Shtypi turk 26.09.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 26 shtator 2017:

Shtypi turk 26.09.2017

Hürriyet” – Mesazh shumë i ashpër nga Presidenti Erdogan: Një natë mund të vijmë befasishëm

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i dërgoi administratës rajonale kurde të Irakut (KRG), e cila mbajti të hënën një referendum të jashtëligjshëm, mesazhin e ashpër: “Një natë mund të vijmë befasishëm.” Kreu i shtetit turk theksoi se Ankaraja po bën dhe do të bëjë të gjitha hapat politike, ekonomike, tregtare dhe në fushën e sigurisë. “Në Silopi, forcat tona të armatosura nuk po i bëjnë kot tani këto hapa të nevojshme atje. Për momentin, nga kufijtë lejohet vetëm kalimi në anën e Irakut. Brenda kësaj jave do të njoftojmë edhe masat e tjera. Hyrje-daljet, tashmë edhe këto do të mbyllen. Të shohim këtej e tutje se përmes cila kanaleve do ta transmetojë apo shesë naftën KRG-ja. Rubinetin e kemi ne. Me të mbyllur rubinetin, merr fund edhe kjo punë”, u shpreh mes të tjerash Presidenti Erdogan.

Sabah” – Referendumi përgatiti terrenin për konflikt të nxehtë

Kryeministri turk, Binali Yildirim, deklaroi të hënën se referendumi i mbajtur në administratën rajonale kurde të Irakut është ilegal dhe se rezultat e tij nuk do të njihen në asnjë mënyrë. “Referendumi do të përshkallëzojë edhe më shumë kaosin ekzistues në rajon duke përgatitur terrenin për konflikt të nxehtë. Rezervojmë të drejtën për çdolloj ndërhyrjesh kundër kërcënimit të sigurisë sonë kombëtare. Stërvitjes (ushtarake) në zonën kufitare do t’i bashkohet edhe Iraku. Qytetarët të jenë të qetë, nuk po hyjmë në luftë”, tha shefi i Ankarasë zyrtare.

Star” – Gara turkofobe i fundosi në zgjedhje

Të paaftë për të ofruar një alternativë tjetër përveç qëndrimit armiqësor ndaj Turqisë, demokristianët (CDU) dhe socialdemokratët (SPD) u fundosën në zgjedhjet legjislative të Gjermanisë. Alternativa për Gjermaninë (AfD), një forcë politike populiste dhe euroskeptike e krahut të djathtë që tradicionalisht fiton vota raciste, këtë herë mori vota edhe nga elektorati i partive në pushtet duke bërë opozitë ndaj sistemit. Me publikimin e të dhënave të hollësishme në lidhje me shpërndarjen e votave, Schulz dhe Merkel, dy liderë politikë që nuk u ofruan votuesve gjermanë ndonjë alternativë duke u bazuar vetëm në turkofobi dhe Erdoganofobi, humbën në favor të AfD-së raciste sidomos në bastionet e tyre historike. Ndërsa Kancelarja Merkel, që arriti të ruajë vendin e parë në zgjedhje, por me një deficit votash prej 8,5 për qind, spikati duke iu dhuruar votuesit e saj të gjithë aktorëve të spektrit politik.

Habertürk” – Aerostat vendor për Kapadokian

Kërkesa e Presidentit Recep Tayyip Erdogan për “prodhim vendor” ka marrë një mbështetje të fuqishme edhe nga Kapadokia, qytezë ndër atraksionet turistike më të rëndësishme të Turqisë dhe botës. Në Kapadokia ka nisur prodhimi i aerostateve vendore, zhvillim ky që do të mundësojë kursimin e miliona eurove, të cilat shpenzohen për blerjen e balonave nga jashtë shtetit ose nga kompani të huaja. Vetëm në Kapadokia fluturojnë të paktën 150 aerostate çdo ditë dhe çmimi i përgjithshëm i tyre shkon deri në 20 milionë euro (rreth 84 milionë lira turke).

Yeni Şafak” – Të huajt vijojnë eksplorimin e Turqisë

Interesi i investitorëve të huaj për Turqinë po rritet çdo ditë e më tepër. Ky interes mund të shihet qartë në blerjen e banesave. Plot 120 mijë e 198 banesa u shitën në Turqi gjatë muajit gusht 2017. Rritja totale u realizua me 4,7 për qind. Kurse rritja e shitjes së banesave për të huajt në të njëjtën periudhë u regjistrua në nivelin 11,4 për qind. Blerësit e huaj bënë ndryshime edhe në përzgjedhjen e qyteteve. Ndërkohë që Bursa, Ankaraja, Trabzoni dhe Mugla ishin qytetet më të preferuara të 2016-s, këtë vit në radarin e të huajve hynë Samsuni, Sakarya dhe Aydini.



Lajme të ngjashme