TCA: Injorancë të thuash që Turqia është armiqësore me kurdët

Koalicioni Turk i Amerikës (TCA) ka bërë të ditur se ndjehen thellësisht të shqetësuar nga gjuha e papërgjegjshme dhe agresive që përdorin zyrtarët e qeverisë amerikane në lidhje me turqit dhe kurdët.

TCA: Injorancë të thuash që Turqia është armiqësore me kurdët

OJQ-ja turke (TCA) me seli në Uashington ka bërë një komunikatë me shkrim lidhur me komentet që kanë bërë disa zyrtarë amerikanë për kurdët dhe Turqinë pas vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara (ShBA), Donald Trump mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.  

Koalicioni Turk i Amerikës (TCA) është thellësisht i shqetësuar nga deklaratat e zyrtarëve të qeverisë amerikane, të cilët në mënyrë të papërgjegjshme përdorin një gjuhë agresive, të tillë si: "Garanci që turqit nuk do ti masakrojnë kurdët". Çdo shprehje përgjithësuese që e tregon qeverinë e Turqisë ose popullin turk si armiqësor ndaj kurdëve është provokim dhe injorancë.

 

Mbi 10 milionë nga 80 milionë banorët që ka Turqia janë qytetarë me origjinë kurde. Dhe këta shtetas (të etnisë kurde) janë të integruar ngushtë në qeverinë, biznesin dhe industrinë e Turqisë dhe kanë arritur në pozitat më të larta në secilën prej këtyre fushave duke dhënë kontribute të mëdha. Përveç kësaj, Turqia mban marrëdhënie pozitive dhe ka ndërtuar bashkëpunim të ngushtë ekonomik me Qeverinë Rajonale Kurde të Irakut (KRG).

Dhjetëra milionë kurdë etnikë paqësorë në mbarë botën duhen veçuar nga PKK-ja, e cila është një organizatë terroriste marksiste-leniniste, e njohur si e tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE). Jo të gjithë kurdët sirianë e mbështesin YPG-në e përbashkuar me PKK-në. Kjo është arsyeja përse Turqia ka kundërshtuar ashpër që në fillim vendimin e gabuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të mbështetur, trajnuar dhe furnizuar me armë forcat e YPG-së.

Turqia aktualisht pret rreth 3,5 milionë refugjatë sirianë, në mesin e të cilëve ka arabë, turkmenë dhe kurdë, madje disa prej tyre janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga PKK/YPG-ja. Siç është dokumentuar nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) gjatë gjithë luftës civile në Siri me mijëra kurdë sirianë kanë ikur në Turqi për t'u shpëtuar mizorive të DAESH-it.

Koalicioni Turk i Amerikës (TCA) mirëpret me kënaqësi përpjekjet e kujdesshme që bëjnë të dyja palët (Turqia dhe ShBA-ja) për të koordinuar planifikimin ushtarak në luftën kundër DAESH-it. Megjithatë, ShBA-ja dhe Turqia duhet të punojnë drejt një kuadri gjithëpërfshirës strategjik për një tranzicion demokratik që do t'i jepte fund luftës dhe do të mundte DAESH-in në Siri. Uashingtoni duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t'iu përgjigjur shqetësimeve të arsyeshme dhe të dukshme të sigurisë kombëtare që ka aleati i tij në NATO (Turqia). Ankaraja duhet të marrë parasysh se si funksionon sistemi politik i ShBA-së. Bashkëpunimi në Siri, i bazuar në interesa të përbashkëta të sigurisë, mund të luajë një rol konstruktiv dhe përfundimtar në eliminimin e DAESH-it dhe në forcimin e marrëdhënieve me rëndësi jetike Turqi-ShBA.

 


Lajme të ngjashme