Shtypi turk 12.09.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 12 shtator 2017:

Shtypi turk 12.09.2017

Yeni Şafak” – Jemi në koordinim me Rusinë dhe Iranin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar rendin e ditës për gazetarët e pranishëm në avionin presidencial gjatë kthimit nga kontaktet në Kazakistan. “Veçanërisht për Idlibin mund të them se samiti i Astanës, i cili do të mbahet më datë 14 të këtij muaji, është shumë i rëndësishëm. Për momentin, procesin në Idlib po e menaxhojmë ashtu siç kemi rënë dakord më herët me Rusinë dhe aktualisht procesi po funksionin në këtë mënyrë. Sa i përket kësaj çështjeje, mes nesh dhe Rusisë nuk ka ndonjë mosmarrëveshje. As në bisedimet e realizuara me Iranin s’u ngrit në rend të ditës ndonjë kapitull, i cili mund të bëhej objekt divergjence. Me sa duket, bisedimet e shëndosha ndërmjet nesh do të vazhdojnë kështu edhe pas samitit të Astanës. Zhvillimet po avancojnë në drejtim pozitiv”, është shprehur kreu i shtetit turk.

Star” – Mobilizim ndihmash për Arakanin

Turqia ka shtypur butonin për mobilizimin e ndihmave më gjithëpërfshirëse me adresë Arakanin, një fushatë e udhëhequr nga vetë Presidenti Recep Tayyip Erdogan. Zëvendëskryeministri Recep Akdag ka bërë me dije se kanë filluar bisedimet me Bangladeshin për t’u siguruar një ndihmë të përhershme dhe të vazhdueshme myslimanëve rohingianë, që janë strehuar dhe vazhdojnë të strehohen në këtë vend. “Përmes burimeve financiare, të cilat i kemi formuar me qëndrimin bujar të popullit turk, do të zgjasim dorën tonë të ndihmës edhe një tjetër herë për vëllezërit tanë nga Arakani. Në këto çështje, Turqia është bërë ndërgjegjja e njerëzimit dhe e tillë do të vazhdojë të jetë. Ky është një parim bazë i besimit dhe ekzistencës sonë”, ka thënë zv/kryeministri Akdag duke njoftuar se një faqe ueb është ndërtuar gjithashtu në kuadër të kësaj fushate. Të gjithë ata, që dëshirojnë të kontribuojnë për ndihmat në këtë rajon, mund të gjejnë numrat e llogarive bankare në adresën www.arakanasahipcik.org.

Hürriyet” – Shëtitja në Sinop nga syri i një britaniku

Joshua Allen, një nga gazetarët e Korporatës Britanike të Transmetimeve, “BBC”, është bërë kureshtar për Sinopin, i zgjedhur si qyteti më i qetë i Turqisë, dhe ka ardhur këtu për zbuluar arsyen, e cila e bën atë njëkohësisht edhe qytetin më të lumtur të vendit. “Sinopi është vendlindja e filozofit të famshëm grek, Diogjeni. Ai u ka këshilluar njerëzve që të bëhen të lumtur me aq sa kanë dhe Sinopi i është përgjigjur kësaj thirrjeje”, ka shkruar Allen në fillim të artikullit të tij mbi këtë qytet turk në brigjet e Detit të Zi. Gazetari anglez ka theksuar se veçanërisht i magjepsur ka mbetur nga bukuritë natyrore të Sinopit. “Të gjithë e njohin njëri-tjetrin në këtë qytet të vogël dhe mes njerëzve sundon mirëkuptimi reciprok. Kjo është arsyeja që në Sinop është formuar një klimë plot qetësi”, ka nënvizuar Joshua Allen duke tërhequr vëmendjen mbi solidaritetin në këtë shoqëri.

Sabah” – Dubai bie, Turqia ngjitet

Në panairin 16. “Cityscape Global 2017”, i cili po realizohet në Dubai, firmave iu dha për herë të parë leja për të bërë shitje të nxehta (hot sale). Por shitjet e këtij lloji mundën t’i bëjnë vetëm kompanitë, të cilat kanë projekte në Dubai. Bëhet e ditur se kjo leje është dhënë për të gjallëruar sektorin e pasurive të patundshme në Dubai, një treg ky që tashmë ka hyrë në një periudhë stanjacioni. Të dhënat e publikuara në panair nxorën në pah edhe shifra tronditëse në lidhje me sektorin e patundshmërive në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Sipas të dhënave në fjalë, në EBA janë aktualisht 7 mijë e 878 projekte patundshmërish në ndërtim e sipër, vlera e përgjithshme e të cilave llogaritet të jetë 227,9 miliardë dollarë. Nga këto, 2 mijë e 812 janë vetëm në Dubai dhe vlera e tyre arrin në 121,1 miliardë dollarë. Mungesa e kërkesave intensive për këto projekte ka nisur të shkaktojë kokëçarje edhe në ekonominë e vendit, që zhvillohet në varësi të shitjeve të pasurive të patundshme. Shitja e nxehtë është një metodë, e cila ngjall interes të madh sidomos në panairet e patundshmërive në Turqi.

Vatan” – Sarkofagu origjinal do të ekspozohet në vend të imitacionit

Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit ka marrë në dorëzim nga autoritetet zvicerane sarkofagun e Herkulit dhe do ta sjellë atë në Turqi më datë 13 shtator. Ky objekt historik i rëndësishëm, i cili daton në shekullin e 2-të p.e.s. dhe ishte trafikuar jashtë Turqisë në mënyrë kontrabandë mbi 50 vite më parë, do të rikthehet në vendin e origjinës për t’u ekspozuar në Muzeun e Antalias. Sarkofagu i Herkulit, një artefakt i periudhës romake me gjatësi 2,35 metra dhe gjerësi 1,12 metra, ishte konfiskuar në portin e Gjenevës në vitin 2010, gjatë një kontrolli rutinë të inventarit nga autoritetet zvicerane.



Lajme të ngjashme