A po u vjen fundi vlerave njerëzore? (II)

Nëse ne të gjithë së bashku, si familja e njerëzimit nuk marrim masa dhe nuk gjejmë një rrugë të re për të ndaluar procesin e “fundit të vlerave”, do të vijë me shpejtësi fundi i dhimbshëm, të cilin po e përgatisim të gjithë së bashku.

A po u vjen fundi vlerave njerëzore? (II)

A po u vjen fundi vlerave njerëzore? (II)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

 

Javën e kaluar duke bërë të ditur se jemi duke hyrë në një periudhë kur vlerat pësojnë erozion dhe kanë filluar të harrohen koncepte të tilla si parimësia, virtytshmëria, ndershmëria, ndarja e të mirave me njëri-tjetrin dhe drejtësia, këtë periudhë na u duk më e përshtatshme për ta quajtur “fundi i vlerave” (the end of values). U shprehëm se nëse i hedhim botës një vështrim të përgjithshëm nga lart “si një zog” është më se e mjaftueshme për të parë se çfarë gërryerje po përjetojnë vlerat njerëzore. Qëndruam mbi zhvillimet negative nga aspekti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Evropian (BE).

Le të vazhdojmë aty ku mbetëm.  

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Jo para shumë kohësh, deri dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ishin një vend që përmendej si “ëndrra amerikane” (american dream). “Mënyra amerikane e jetesës” (American way of life) ishte në modë pothuajse në të gjitha vendet. Nëse sot do të bëhej një sondazh publik, perceptimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shumë mundësi, ka arritur në pikën më të ulët të historisë.

Sot vetëm gjashtë mijë (6.000) refugjatë nga Amerika Latine presin në kufirin amerikan prej muajsh. Ndërkohë që vende të tilla si Turqia, Libani, Jordania ndonjëherë më shumë se kaq refugjatë i pranojnë brenda një nate, vendi numër një i botës, aktualisht është në pozicionin e vendit që lë të presin numrin më të madh të refugjatëve në kufirin e tij. Ç’është më e keqja, një prej vendeve më të pasura në botë nuk është në gjendje të prodhojë një zgjidhje tjetër, përveç ndërtimit të murit në kufi, ashtu si në rastin e Murit të shembur të Berlinit në Evropë, apo përdorimin e ushtrisë kundër refugjatëve. Por nëse të gjitha këto shpenzime që bëhen dhe do të bëhen do të përdoreshin për të zgjidhur problemin e refugjatëve, mbase kostoja do të ishte më e ulët.

Ndërkohë që administrata aktuale amerikane mendon edhe atë që të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare pa e ndjerë aspak nevojën e legjitimitetit të kësaj, vetëm duke parë interesat e saj dhe përdorur retorikën “Amerika e para”, “bëje Amerikën përsëri madhështore”. Vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, që ka si qëllim pengimin e ngrohjes globale, ose UNESCO, që është një organizatë e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën, ndiqen me shqetësim nga e tërë bota.

Fjalia e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Asamblenë e fundit të Kombeve të Bashkuara në formën: “Jemi kundër ideologjisë së globalizimit”, ishte një fjali që jo shumë herët por vetëm disa vjet më parë mund të shprehej nga një lider ose ideolog i botës së tretë. As që nuk mund të imagjinohej ndërtimi i një fjalie të tillë nga një president amerikan.  

Gjendja e Perëndimit, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duket se mbrojnë vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut, liritë nuk është shumë ndryshe nga historia e qytetërimit perëndimor që komenton ndryshe vargjet e Biblës, të cilat nuk u sjellin dobi (shërbejnë) atyre.  

Kina-Rusia

Kina dhe Rusia nuk bëjnë pjesë në mesin e vendeve që kanë vendosur standarde, që kanë prodhuar vlera të përbashkëta universale shekullin e fundit. Krahas kësaj, Kina është një vend që po zhvillohet me shpejtësi. Të dyja janë shtete me ndikim në politikën globale. Janë vende që zotërojnë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Duke qenë se të dyja vendet nuk janë shoqëri të hapura mjaftueshëm, zbatimet e tyre në politikën e brendshme, nuk njihen mjaftueshëm nga ana e shoqërisë ndërkombëtare.

Bota islame

Edhe vendet myslimane, në nivel global, prej disa shekujsh, nuk janë ndër vendet që vendosin standarde dhe prodhojnë vlera universale të përbashkëta. Sido që këto vende e përcaktojnë veten, shtet laik, monarkist apo sheriat, edhe atyre u qëllon që të kenë një prej formave të regjimit si: demokratik, autoritar dhe totalitar.

