrojtjes është reduktuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Haber Türk” – Moody’s dhe Fitch Ratings optimistë për Turqinë

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit, Moody’s, cilësoi si optimist objektivin e programit afatmesëm të Turqisë për rritje ekonomike me 5,5 për qind. Ndërsa Fitch Ratings, një tjetër agjenci ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit, rriti parashikimin e rritjes ekonomike të Turqisë për çerekun e 3-të të 2017-s. “Presim që rritja e ekonomisë turke në tremujorin e 3-të të këtij viti të kapërcejë nivelin 7 për qind”, njoftoi Fitch Ratings.



Lajme të ngjashme