Intervistë me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi, Faik NIKA, thotë në një intervistë për Zërin e Turqisë se duhet punuar akoma më shumë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve.

Karadağ Arnavut Ulusal Konseyi Başkanı_Faik Nika.jpg
Karadağ Arnavut Ulusal Konseyi Başkanı_Faik Nika_Vera Katana.JPG
Karadağ Arnavut Ulusal Konseyi Başkanı Faik Nika_Kosova E.Elçisi ile görüşme.jpg
Karadağ Arnavut Ulusal Konseyi_28 Kasım faaliyeti.jpg
Karadağ Arnavut Ulusal Konseyi_faaliyetler.jpg

Intervistë me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi vlerësohet ndër institucionet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në këtë vend. I themeluar 10 vjet më parë, kjo organizatë është përqendruar në mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës, arsimit dhe të gjuhës së popullatës shqiptare në Malin e Zi. Në një intervistë për Zërin e Turqisë, kryetari i Këshillit, zoti Faik Nika, flet për aktivitetet e Këshillit gjatë vitit që po lëmë pas, si dhe sfidat e këtij institucioni në misionin e tij. Fillimisht z. Nika në mikrofonin e zërit të Turqisë flet për pozitën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi.

F. Nika: Mund të themi se pozita e shqiptarëve në Mal të Zi shënon avancim, shpresojmë se do të ketë lëvizje të tjera pozitive sidomos në lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut, përdorimin e lirë të simboleve kombëtare, e në veçanti përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike. Them simbolet kombëtare, sepse kemi pasur rastet e fundit të ndalimeve nga ana e policisë në Tuz dhe në Malësi. Ne u jemi drejtuar organeve kompetente dhe përfaqësive ndërkombëtare, kështu që informacionet e fundit janë se është nisur procedura dhe do të jetë në kuvendet e ardhshme, ku ligji i përdorimit të simboleve kombëtare do të shkojë bashkë me ligjin për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Besojmë se nuk do të ketë më qasje të tillë ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, sepse ligjërisht janë probleme që nuk duhet të diskutohen më në shekullin e 21-të. Po ashtu edhe për gjuhën shqipe me ligj është caktuar në ato vendbanime shqiptare ku 5% të popullatës autoktone janë shqiptarë, është e drejtë e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet publike. Ne si Këshill Kombëtar do të bëjmë monitorimin e implementimit të ligjit në bashkëpunim me Ministrinë e Pakicave dhe institucionet e tjera do të shohim se sa aplikohet ligji. Kjo do të jetë sfidë për Këshillin Kombëtar për vitin e ardhëm.

V. K: Na thoni diçka për aktivitetet e Këshillit Kombëtar në vitin që po lëmë pas?

F. Nika: Këshilli Kombëtar realizon disa aktivitete në sfera të ndryshme të jetës shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi, flas këtu me theks të veçantë për arsimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi, përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin proporcional në institucione; kemi edhe në fusha të ndryshme siç është ndihma për botimin e librave të autorëve shqiptar, shoqatave të ndryshme, promovimin e kulturës etj. Janë këto aktivitete që kanë karakterizuar vitin 2018. Është bërë edhe zgjedhja e elektorëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Ky është mandati i tretë i këshillit dhe shpresojmë se vitin që vjen me një program, i cili tashmë është miratuar, do të punojmë fuqishëm në pikat që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe kërkesat dhe të drejtat e tyre.

V. Katana: Ku do të jetë i fokusuar aktiviteti i Këshillit Kombëtar gjatë vitit 2019-të?

F. Nika: Me rëndësi e kemi arsimin. Aty janë bazat, ku mësohet gjuha dhe kultivohet kultura dhe identiteti Kombëtar. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me shkollat. Ato kanë shqetësim sa i përket teksteve shkollore me plan-programet e reja. Ende ka mungesë të bazës materiale nëpër shkolla, siç janë hartat në gjuhën shqipe. Këto janë shqetësimet që vijnë nga shkollat. Këshilli Kombëtar do të fokusohet po ashtu edhe në përfaqësimin proporcional në institucionet publike në Mal të Zi. Në këtë drejtim situata nuk është e mirë sepse shqiptarët në krahasim me pakicat e tjera rezulton të jenë vetëm 1,3% të përfaqësuar në institucionet publike. Në jemi 5% andaj duhet të fokusohem që rinia shqiptare, të diplomuarit shqiptarë të aftësohen profesionalisht dhe të punësohen më shumë në institucionet publike. Gjatë vitit 2019 po ashtu do të punojmë në promovimin e traditës dhe kulturës shqiptare, aktivitete këto që do ti organizojmë në bashkëpunim me shoqatat e ndryshme, të cilat promovojnë vlerat dhe traditat e shqiptarëve. Po ashtu do të përkrahim edhe botuesit shqiptarë dhe do t’i financojmë ata brenda mundësive me qëllim që shqiptarët e Malit të Zi të promovohen dhe të marrin pjesë në jetën kulturore, artistike, sportive dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës publike në Mal të Zi. Ne kemi zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, ku i kemi prezantuar problemet dhe nevojat tona si pakicë, siç është problematika e emigracionit dhe përdorimit të gjuhës shqipe ,pasi ne kemi edhe veçori, sepse dallohemi gjuhësisht nga të gjitha pakicat e tjera përveç asaj rome. Vitin e ardhshëm po ashtu do të fokusohemi edhe tek sfera e informimit në gjuhën shqipe. Do të propozojmë që në kuadër të programit në gjuhën shqipe të televizionit të Malit të Zi të shtohet programacioni ose të hapet ndonjë kanal i posaçëm televiziv për shqiptarët.

V. Katana. A mendoni se duhet shfrytëzuar momenti i përmirësimit të pozitës së shqiptarëve Mal të Zi, në kohën ku janë duke u bërë negociata me Bashkimin Evropian për aderim në strukturat evropiane?

F. Nika: Pikërisht është ky momenti ku duhet intensifikuar edhe puna e Këshillit. Kemi këshillin për gjuhën shqipe, këshillin për të drejtat e njeriut, këshillat e veçanta që funksionojnë në kuadër të Këshillit Kombëtar. Është shumë me rëndësi të shfrytëzohet momenti i integrimit të Malit të Zi në BE që ne të promovojmë dhe të potencojmë problemet që kemi si pakicë autoktone.

V. Katana: Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin me partitë shqiptare në Mal të Zi?

F. Nika: Bashkëpunimi është korrekt dhe në nivel. Para pak muajsh ne kishim një takim të përbashkët në Parlamentin e Malit të Zi. Është formuar grupi punues, i cili do të punojë për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit zgjedhor dhe kemi rënë dakord që ne si shqiptarë të bëjmë një dokument të përbashkët për të kërkuar vendet e garantuara në Parlamentin e Malit të Zi, pasi ligji i fundit zgjedhor na e mohon këtë të drejtë. Kërkojmë që kjo e drejtë t’u kthehet shqiptarëve, pasi jemi popull autokton. Ne nuk kërkojmë të na falin mandatet, por ato të jenë të rezervuara për shqiptarët në Parlament. Kjo do te ishte një arritje shumë e madhe për ne.

V. Katana: Cili është bashkëpunimi me organet shtetërore në nivel të republikës?

F. Nika: Bashkëpunimi është në nivel të mirë, por mund të intensifikohet edhe më shumë. Bashkëpunimi që kemi me Ministrinë e Pakicave duhet të shtrihet edhe me ministritë e tjera si atë të kulturës etj. Kemi bashkëpunim me Parlamentin e Malit të Zi dhe komisionet që merren me çështjet e të drejtave dhe lirive të njeriut. Mendojmë që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më shumë në mënyrë që studentët të fitojnë bursa studimi, shoqatat joqeveritare dhe organet e tjera të kenë akses më të mirë tek organet shtetërore e ne si Këshill Kombëtar do të jemi si ndërmjetës në këtë qasje. 

-Përgatiti për TRT Shqip, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme