Shtypi turk 18.05.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 18 maj 2017:

Shtypi turk 18.05.2017

HaberTürk” – “Presidenti Erdoan: Do të trokasin në derën tonë për Sirinë”

Pas përfundimit të kontakteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri deklarata për gazetarët në ambasadën turke në Uashington. Presidenti Erdoan vlerësoi për gazetarët takimin me Presidentin amerikan, Danëlld Tramp (Donald Trump). Bashkëpunimin e ShBA-së me organizatën terroriste PYD në Siri, Erdoani e cilësoi si një gjendje kategorikisht të papranueshme. Unë besoj se edhe këtë, që në lidhje me çështjen e Sirisë ata do të trokasin në derën tonë. Për momentin e kanë rrethuar Rakën. Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë këtu. Vetëm se Turqia do të jetë patjetër në terren; ajo do të jetë në Siri, do të jetë në Irak. Turqia nuk mund të përjashtohet nga ky proces edhe si një autoritet vendimmarrës. Pastaj përpara kemi Samitin e NATO-s. Terrori do të jetë një pikë e rëndësishme e agjendës së këtij samiti. Këto çështje do të diskutohen edhe atje (në samit)”,- u tha Erdoan gazetarëve.

Star” – “Guterres mbështet deklaratën e Erdoanit ‘Bota është më e madhe se 5”

Deklaratës së Presidentit Rexhep Tajip Erdoan “Bota është më e madhe se 5”, të cilën ai e përdor prej shumë vitesh në lidhje me statusin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), këtë herë i ka ardhur mbështetje nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutteres. Në fjalën që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) që vazhdon punimet në Strasburg të Francës, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres tha: “OKB-ja ka nevojë për reformim, në mënyrë që të jetë më efektive. Reformimi i OKB-së është çështja kryesore. Duhet të fitojmë besimin e të drejtave të vendeve anëtare”.

Sabah” – “Dhjetëfishohen investimet e kompanive turke jashtë shtetit”

Këshilli i Biznesit dhe Investimeve të Jashtme pranë Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) dhe “Bain&Company” kanë publikuar Indeksin e Investimeve Jashtë Shtetit për kompanitë turke në vitin 2017. Sipas raportit, në 10 vite kompanitë turke janë bashkuar dhe kanë blerë kompani të tjera në një vlerë totale 28 miliardë dollarë, si dhe kanë bërë 8 miliardë dollarë investime fillestare. Presidenti i DEIK-ut, Ëmer Xhihad Vardan (Ömer Cihad Vardan) tha se investimet jashtë shtetit në 15 vitet e fundit janë dhjetëfishuar dhe trendi i rritjes së këtyre investimeve vazhdon të jetë të rritje. Kurse ortaku i kompanisë “Bain&Company”, Volkan Kara tha se “bashkimet dhe blerjet globale kanë arritur deri në 831 miliardë dollarë, duke u rritur me 13%”.

Hürriyet” – “Festivali turk në Moskë”

“Festivali i Turqisë” do të bartë në Moskë vlerat kulturore, turistike dhe artistike të Turqisë si dhe do të kontribuojë në miqësinë e dy vendeve. Festivali do të realizohet në datat 16-18 qershor në Moskë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe kontributin e Federatës së Hotelierëve të Turqisë (TÜROFED), Unionit të Agjencive të Udhëtimeve të Turqisë (TÜRSAB), Shoqatës së Investitorëve të Turizmit në Turqi (TYD), Unionit të Shoqëruesve të Turistëve (TUREB), Unionit të Hotelierëve të Turqisë (TÜROB) dhe Unionit të Biznesmenëve Ruso-Turq (RTİB).

Vatan” – “Telekomi Turk vlerësohet me çmim inovacioni”

Telekomi Turk është dalluar në mesin e 150 aplikimeve që janë bërë në kuadër të “Çmimeve Inovative të SAP HANA - 2017”, që jepen nga kompania SAP, një prej firmave të njohura në botë në fushën e programimit institucional, dhe është vlerësuar me “Çmimin Special të Nderit”. Në marrjen e këtij çmimi, i cili për botën teknologjike është i rëndësisë globale, kanë luajtur rol rritja e efiçencës dhe shpejtësisë që ka siguruar Telekomi Turk duke integruar në një sistem të vetëm shumë procese, duke filluar nga operacioni financiar e deri tek operacionet lidhur me raportimin, planifikimin dhe performancën.



Lajme të ngjashme