Studenti shqiptar shpallet më i miri i shkollës së ushtrisë në Ankara

Studenti Klodian Kamberi ka përfunduar Shkollën e Forcës Tokësore në Ankara të Turqisë dhe është shpallur studenti më i mirë mes 1850 studentëve.

Studenti shqiptar shpallet më i miri i shkollës së ushtrisë në Ankara

Studenti shqiptar shpallet më i miri i shkollës së ushtrisë në Ankara

-Në Shqipëri nisin punimet e sesonit të ri të Kuvendit

Në Shqipëri kanë nisur punimet e sesionit të ri parlamentar, ndërsa opozita nuk ishte në seancë. Në fjalën hapëse kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi bëri një bilanc të sesionit të shkuar, por prezantoi edhe objektivat e sesionit të ri parlamentar. 

Ai tha se “…Ky sesion bashkë me atë pasardhës do të ketë një mision, kurrorëzimin e procesit për çeljen e negociatave në qershor 2019. Të gjitha kontributet tona, përfshi edhe luftën politike tja kushtojnë Shqipërisë evropiane.Ftoj të gjitha grupet politike që të ndajnë luftën për betejën e pushtetit të radhës nga lufta jonë e përbashkët për integrimin e Shqipërisë në BE. Çështjet e integrimit evropian do të jenë objektivi i kuvendit i pandryshuar…”, tha më tej Ruçi, i cili në fund të fjalës së tij garantoi të gjithë shqiptarët se ndjeshmëritë e tyre legjitime do të shqyrtohen nga ligjvënësit parlamentar.

“…Do dëgjohen qytetarët. Garantoj të gjithë shqiptarët se ndjeshmëritë e tyre legjitime do të shqyrtohen me kujdes nga ligjvënësit, do të përkthehen në dispozita ligjore në çdo rast që do të gjykohet e nevojshme për interesin jetik. Parimi i demokracisë është se askush nuk mund të qeverisë pa dëgjuar, pa konsensus dhe pa bashkëpunimin me zgjedhësit….”.

***

- 93% e turistëve të huaj thonë që do rekomandojnë Shqipërinë

93% e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit shprehen se do t’ia rekomandojnë atë miqve dhe të afërmve të tyre.

Të dhënat janë mbledhur nga projekti “Smile Albania”, i cili ka punësuar 1 mijë të ri, të cilët ofrojnë asistencë për turistët e huaj në të gjitha pikat kufitare shqiptare, si dhe në disa prej pikave turistike më të rëndësishme.

Në pyetësorin e plotësuar nga turistët e huaj në momentin e daljes nga Shqipëria, 87% e tyre janë shprehur se kanë ngelur shumë të kënaqur nga përvoja e kaluar në këtë vend.

Me 6.2 milionë turistë dhe 2 miliardë euro të ardhura, viti 2018 pritet të konfirmohet si viti më i suksesshëm në historinë e turizmit shqiptar.

Në shtatë muajt e parë të vitit, Shqipëria është vizituar prej 4.4 milionë shtetasve të huaj.

Projektimet zyrtare flasin se deri në fund të vitit, Shqipëria do të tërheqë 6.2 milionë turistë, të cilët do të kontribuojnë me 2 miliardë euro për ekonominë kombëtare.

Ndërsa në vitin 2017, Shqipëria tërhoqi 5.1 milionë turistë, të cilët sollën në vend 1.5 miliardë euro.

Një tjetër lajm i mirë i këtij sezoni është se përveç malit dhe detit, turistët po fokusohen gjithmonë e më shumë tekturizmi kulturor dhe ai i aventurës.

Frekuentimi i muzeumeve, kalave dhe siteve arkeologjike është rritur me 65% gjatë këtij viti, ndërsa turizmi i aventurës, ai i kajakëve, zhytjeve, paragliding dhe sporteve të tjera ekstreme ka njohur një rritje prej 30%. 

***

-Izrael, Bushati takon kryeministrin Netanyahu: Të thellojmë bashkëpunimin për sigurinë në rajon

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me kryeministrin, njëherësh ministrin e Jashtëm të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit u ndalen në çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh,  zhvillimet në fushën e sigurisë në lindjen e mesme dhe në rajonin e Ballkanit,  lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja kibernetike.

Ministri Bushati e njohu kryeministrin Netanyahu me zhvillimet në rajon dhe me rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti. Nga ana e tij, kryeministri Netanyahu vlerësoi qasjen e Shqipërisë ndaj sfidave të sigurisë në rajon dhe më tej, si dhe shprehu interesin e Izraelit për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë.

Ministri Bushati dhe kryeministri Netanyahu diskutuan gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok si inovacioni, ekonomia, arsimi, kultura, etj.

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Ministri Bushati  zhvillojë disa takime bilaterale, si me  Ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, Lideren e opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit  Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.

                                                                    ***

-Kalaja “Rozafa” në agjendën më të preferuar të turizmit vendas dhe të huaj

Kalaja e Rozafës dhe historia e saj është një atraksion jo vetëm për qytetarët shkodranë apo shqiptarë, por edhe për turistët që vijnë të vizitojnë Shkodrën. Natyrisht që vizitorët kanë qenë të shumtë çdo herë e aq më tepër në stinën e verës ku turizmi njeh edhe rritje maksimale të vizitorëve.

Ka pasur një rritje shumë të madhe të turistëve edhe këtë sezon që e kanë vizituar Kalanë Rozafa, në krahasim me vitin 2017.

Majlinda Laçaj, drejtorja e DRKK  ka publikuar nje postim e cila bën me dije se Kalaja e Rozafës me numër rekord vizitorësh, ku për periudhën Janar-Korrik 2018 ka arritur një shifër prej 58.241 vizitorësh nga të cilët 24.347 janë vizitorë vendas, 17.789 janë vizitorë të huaj, 16.105 kanë përfituar nga hyrjet falas në kala në datat e përcaktuara sipas udhëzimit të Ministrisë së Kulturës.

Për këtë numër të madh vizitorësh kanë qenë edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila ka postuar një video që i dedikohet Kalasë së Rozafës më mbishkrimin “Se Shkodra është dashni, befason Rozafa me numrin e të dashuruarve me Kalanë e saj”.

Por, përveç Ministres së Kulturës dhe drejtores së DRKK ka qenë edhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati ku edhe ai në faqen e tij zyrtare ka shpërndarë një postim të cilin e shoqëron me diçiturën “Kalaja e Rozafës është një nga sitet turistike më të vizituara. 35 614 vizitorë më shumë se një vit më parë…”.

***

-Evropiani i Volejbollit U-19 në Tiranë, merr pjesë edhe Turqia

Janë zhvilluar në Shqipëri ndeshjet e ditës së tretë të fazës finale të Kampionatit Evropian të Volejbollit U-19 për femra.

Ndeshja Rusi-Turqi e zhvilluar në sallën sportive “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës, përfundoi me rezultatin 3-1 (25-23, 25-12, 16-25, 25-20), në favor të ekipit rus.

Ndeshja u ndjek edhe nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, si dhe nga tifozë që mbështetën ekipin turk.

Kombëtarja U-19 e Shqipërisë në volejboll për femra është mundur me rezultatin 3-0 (25-13, 25-6, 25-9) nga ekipi i Polonisë.

Në Tiranë dhe Durrës sportdashësit kanë ndjekur ndeshjet e këtij kampionati, që vazhdon prej disa ditësh, ndërsa do të përfundojë më 9 shtator.

Grupi A ku bën pjesë Shqipëria i luan ndeshjet në Durrës, ndërsa Grupi B ku bën pjesë Turqia i zhvillon në Tiranë. Ekipi turk ndeshjen e radhës e ka me Serbinë më 5 shtator, ndërsa Shqipëria me Bullgarinë.

Në fazën finale marrin pjesë ekipet e Shqipërisë, Turqisë, Serbisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Holandës, Rusisë, Bjellorusisë, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Francës.

Evenimenti sportiv organizohet në bashkëpunim mes Federatës Evropiane të Volejbollit dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Nga ana tjetër, ambasadori i Turqisë, Murat Ahmet Yörük në Tiranë, priti në rezidencën e tij zyrtare ekipin  kombëtar të volejbollit të Turqisë për një mëngjes turk.

                                                                    ***

-Studenti shqiptar shpallet më i miri i shkollës së ushtrisë në Ankara

Studenti Klodian Kamberi ka përfunduar Shkollën e Forcës Tokësore në Ankara të Turqisë dhe është shpallur studenti më i mirë mes 1850 studentëve.

Kamberi është falënderuar publikisht nga ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila i kushtoi një status në Facebook.

E ardhmja e Forcave të Armatosura e ndritur dhe në rrugë të mbarë! KlodianKamberi jo thjesht përfundoi një ndër akademitë më të mira botërore, por u diplomua si studenti më i mirë në Shkollën e Forcës Tokësore në Ankara, mes 1850 studentëve. Por bashkë me të u diplomuan 9 studentë të tjerë, të cilët do të kthehen për të shërbyer në Forcat e Armatosura Shqiptare. Urime edhe studentëve nga Kosova! Krenari”, shkruan ministrja në Facebbok.

Vlen të përmendet se Klodian Kamberi para dy viteve ka marrë  çmimin si "Kadeti i huaj më i mirë" i vitit të 3-të gjatë vitit akademik 2016-2017 nga kryetari i Parlamentit turk, Ismail Kahraman.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme