HGK-1, kompleti i parë kombëtar i Turqisë për drejtim të përpiktë

Turqia prodhon me mundësitë e veta kompletin e parë (HGK-1) kombëtar për drejtim të përpiktë, i cili shndërron bombat që përdoren nga avionët luftarakë në “bomba inteligjente”.

HGK-1

Turqia prodhon me mundësitë e veta kompletin e parë kombëtar për drejtim të përpiktë (të bombave)

Nga Tarkan ZENGİN*

Turqia, ndërsa mundohet të garantojë sigurinë e saj kombëtare kundër kërcënimeve të ndryshme dhe vazhdon të luftojë me organizatat terroriste, në periudha të caktuara ajo përballet me embargon e aleatëve në armatim dhe municion. Asaj i nxjerrin probleme në përdorimin e produkteve që i ka blerë me paratë e saj. Vetëm se Turqia ka arritur të jetë e suksesshme duke ditur ta kthejë në mundësi çdo krizë me të cilën përballet në këtë kontekst. Të ashtuquajturit aleatë i bëjnë bisht shitjes së mjeteve ajrore pa pilot (dronëve). Mirëpo Turqia i prodhon me mundësitë e veta mjetet ajrore pa pilotë, për të cilat ajo ka nevojë. Të ashtuquajturit aleatë nuk duan që ti sheshin Turqisë ‘dronë kamikazë’. Por Turqia jo vetëm që prodhon për nevojat e saj, por ka arritur në atë pikë sa që të shesë edhe tek vendet e tjera dronë të tillë. Kur të ashtuquajturit aleatë nxjerrin pengesa në lidhje me Kompletet e Drejtimit të Përpiktë (HGK), që i shndërrojnë bombat që përdoren nga avionët luftarakë në “bomba inteligjente”, Turqia fillon prodhimin në seri.

 

Eliminimi i varësisë së jashtme në lidhje me këto lloj municionesh inteligjente ka një rëndësi strategjike. Për shembull, Amerika municionet inteligjente që i ka shitur Turqisë gëzon të drejtën që t’i kontrollojë ato në harqe të caktuar kohorë. Nga municionet që ka shitur ajo (ShBA-ja) ndjek numrat e municioneve të përdorura dhe të atyre që kanë mbetur. Por ajo që është më e rëndësishme, është se ajo ka mundësi që të dijë edhe në cilat koordinata janë përdorur këto lloj municionesh. E thënë ndryshe, kur Turqia e përdor këtë municion inteligjent, që e ka blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), gjatë luftës që zhvillon kundër organizatave terroriste, ShBA-ja ka mundësinë që të nxjerrë pengesa në numrin e municionit dhe koordinatat ku do të përdoret ky municion. Madje ka pasur periudha kur ShBA-ja nuk i ka shitur Turqisë municion inteligjent me qëllim për të mos e përdorur atë kundër organizatave terroriste si PKK dhe PYD (derivati i PKK-së në Siri). Për këtë arsye është mjaft e rëndësishme prodhimi i municionit inteligjent me mundësi vendore në mënyrë që Turqia të veprojë si një vend i pavarur.

Në veçanti disa vende përdorin një sërë strategjish për ta penguar Turqinë që të kombëtarizojë industrinë e saj të mbrojtjes. Këtë e bëjnë disa herë duke mos i shitur asaj produkte të mbrojtjes, ngandonjëherë duke i vendosur pengesa në përdorimin e produkteve që i kanë shitur dhe hera herës duke bërë zbritje në raporte të mëdha në çmimet e produkteve në fjalë me qëllim për të parandaluar prodhimin vendor. Sidomos kur Turqia fillon të zhvillojë e prodhojë vet produktet për të cilat ka nevojë, ata mundohen ta pengojnë zhvillimin e produktit duke bërë ulje të mëdha në çmim. Dhe një nga pengesat e tilla vihet re edhe në prodhimin e Kompletit të Drejtimit të Përpiktë (HGK).

 

Forcat Ajrore Turke i kanë nisur që në vitin 2005 punimet për t’u çliruar nga varësia e jashtme në lidhje me municionet inteligjente. Drejtuesit e kohës lëshuan direktivat e nevojshme për prodhimin e municionit inteligjent me mundësi kombëtare. Dhe me punimet e kryera brenda një kohe të shkurtër, u arrit që Kompleti i Drejtimit të Përpiktë të prodhohet në vitin 2006. Por ashtu siç ka ndodhur më parë në lidhje me shumë produkte të tjera, të ashtuquajturit aleatë (të Turqisë) bëjnë lëvizje në drejtim të pengimit të prodhimit vendor.