Veçanërisht po të shihet Lindja e Mesme, udhëheqësit nuk e kanë pothuajse fare nevojën e pëlqimit të të udhëhequrve (popullit). Pozitën e tyre nuk ua kanë borxh popujve që udhëheqin, por në masë të gjerë ua kanë borxh aktorëve globalë. Edhe aktorët globalë e shprehin pa hezituar këtë gjendje. Edhe nëse nuk janë përgjegjësit e vetëm, me gjendjen aktuale, disa vende të Lindjes së Mesme mbase janë duke jetuar në kushtet më të mjeruara të historisë së tyre. Popujt e këtyre vendeve përpiqen të braktisin atdheun e tyre duke vënë edhe jetën në rrezik.

Shumica e vendeve të Lindjes së mesme, jo vetëm që nuk prodhojnë vlera dhe virtyte, por përpiqen që pothuajse të gjitha vlerat t’i përdorin ndaj popujve për të vazhduar qëndrimin në pozitë dhe për të mbrojtur pozitën e tyre. 

Fundi i mendjes ndriçuese: Nga Frankeshtajni tek inteligjenca artificiale

Krijesa “Frankeshtajn”, të cilën shkrimtarja angleze, Mary Shelley e shkroi në vitin 1818, kur ishte ende 19 vjeç, përtej të qenurit një roman, mund të shihet si rezultat i një mendjeje, që është shkëputur nga tradita, feja dhe institucionet ndërmjetëse dhe që i është dorëzuar racionalitetit krijues të ndriçimit, sekularizmit dhe pozitivizmit.

Edhe sot, e njëjta mendje rend pas prodhimit të njeriut/inteligjencës artificiale. I gjithë njerëzimi dëshmoi gjatë Luftës I dhe II Botërore se si kjo mendje, që nuk njeh asnjë vlerë e virtyt, e çoi njerëzimin dhe planetin tonë në katastrofë. “Ku do ta zvarrisë botën një njerëzim me inteligjencë artificiale, që nuk përmban vlera, që është i ndjeshëm vetëm ndaj fuqisë dhe zhvillimit mekanik, që është më i fuqishëm se njeriu biologjik dhe mund ta kontrollojë atë? Duket se nuk është asgjë tjetër përveçse fundi i njerëzimit, të cilin do ta sjellë vetë.

 

Njeriu hedonist

Ndriçimi (iluminizmi), shekullarizmi, zhvillimet në teknologjinë e komunikimit dhe informatikës, ideologjia ku janë varur shpresat, së bashku me braktisjen gjithnjë e më shumë të shpresave nga feja dhe institucionet e saj, më shumë njerëz po hedonizohen (po jepen pas kënaqësisë). Duke u vënë re më shumë tek të rinjtë ky fenomen, po rritet gjithnjë e më shumë numri i atyre që rendin vetëm pas kënaqësisë. Gjëmat e atyre që krijojnë lidhje vetëm për kënaqësinë e tyre me familjen, miqtë, shkollën, mjedisin, botën e biznesit, natyrën, kafshët dhe gjallesat e tjera, janë që tani shumë të frikshme. Kur të kthehet në një krijesë që nuk mbart asnjë vlerë dhe vrapon vetëm pas kënaqësisë, padyshim që do të jetë diçka tjetër dhe jo njeri. Duke u nisur nga të gjitha ato që përmendëm deri tani, mund të themi se bëhet fjalë për humbjen e vlerave nga aspekti i strukturave të organizuara si shtete e institucione.

Edhe pse ka zhvillime negative si ato të sipërpërmendura, mund të pretendohet se individët, duke qëndruar jashtë ombrellës së megaidentiteteve, ideologjive të mëdha ose instituteve ndërkombëtare apo shteteve, në mënyrë të pavarur nga të gjitha këto, pra një numër i madh i këtyre individëve vazhdojnë të ndjejnë shqetësim për vlerat dhe virtytet. Po, individët pa organizatë mund të mbartin më shumë vlera. Nga aspekti i potencialit për të zotëruar më shumë vlera mund të jemi më me shpresë nga strukturat e paorganizuara. Por përsëri, duke ditur se bota merr më shumë formë nga strukturat e organizuara, na privon nga të shpresuarit më shumë.  

Nëse ne të gjithë së bashku, si familja e njerëzimit nuk marrim masa dhe nuk gjejmë një rrugë të re për të ndaluar procesin e “fundit të vlerave”, do të vijë me shpejtësi fundi i dhimbshëm, të cilin po e përgatisim të gjithë së bashku.  

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme