"Mianmari është si Gjermania naziste"

Koordinatori në Koalicionin Free Rohingya, Maung Zarni, i krahasoi mizoritë e Mianmarit ndaj myslimaneve të Arakanit me ato të kryera nga Gjermania naziste.

arakanlılar.jpg
arakanlı müslümanlar.jpg
arakan.jpg
arakan.jpg
tika arakan yardım.jpg

Mizoritë që shënjestruan minoritetin Rohingya (myslimanët e Arakanit) të Mianmarit janë të ngjashme me ato të kryera nga Gjermania naziste, tha një aktivist i shquar budist për të drejtat e njeriut.

Duke folur për agjencinë AA (Anadolu Agency) në Kent të Britanisë, Maung Zarni, koordinator në Koalicionin Free Rohingya, tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë ndaj Mianmarit, vendit të tij të origjinës.

Komentet e Zarnit vijnë pasi OKB publikoi ​​një raport këtë javë në të cilin ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

"Ne kemi një situatë në të cilën një shtet anëtar i OKB-së i drejtuar nga një fituese e Çmimit Nobel të Paqes, Aung San Suu Kyi, dhe partnerët e saj në pushtet, gjeneralë ushtarakë birmanë, cilësohet nga organi më i besueshëm dhe më i lartë i autoriteteve të të drejtave të njeriut në botë i ngjashëm me Gjermaninë naziste", tha Zarni.

"Gjenocid është ajo që bënë nazistët. Gjenocid është ajo që ndodhi në Ruandë, në Kamboxhia, ose ndaj myslimanëve boshnjakë", shtoi ai.

Zarni nënvizoi se kur një rast cilësohet si "gjenocid", përgjegjësia për t'u marrë me të qëndron te të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

"Detyrimi më i lartë politik dhe moral qëndron në Këshillin e Sigurimit (OKB)", vlerësoi ai.

Ai tha se formimi i një gjykate penale ndërkombëtare siç është bërë për Ruandën ose Bosnjën nuk do të ishte i mjaftueshëm, por komuniteti Rohingya ka nevojë për "një rajon të mbrojtur ku ata mund të jetojnë në mënyrë të sigurt si qenie njerëzore normale dhe të denja".

Misioni i pavarur ndërkombëtar për vlerësimin e fakteve në Mianmar, i formuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), ka kërkuar të hënën ndjekjen penale të kreut ushtarak të ushtrisë së Mianmarit (Tatmadaw), ndër të cilët edhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për gjenocidin e kryer mbi myslimanët Rohingya.

"Pritja ime, në një botë ideale, është që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të autorizojë një formë të ndërhyrjes në mënyrë që mizoritë të mund të ndalen dhe komunitetit Rohingya të mund t'i kthehet vendi i tyre dhe të lejohet të jetojë me dinjitet dhe në siguri", tha Zarni.

- Sanskionet

Zarni vuri në dukje se tani ka më shumë Rohingya që jetojnë jashtë Mianmarit sesa ata që kanë mbetur në vend pas dekadave të dhunës, por veçanërisht pas sulmit masiv që u nis kundër tyre në gusht të vitit të kaluar.

Duke nënvizuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë sanksione ndaj qeverisë dhe ushtrisë së Mianmarit, Zarni u shpreh se politika e përjashtimit kundër muslimanëve të Arakanit duhet të përfundojë.

Myslimanët Rohingya "janë duke u pastruar" dhe qëllimi përfundimtar në zbatimin e sanksioneve ndaj Mianmarit duhet të jetë "ndryshimi rrënjësor i politikave të shtetit të Birmanisë dhe ndryshimi i strukturave të cilat janë mobilizuar nga ana e ushtarëve të Birmanisë dhe krijuesit e opinionit publik për të shtypur, përndjekur dhe asgjësuar këtë popull", shtoi Zarni.

Sanksionet e shumëfishta duhet të ofrojnë mbrojtje ndërkombëtare për komunitetin Rohingya dhe të krijojnë "një rajon autonom ku ushtria e Birmanisë nuk do të lejohej të vazhdonte mizoritë", tha ai.

- Zgjidhja

Zarni u shpreh se Mianmari ka katër shtylla kryesore: ushtrinë, rendin budist, partitë politike dhe publikun.

"Të katër këto institucione të mëdha, kanë refuzuar kategorikisht komunitetin Rohingya. Ne u themi atyre se nuk i përkasin Birmanisë, se nuk i duam në Birmani", tha Zarni.

Ai shtoi se zgjidhja e problemit nuk qëndron në Mianmar, por duhet të formulohet ndërkombëtarisht dhe brenda institucioneve të OKB-së.

- Thirrje Turqisë për ndihmë

Zarni vuri në dukje se presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe qeveria turke "kanë qenë jashtëzakonisht të zëshme dhe përkrahëse për popullin Rohingya".

"Kjo është koha që Turqia të tregojë udhëheqje serioze morale dhe politike", vlerësoi ai.

Duke theksuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është në "gjendje kome" dhe "i paralizuar" pasi nuk mund t'i zgjidhë problemet, Zarni tha se Turqia mund të ndihmojë me të vërtetë në rastin e Mianmarit, duke "krijuar një koalicion të qeverive myslimane dhe jomyslimane që pranojnë se ky është gjenocid dhe që do të thonë se nuk duhet të jemi spektatorë të gjenocidit".

Ai tha se mbi 500.000 Rohingya janë të bllokuar në Mianmar dhe mund të dëbohen në çdo kohë, duke shtuar se është koha për të vepruar dhe për të formuar një koalicion.

"Apeli im nuk është për njerëzit birmanë. Thirrja ime është për botën islame, si dhe për komunitetet joislame, për të ndihmuar komunitetin Rohingya", theksoi Zarni.

"Për shkak se nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz myslimanë. Ata janë qenie njerëzore. Por ne, birmanët, në vendin tim i trajtojmë ata më ulët se kafshët", shtoi ai.

Më 25 gusht të vitit 2017, Mianmar nisi një dhunë të madhe ushtarake ndaj pakicës etnike myslimane, duke vrarë pothuajse 24.000 civilë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontarios, dhe duke detyruar 750.000 të tjerë, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, të iknin në Bangladesh.

Rohingya përshkruhen nga OKB si komuniteti më i përndjekur në botë. Dhjetëra myslimanë ishin vrarë edhe në dhunën komunale që shpërtheu në vitin 2012.

 


Lajme të ngjashme