Një copë municioni të llojit JDAM, i pajisur me sistemin e drejtimit me precizon të lartë (HGK), municion për të cilin kishte nevojë, Turqia e blinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 120 mijë dollarë. Kurse në vitin 2006 Turqia e prodhoi me mundësitë e veta një municion të tillë me një kosto rreth 90 mijë dollarë. Për më tepër kur të kishte kaluar në prodhimin në seri, kostoja do të ulej edhe më shumë. Dhe kur Turqia filloi të flasë në ato ditë për prodhimin në seri, nga ShBA-ja erdhi oferta për ta ulur çmimin e produktit (JDAM) në raportin 1/6. Pra ShBA-ja çmimin e një predhe JDAM, që Turqisë më parë ia shiste për 120 mijë dollarë e zbriti menjëherë në 20 mijë dollarë/copë. Kjo ulje kaq e madhe e çmimit ishte interesante pasi një ofertë e tillë bëhej pavarësisht se kostoja (e prodhimit) vazhdonte të ishte e njëjtë. Një nga qëllimet e ShBA-së në uljen e çmimit në sasi të rëndësishme ishte të pengonte kalimin e Turqisë në prodhim në seri të Kompletit të Drejtimit të Përpiktë për municionet (bombat) inteligjente kombëtare. Kostoja e prodhimit vendor në atë kohë (në Turqi) ishte 4,5 herë më e madhe se sa çmim i ri i propozuar nga ShBA-ja. Për këtë arsye procesi i prodhimi në seri u vonua pak. Vetëm se si domosdoshmëri e politikës së pavarur kombëtare të mbrojtjes, Turqia brenda një kohe relativisht të shkurtër filloi punimet dhe përgatitjet për të kaluar në prodhimin në seri të këtij lloj municioni. 

Kompletet e Drejtimit të Përpiktë (të municionit) u zhvilluan si rezultat i një pune 5-vjeçare të inxhinierëve të TUBITAK-ut dhe Institutit për Kërkim dhe Zhvillim të Industrisë së Mbrojtjes- (SAGE). Kurse kompletet e para të tilla (HGK-1), që tashmë kanë hyrë në inventarin e Forcave Ajrore Turke, u prodhuan në Drejtorinë e Fabrikës së Mirëmbajtjes Ajrore Nr.3, që është një ndërmarrje publike. Personeli ushtarak me gradë dhe punëtorët me detyrë në këtë ndërmarrje publike, e cila operon si një ndërmarrje ushtarake në sektorin publik, në vitin 2013 realizuan prodhimin e parë të këtij kompleti. Ish-ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Ëzly (Özlü) në fjalën që kishte mbajtur në nëntor 2017 para Komisionit Parlamentar për Planifikim dhe Buxhet kishte njoftuar fillimin e prodhimit në seri të municioneve të pajisura me Kompletin e Drejtimit të Përpiktë. Më herët në botë vetëm ShBA-ja, Rusia dhe Izraeli prodhonin Komplete të Drejtimit të Përpiktë. Kështu Turqia u ngjit në vendin e katërt në botë që e prodhonte këtë produkt me mundësitë e veta kombëtare. Ky produkt (HGK-1, Kompleti i Drejtimit të Përpiktë) është përdorur në operacionet “Mburoja e Eufratit”, “Dega e Ullirit” dhe në luftën kundër terrorizmit. 

Disa nga veçoritë e këtij kompleti, sipas të dhënave që japin prodhuesit, janë këto: “Avionët luftarakë normalisht bombat i lëshonin nga një distancë 5-6 km (larg nga objektivi), kurse duke përdorur këtë produkt (HGK-1) distanca në fjalë arrin deri në 25 km. Bombat inteligjente e çajnë ajrin dhe përshkojnë distanca më të gjata falë krahëve të vegjël shtesë që u montohen në trup dhe sipërfaqes specifike të jashtme. Kështu avioni e përfundon në mënyrë të sigurt misionin pa hyrë në zonën e rrezikshme. Kompleti (HGK-1) është dizenjuar në mënyrë të tillë që të mbështjellë bombat e pa-drejtuara dhe me ndihmën e satelitit dhe perceptorëve të veçantë objektivin me koordinata të përcaktuara e asgjëson me një shmangie të vogël deri në 6 metra. Si rrjedhim operacioni mund të realizohet pa shkaktuar dëme në vendet/objektet e tjera që ndodhen përreth objektivit”. Kompletet turke të Drejtimit të Përpiktë (HGK) prodhohen me një kosto të ulët dhe kanë veçori të rëndësishme. Arritjet në këtë drejtim sot ndiqen me vëmendje nga shumë vende, kryesisht ato të Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës së Veriut.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme