Koment – SHBA, “quo vadis”?

Si ta vlerësojmë krizën e ShBA-së me shumë vende kohët e fundit, përfshi edhe me Turqinë, përshkallëzuar për shkak të arrestimit të një pastori të akuzuar për lidhje me organizata terroriste.

Koment – SHBA, “quo vadis”?

Perspektiva Globale - SHBA, “quo vadis”?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Kohët e fundit jemi përqendruar gati të gjithë te kriza ndërmjet dy aleateve si Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshkallëzuar nëpërmjet priftit Andrew Brunson që është arrestuar me akuzën për mbështetje të terrorizmit. Ka një tendencë për ta lexuar krizën në fjalë përmes marrëdhënieve turko-amerikane. Debatet orientohen dhe zhvillohen përgjithësisht nga kjo perspektivë.

Arsyet për ta lexuar krizën nga kjo pikëpamje janë pa dyshim të shumta dhe të shëndosha. Edhe pse nga pala amerikane mbërritja e krizës në këtë pikë mund të ndërlidhet me blerjen e raketave S-400 nga Rusia, me transformimin e Turqisë në zërin e ndërgjegjes globale kundër vendimit të Uashingtonit për të bërë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit dhe së fundmi me çështjen e priftit Brunson; nga pala turke çështja nuk shikohet në këtë mënyrë. Në aspektin e Turqisë, çështja ka të bëjë me përpjekjet e SHBA-së për formuar një shtet terrorist përmes PKK/YPG-së, të cilën Ankaraja e klasifikon si një organizatë terroriste, me strehimin në një rezidencë luksoze në Pensilvani të kreut të FETO-s, përgjegjës i 15 Korrikut të konsideruar si 11 Shtatori i Turqisë, si dhe me mungesën totale të mobilizimit amerikan kundër tij pavarësisht të gjitha dokumenteve që i janë dërguar nga Turqia. Për të kuptuar më mirë se si po perceptohet në opinionin publik turk qëndrimi i Uashingtonit, mund të japim këtë shembull: Në opinionit publik turk, qëndrimi amerikan po përballet me të njëjtin reagim që do të bënte opinioni publik i SHBA-së, në rast se një shtet do të akomodonte në luks Osama bin Ladenin dhe ai vend do të përpiqej të krijonte një zonë terroriste në kufirin amerikano-meksikan përmes organizatës terroriste, Al-Kaeda.

 

Pavarësisht arsyeve të kuptueshme, një vlerësim i krizës vetëm nga këndvështrimi i marrëdhënieve Turqi-SHBA do të ishte i cungët. Sepse Amerika nuk është në krizë vetëm me Turqinë. Ajo po kalon kriza shumë më të mëdha gjithashtu me Kinën, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe sidomos me Gjermaninë. Madje, si rrallëherë në historinë amerikane, Shtetet e Bashkuara janë në krizë dhe me Meksikën e Kanadanë. Për të mos folur fare pastaj për krizat kronike të saj me Korenë e Veriut dhe Iranin.

Rrjedhimisht, nuk është e drejtë që kriza Ankara-Uashington të vlerësohet vetëm nga aspekti i raporteve ndërmjet dy vendeve.

Në fakt, e drejtë s’duket as që këto kriza të lexohen vetëm nga prizmi i administratës Trump. Sigurisht që edhe përmasat e saj me burim administratën Trump janë të pamohueshme. Megjithatë arsyet dhe shkaqet e krizave të administratës Trump gati me të gjithë botën duhen kërkuar shumë më thellë. Ato më kryesoret e tyre mund të renditen kështu:

Mes arsyeve më të rëndësishme dhe ndoshta më e rëndësishmja e krizave që SHBA-ja po kalon dhe ndoshta po krijon vetë në shkallë globale, është ajo se ky vend nuk po fiton mjaftueshëm nga globalizimi. Pra, SHBA-ja dhe kompanitë e saj po mbeten prapa në konkurrencën globale, ku vendet më të fituara nuk po rezultojnë Amerika dhe Bashkimi Evropian, por shtete si Kina, India, Brazili dhe Turqia. Ndërkohë që ekonomia amerikane hyri në disa kriza gjatë këtij procesi, vendet në fjalë arritën të shumëfishojnë të ardhurat kombëtare të tyre. Në këtë periudhë po diskutohet në mënyrë të ngjeshur dhe me të madhe se hegjemonia amerikane është duke marrë fund.

Teksa është e qartë se SHBA-ja nuk po fiton mjaftueshëm nga konkurrenca globale, ekonomia e hapur, e tregut të lirë dhe se kjo është një arsye shumë e rëndësishme e nervozizmit amerikan, disa intelektualë dhe drejtues tanë duhet tashmë që të dalin nga kallëpet e tyre rreth globalizimit. Ata duhet të mendojnë edhe njëherë mbi konformizmin intelektual se proceset e globalizimit u japin kontribut më shumë vendeve të zhvilluara dhe i bëjnë të pasurit më të pasur e të varfrit dhe më të varfër.

 

Administrata Trump po shkon drejt politikave të epokës përpara globalizmit përkundër ekonomisë së tregut të lirë, sepse vendi i tij nuk fiton mjaftueshëm nga globalizimi. Rritja e taksave dhe tarifave doganore, thirrjet për të rikthyer në SHBA kapitalin dhe firmat e arratisura jashtë shtetit, s’janë veçse zgjatime të këtyre politikave. Teksa ngushtojnë tregtinë botërore, këto politika janë hapa që do të dëmtojnë edhe vetë Shtetet e Bashkuara krahas vendeve të tjera. Dhe ai që do t’i vuajë më tepër këto pasoja është konsumatori i fundit. Pasi me rritjen e taksave dhe tarifave doganore do të rriten çmimet e produkteve gjithashtu.

E dyta prej arsyeve, siç e kemi përmendur edhe dy javë më parë, ka të bëjë me ndikimin në rritje të grupeve, komuniteteve dhe sekteve fetare mbi administratën amerikane. Sikurse në rastet lidhur me Jerusalemin dhe priftin Brunson, nuk ka asnjë logjikë që mund të shpjegojë disa vendime irracionale të Uashingtonit. Le të kujtojmë përsëri se ndihmëspresidenti Mike Pence dhe ish-presidenti George Bush (biri) i SHBA-së janë evangjelistë fanatikë.

Si një tjetër arsye mund të përmendet edhe kriza qeverisëse në të cilën ka hyrë SHBA-ja. Në shumë raste, Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe Punët e Jashtme amerikane (Departamenti i Shtetit) mund të mendojnë dhe veprojnë ndryshe. Reagimet dhe pritjet e koalicioneve të ndryshme në shoqërinë amerikane, të atilla saqë shpesh tejkalojë edhe administratën amerikane, mund ta vënë mjaft në vështirësi Shtëpinë e Bardhë. Një arsye e rëndësishme e nervozizmit të administratës Trump është procesi i rrëzimit të presidentit republikan nga posti i timonierit të SHBA-së, një proces ky që shprehet në kontekstin e këtyre koalicioneve.

Dakord, por si duhet vepruar në rast se kriza ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë buron shumë më thellë sesa marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve?

Pa dyshim që çështja ka disa përmasa në lidhje me Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera, të cilat i interesojnë të gjithë njerëzimit.

Kundruar nga aspekti i politikave amerikane, rikthimi në ekonomitë e mbyllura dhe ngritja e barrierave doganore do të ngushtojë ekonominë e tregut të lirë. Ky ngushtim do të dëmtojë të gjitha vendet dhe individët. Këto politika që SHBA-ja i ka zhvilluar sidomos kundër rritjes së Kinës, janë pjesërisht të kuptueshme. Megjithatë Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Banka Botërore e të tjera organizata ndërkombëtare si këto, por edhe ata që përkrahin tregtinë dhe lëvizjen e lirë, duhet të zhvillojnë një qëndrim të përbashkët ndaj kësaj politike të dëmshme për të gjithë. Fakti që SHBA-ja nuk luan sipas rregullave të lojës, është një kërcënim për të gjitha vendet.

I tërë njerëzimi e di mirë se ku e gremisën botën rrymat ideologjike ekstreme si nazizmi dhe fashizmi në Luftën II Botërore. Po ashtu se në çfarë mjerimi janë sot vendet e Lindjes së Mesme për shkak të rrymave fetare radikale. Në mënyrë të ngjashme, ndikimi intensiv i tendencave ekstreme fetare të administratës amerikane, të tilla si evangjelizmi, i cili konsiderohet edhe si krishterimi sionist, nuk do të sjellë asnjë dobi për njerëzimin. Shtresat e emancipuara, pluraliste dhe liberale amerikane ndoshta janë të vetëdijshme për rrezikun. Përpjekjet e këtyre shtresave për racionalizëm, emancipim, liberalizëm dhe pluralizëm janë maksimalisht të çmuara për njerëzimin.

 

Vendet mund të hyjnë hera-herës në kriza sociale, ekonomike, politike dhe kulturore. Në këto raste, udhëheqësit vizionarë janë të nevojshëm dhe të domosdoshëm për t’i nxjerrë vendet nga krizat e tilla. Administrata Trump nuk ngjall shumë shpresë në këtë aspekt. Edhe më për të ardhur keq është se administrata Trump nuk duket e vetmja që s’jep shpresë. Shumë vende evropiane gjithashtu qeverisen nga liderë dritëshkurtër, pa vizion, të cilët nuk janë shpresëdhënës për të ardhmen.

Të mos e humbim shpresën, por, mjerisht, bota dhe politika globale nuk premtojnë ditë me diell.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme