Industria turke e mbrojtjes në programet e qeverisë

Projektet e industrisë së mbrojtjes vazhdojnë të zënë vendin e parë në programet 100-ditëshe të qeverisë.

SMP Foto 1.jpg
bora.jpg
insansız araç.jpg
yapay zeka.jpg
Altay Tankı Seri Üretimi.jpg
altay.jpg

Industria e Mbrojtjes në programet e zbatimit

Nga Tarkan ZENGİN*

Më 24 qershor 2018 Turqia mbajti edhe zgjedhjet parlamentare, edhe ato presidenciale. Me ndryshimin e mëparshëm kushtetues, miratuar me referendumin e 16 prillit 2017, ishte pranuar “Sistemi i Qeverisë Presidenciale”. Sistemi i ri solli ndryshime në shumë fusha të sektorit publik. Disa ministri u bashkuan, disa institucione kaluan në varësi direkte të Presidencës, kurse disa institucione të tjera u mbyllën. Në kuadër të këtyre rregullimeve, emri i Nënsekretarisë së Industrisë së Mbrojtjes u ndryshua në Kryesia e Industrisë së Mbrojtjes dhe u ndërlidh direkt me Presidencën. Ndërkaq në sistemin e ri të qeverisjes Presidenca filloi të shpallë me anë të “Programeve 100-ditëshe” objektivat e ministrive dhe institucioneve. Në datën 3 gusht 2018 u publikua “Programi i parë i zbatimit 100-ditësh” dhe ky program kishte si synim 400 plane veprimi, të cilat në masë të madhe u realizuan.

Objektivat që kanë të bëjnë me sektorin e mbrojtjes ndiqen nga Kryesia e Industrisë së Mbrojtjes. Në 400 planet e veprimit që synonte programi i qeverisë për 100 ditët e para si sektor vendin e parë e zinte industria e mbrojtjes me 48 objektiva. Kurse në “Programin e dytë 100-ditësh të zbatimit”, i cili u shpall më 13 dhjetor 2018 zënë vend 454 plane veprimi me një vlerë totale 24 miliardë lira turke (4,5 miliardë dollarë). Ashtu si në programin e parë të zbatimit edhe në programin e dytë planet e veprimit për industrinë e mbrojtjes u renditën në vend të parë me 52 objektiva. Në mbledhjen e organizuar për prezantimin e programit të dytë të zbatimit (100-ditëshi i dytë) Presidenti Erdoan i surprizoi pjesëmarrësit në sallë me helikopterin vendor duke prezantuar vet në skenë helikopterin për përdorim të përgjithshëm tip T625, i cili është prodhuar me mundësi kombëtare. “Po ju bëjmë surprizën, po e ngrejmë perden, të shikojmë se çfarë do të dalë? Helikopteri vendor “Gökbey”, i cili mund të marrë 14 persona. Me leje të Zotit do të jetë zoti i qiejve. Në vitin 2021 do të fillojë prodhimi i tij në seri”,- u tha Presidenti Erdoan të pranishmëve.

Plani i veprimit 100-ditësh me 52 objektiva në industrinë e mbrojtjes

Presidenca synon që brenda një kohe të shkurtër, 100 ditë, të realizojë 52 objektiva nën drejtimin e Kryesisë së Industrisë së Mbrojtjes. Do të zgjateshim shumë nëse do ti përmendnim këtu të gjitha këto objektiva, kështu që le të japim ato që janë më të rëndësishme.

Helikopteri T-129 ATAK është zhvilluar me mundësitë dhe aftësitë kombëtare me qëllim për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura Turke (TSK) për helikopterë sulmues. Ai është helikopteri sulmues më efektiv në botë në kategorinë e vet. Në korrik të 2018-ës u nënshkrua me Pakistanin marrëveshja për ti shitur këtij vendi 30 helikopterë të tillë. Vitin e kaluar nisën disa projekte për prodhimin e motorit kombëtar për helikopterët kombëtarë. Në këtë kuadër, pjesë e programit 100-ditësh të zbatimit janë: “Nënshkrimi i kontratës për projektin e përmirësuar ATAK”, “Dorëzimi i 2 helikopterëve ATAK në kuadër të projektit për prodhimin e helikopterëve për qëllime sulmi dhe taktiko-zbuluese”, “Përcaktimin e konfigurimeve dhe kontraktorëve për nënsistemet e zhvilluara për helikopterët e llojit ATAK dhe atyre specifikë si: kompresor për motorin me aks turbo, dhoma e djegies, gjeneratori i gazit, turbina e fuqisë, etj.

Objektivat për mjetet e blinduara dhe tanket 

Kryesia e Industrisë së Mbrojtjes pak kohë më parë ndërmori një hap të rëndësishëm për prodhimin e një tanku kombëtar modern që u përgjigjet nevojave të ditëve të sotme. Në 9 nëntor u nënshkrua kontrata për prodhimin në seri të tankut “ALTAY”. Kontrata parashikon ndërtimin e linjës së prodhimit në seri dhe prodhimin e 250 tankeve të tipit “ALTAY”. Synimi është që tanku i parë t’u dorëzohet Forcave Tokësore 18 muaj nga data e firmosjes së kontratës. Në suazën e kësaj, në programin 100-ditësh u përfshi nënshkrimi i kontratave për nënsistemet kritike në kuadër të këtij projekti të madh për prodhimin në seri të tankut “ALTAY”, duke përfshirë këtu edhe grupin e fuqisë. Programi 100-ditësh parashikon gjithashtu edhe “Modernizimin në kuadër të projektit FIRAT-M60T të 7 tankeve dhe rritjen në 146 të numrit të tankeve M60TM”,     “Përfundimi i dizenjimit konceptual të transmisionit (kutia e shpejtësisë dhe organet transmetuese) në kuadër të projektit UTKU për prodhimin e Grupit Kombëtar të Fuqisë, me qëllim për ta përdorur atë në mjetet e blinduara”, “Nënshkrimi i kontratës për projektin e prodhimit të mjeteve taktike të blinduara me rrota për përdorim të veçantë (ÖMTTZA)” dhe “dorëzimi i gjithsej 255 mjeteve të tipeve të ndryshme në kuadër të projektit për prodhimin e mjeteve të blinduara”. Numri i madh i mjeteve taktike të blinduara për përdorim të veçantë, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në luftën kundër terrorit dhe që do të dorëzohen përmes këtij projekti, do të rrisë edhe efektivitetin e forcave turke të sigurisë.

Mjetet e telekomanduara ajrore (dronët), tokësore dhe inteligjenca artificiale

Edhe Turqia, një nga 6 vendet në botë që prodhon mjete ajrore pa pilot (dronë), synon që në kuadër të programit 100-ditësh të ketë gati për përdorim edhe 5 copë dronë taktikë tip “Bayraktar TB-2” dhe 2 copë dronë operativë “ANKA-S”. Po të shikojmë objektivat e programit të zbatimit duket qartë se çfarë arritje të rëndësishme ka shënuar Turqia në teknologjinë e industrisë së mbrojtjes. Ja edhe disa nga objektivat e programit të dytë 100-ditësh që kërkojnë teknologji të përparuar:  

- Nënshkrimi i kontratës për dorëzimin e 125 dronëve zhurmues tip pushke dhe zhurmuesve EGM që mbahen në shpinë, automjet dhe në çantë.

- Nënshkrimi i kontratës për realizimin e Projektit për Përcaktimin dhe Çaktivizimin e Mekanizmave të Eksplozivëve Artizanalë që përmbajnë Qarqe Elektronike. Me anë të teknologjisë së mikrovalëve të fuqishme ky sistem do të sigurojë përcaktimin dhe asgjësimin e Eksplozivëve Artizanalë.  

- Vazhdimi i fazave projektuese dhe testeve në terren për projektet lidhur me prodhimin e mjeteve tokësore të telekomanduara, projekte që kanë filluar për mjetet e kategorisë së lehtë dhe të mesme si dhe fillimi i dorëzimit të mjeteve të para.

- Tenderimi i projektit të filluar më parë për mjetet e rënda të telekomanduara tokësore; realizimi i testeve demonstruese me qëllim vlerësimin e mjetit nga përdoruesi sipas mundësive dhe aftësive ekzistuese.

- Vlerësimin e ofertës “117 SAGA” në kuadër të projektit për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë robotike dhe nënshkrimi i kontratës. 

- Fillimi i Projektit për Zhvillimin Teknologjik të Dronëve Tufë dhe Demonstrimi i këtyre dronëve.

Turqia tashmë ka arritur në atë fazë që ti bëjë me mundësitë e veta kombëtare produktet mbrojtëse, të cilat mund ti prodhojnë vendet shumë të zhvilluara. Në aspektin numerik objektivat e industrisë së mbrojtjes renditen në krye të listës në programet e zbatimit të qeverisë. Po ashtu edhe shfaqja nga ana e Presidentit (Erdoan) e helikopterit kombëtar në mbledhjen e organizuar për prezantimin e programit të 100-ditëshit të dytë tregon rëndësinë që i kushton Presidenti industrisë së mbrojtjes. Turqia vazhdon të shënojë arritje të rëndësishme në industrinë e mbrojtës përballë rreziqeve rajonale dhe globale.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme