Koment – Po nëse BE-ja shpërbëhet?

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Po nëse BE-ja shpërbëhet?

Koment – Po nëse BE-ja shpërbëhet?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

E ardhmja e Bashkimit Evropian ka nisur të diskutohet seriozisht prej disa vitesh për shkak të vendimit të Britanisë së Madhe për t’u larguar (Brexit), reagimeve në Itali dhe disa shtete të tjera anëtare të Unionit, racizmit e gjuhës së urrejtjes në rritje, së fundmi edhe si pasojë e disa zhvillimeve të tjera siç janë protestat e Jelekëve të Verdhë. Në këtë artikull, edhe unë do të qëndroj mbi BE-në, arritjet dhe të ardhmen e saj.

Ç’është BE-ja?

BE-ja është në thelb një union i themeluar nga vendet evropiane pas përfundimit të ekspeditave të tyre imperialiste në hapësira gjeografike të tjera, për të parandaluar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Shtetet themeluese të Bashkimi Evropian nuk ishin aspak të shqetësuara nga kolonizimi dhe shfrytëzimi global për sa kohë që lufta nuk trokiste në portat e tyre. Por dy luftërat botërore dhe kostot e frikshme të këtyre dy luftërave në radhë të parë për vetë ato dhe pastaj për të gjithë njerëzimin, i shtynë vendet evropiane që të bashkëpunojnë për të shmangur një luftë të tretë botërore.

Arritjet e BE-së: Paqe dhe pluralizëm

Suksesi ekonomik i arritur nga Bashkimi Evropian është një përfundim i këtij bashkëpunimi dhe stabiliteti të siguruar ndërmjet shteteve themeluese, por edhe i vlerave të përbashkëta të krijuara e shpalosura prej tyre. Pra, suksesi ekonomik është rezultat i kësaj klime të sigurt.

Historiani izraelit, Yuval Noah Harari, profesor në Universitetin Hebre të Jerusalemit, deklaroi gjatë një interviste javën e kaluar për gazetën prestigjioze turke, “Hurriyet”, se arritja kryesore e BE-së është vendosja e paqes në kontinentin e vjetër. Sipas tij, lufta mund të rikthehet në Evropë nëse Bashkimi Evropian shpërbëhet. Fjalët e mëposhtme të prof. Hararit janë maksimalisht domethënëse për të treguar arritjet e projektit të BE-së në aspektin e vendosjes së paqes, pluralizmit dhe tolerancës në Evropë:

“Në Evropën mesjetare nuk ekzistonte as gjurma më e vogël e tolerancës. (...) Më 1600-n, të gjithë ishin katolikë në Paris dhe kur një protestant vinte në qytet, atë e vrisnin. Ndërsa në Londër ishin të tërë protestantë dhe kur një katolik hynte në qytet, atë e vrisnin po ashtu. Gjatë atyre viteve, në Evropë hebrenjtë përndiqeshin dhe myslimanët nuk i donte askush. Ndërkohë që në Stamboll, në po atë periudhë, myslimanë, katolikë, armenë, ortodoksë, grekë e bullgarë të sekteve të ndryshme jetonin bashkë të lumtur përkrah njëri-tjetrit.”

Vlerat e Bashkimit Evropian

Kur përmenden vlerat e BE-së, ato që renditen përgjithësisht janë demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, liria, barazia, pluralizmi, toleranca, bashkëpunimi, solidarësia, refuzimi i diskriminimit dhe i gjuhës së urrejtjes. Sigurisht që përmbajtja e këtyre vlerave mund të plotësohet në forma të ndryshme në qytetërime të ndryshme. Megjithatë nuk është e drejtë që t’i shohim këto si vlera të krijuara nga Evropa. Siç mund të kuptohet edhe nga deklaratat e mësipërme të Hararit, prania e vlerave të tilla si të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe toleranca është shekullore në hapësirën gjeografike islame, ndërkohë që data e adoptimit të këtyre vlerave nga Evropa është fare e re. Edhe pse ato janë adoptuar nga qytetërime të tjera më herët dhe shpesh nuk i takojnë vetëm Evropës, pranimi nga BE-ja i vlerave të lartpërmendura si vlera të BE-së është një zhvillim pozitiv. Kjo është shprehje e vetëbesimit. Me adoptimin e këtyre vlerave, mund të themi lehtësisht se Bashkimi Evropian ka siguruar paqen brenda vetes dhe ka kontribuar gjithashtu në paqen rajonale në një masë të caktuar. Bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vlerat e BE-së kanë ekuilibruar në një masë të caktuar edhe shfrytëzimin fatal, konkurrencën vdekjeprurëse ndërmjet këtyre vendeve. Kjo situatë është një nga arsyet kryesore nëse sot ka një periudhë paqeje gati 80-vjeçare ndërmjet shteteve evropiane, të cilat kanë luftuar dy herë brenda 25 viteve në fillim të shekullit të 20-të.

Vlerat e sotme të BE-së!

Sikur po dëgjoj kundërshtime që thonë “dielli i djeshëm nuk i than rrobat e sotme”, “BE-ja sot nuk është më një union vlerash” apo “nëse vetë BE-ja do të aspironte për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ajo s’do të anëtarësohej dot, pasi nuk do arrinte të plotësonte kriteret e saj”. Rritja e gjuhës së urrejtjes dhe racizmit, dëftesa shumë e dobët e të drejtave të njeriut si pasojë e qëndrimeve të disa shteteve anëtare të BE-së që nuk i konsiderojnë refugjatët as si njerëz, zëvendësimi dalëngadalë i pluralizmit e bashkëpunimit me qasje përherë e më shumë fashiste dhe nacionaliste, ka filluar të kërcënojë haptazi në radhë të parë vetë Unionin, pastaj vlerat dhe ardhmërinë e tij gjithashtu.

Po nëse BE-ja shpërbëhet?

Probabiliteti i shpërbërjes së Bashkimit Evropian po diskutohet seriozisht për shkak të shqetësimeve ekonomike, influencës në rritje të partive fashiste dhe humbjes çdo ditë e më tepër të cilësisë së unionit të vlerave. Të shtytur nga këto zhvillime dhe politikat joparimore e hipokrite për disa çështje, disa thonë se tashmë Bashkimi Evropian është duke e humbur funksionin e tij dhe prandaj shpërbërja e tij nuk do të shkaktonte një problem serioz. Por unë jam i shqetësuar, sepse shpërbërja e BE-së ka gjasa të prodhojë më shumë dëme për veten e saj, për rajonin që e rrethon dhe për të gjithë njerëzimin. Mbi të gjitha nuk duhet harruar se periudhat më çnjerëzore të imperializmit perëndimor janë dëshmuar përpara procesit të Bashkimit Evropian. Të zhveshura nga vlerat e BE-së dhe të larguara nga mekanizmi balancues i njëra-tjetrës, shtetet evropiane mund të jenë shumë më të paparashikueshme.

Le t’i parashtrojmë shqetësimet tona me disa pyetje:

  1. Nëse Bashkimi Evropian shpërbëhet, atëherë çfarë do t’i balanconte shtetet evropiane në ekspeditat e tyre imperialiste globale? Çfarë do ta kufizonte rivalitetin e tyre të egër dhe fatal që kemi parë në kaluarën? Në përgjigje të këtij shqetësimi, mund të thuhet se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij nuk janë më një aktor global, por një i tillë joefektiv që ka mbetur i bllokuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, i paaftë të prodhojnë politika kundër zhvillimin ekonomik të Kinës. Por edhe nëse supozojmë të jetë kështu, në mungesë të ombrellës së Bashkimit Evropian, shtetet sot anëtare të BE-së do të nyjëzoheshin më tepër me aktorët globalë. Mirëpo a nuk do ta rriste kjo situatë rrezikun e konfliktit në Evropë dhe rajonin përreth saj?
  2. Nëse Bashkimi Evropian shpërbëhet, atëherë kujt do t’i shërbente në Evropë konkurrenca e pakufizuar me parime dhe vlera të caktuara?
  3. Aktualisht, vlerat e BE-së po zhduken gradualisht në Evropë. Lëvizjet raciste, neonaziste dhe neofashiste po rriten me shpejtësi. Në Evropë ka shumë pak burrështetas që nuk u janë dorëzuar këtyre lëvizjeve. Merkeli duket se është emri i fundit i matur. Vallë a s’do të prodhojë shpërbërja e Bashkimit Evropian më shumë mbyllje në vetvete dhe racizëm në radhë të parë për emigrantët e myslimanët rezidentë në Evropë dhe pastaj për vetë Evropën gjithashtu?
  4. Rënia e stekës së Bashkimit Evropian do të dobësojë vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut, bashkëpunimi, pluralizmi dhe shoqëria e hapur duke nxjerrë në plan të parë anembanë botës antivlera apo qasje më proteksioniste, nacionaliste, autoritare dhe ndoshta më totalitare. A nuk do të ndikojë kjo situatë shumë më negativisht në jetën individuale?
  5. Çatia e BE-së luan një rol qetësues për vendet që kanë rajone separatiste, siç janë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja dhe Italia. Vallë a nuk do të amplifikohej rreziku i konfliktit edhe në këto shtete nëse çatia e BE-së do të binte?

Siç mund të shihet, është e qartë se shpërbërja e Bashkimit Evropian – por edhe nëse nuk shpërbëhet, retorika përjashtuese e raciste në rritje dhe gjuha e urrejtjes – kërcënojnë më shumë të ardhmen e Evropës. Le t’i pyesim edhe një tjetër herë qarqet pluraliste, liberaliste dhe demokrate evropiane: A jeni në dijeni të rrezikut që po ju kanoset?

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme