Shtypi turk 11.09.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 11 shtator 2017:

Shtypi turk  11.09.2017

Hürriyet” – “Apel botës islame për unitet

Nga Astana e Kazakistanit Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka thënë se vendet islame sot kanë nevojë për unitet dhe solidaritet mes tyre, e jo për ndarje dhe tensione. “Të gjithë së bashku duhet të bëjmë përpjekje për t’u dhënë fund brutalitetit, torturave dhe syrgjynosjeve, nga të cilat vuajnë vëllezërit tanë myslimanë në Mianmar”, tha kreu i shtetit turk. Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, u mbajt të dielën nën kujdesin e veçantë të Presidentit Nursulltan Nazarbajev Samiti i Parë i Shkencës dhe Teknologjisë i Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Turqia në këtë takim ndërkombëtar u përfaqësua nga Presidenti Erdoan.

Star” – “Jëlldërëm: Në 10 vite do të bëjmë 300 miliardë dollarë investime”

Të dielën Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) mori pjesë në një takim me drejtues dhe përfaqësues të botës së biznesit dhe shoqërisë civile organizuar në qytetin e Eskishehirit. Në fjalën që mbajti këtu Kryeministri tha se vetëm investimet që do të bëhen në infrastrukturën e transportit kapin shifrën e 100 miliardë dollarëve, duke shtuar se 100 miliardë dollarë të tjera do të investohen në teknologjitë shëndetësore dhe 100 miliardë dollarë të tjera do të investohen në fushën e informatikës, teknologjisë, informacionit, komunikimit dhe realitetit virtual. “E kam fjalën për 300 miliardë dollarë investime dhe po flas për 10 vitet e ardhshme, jo për një të ardhme shumë të largët. Natyrisht që gjatë përgatitjes, planifikimit të këtyre projekteve ne nuk qëndrojmë duarlidhur. Vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat për ta shndërruar vendin tonë në një qendër tërheqëse për investitorët globalë”, sqaroi Kryeministri Jëlldërëm.

Sabah– “Vetëm Turqia u erdhi në ndihmë”

Në një kohë që bota i ka mbyllur veshët ndaj problemeve të myslimanëve të Arakanit Turqia ndau dhimbjen me ta duke vizituar me një delegacion të madh kampet që janë ngritur në Bangladesh për refugjatët rohingianë. Serdar Çam, drejtori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), një organizatë humanitare që është interesuar nga afër me dramën e myslimanëve të Arakanit që nga viti 2012 e këtej dhe që të premten e kaluar filloi të shpërndajë në këtë zonë 1 mijë ton ndihma humanitare, tha se “Kombet e Bashkuara (OKB) po e humbasin gjithnjë e më shumë rolin e tyre. Në Arakan ishte vetëm Turqia”.

Vatan” – “Cipras: E gabuar ti mbyllësh derën Turqisë

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras tha se do të ishte e gabuar ndalimi i negociatave për anëtarësim ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Këto deklarata Cipras i bëri në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në konferencën tradicionale të shtypit organizuar në kuadër të Edicionit të 82-të të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut. Megjithë krizën ndërmjet Turqisë dhe BE-së hyrjet e azilkërkuesve në Greqi janë rritur me 64%. Turqia është një fuqi e rëndësishme në rajon dhe një faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, u shpreh Cipras. Në lidhje me deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel për Turqinë Cipras tha se ato deklarata mund të jenë bërë për synime politike.

Haber Türk” – “Në pushimet e Bajramit në Turqi udhëtuan 30 milionë njerëz”

30 milionë qytetarë që deshën të vlerësonin pushimin e fundit të sezonit të verës, pushim i cili me rastin e festës së Kurbanit të Bajramit u zgjat në 10 ditë, udhëtuan drejt destinacioneve të ndryshme. Numri i automjeteve që përdorën autostradatat dhe urat në bajram arriti deri në 15,5 milionë. Gjatë pushimeve të Kurbanit të Bajramit në aeroporte u shërbye për 7 milionë e 156 mijë e 31 pasagjerë. Kurse 1 milionë e 830 mijë vetë gjatë këtij pushimi 10-ditor preferuan të udhëtojnë me tren.



Lajme të ngjashme