• Video galeri

Koment - Gjendja e biznesit në vendet e Ballkanit dhe pritjet për të ardhmen

Studimi është kryer duke anketuar nga 200 kompani në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, dhe ka nxjerrë rezultate të rëndësishme për komunitetin e biznesit në Ballkanin Perëndimor.

Koment - Gjendja e biznesit në vendet e Ballkanit dhe pritjet për të ardhmen

Agjenda Ballkanike – Gjendja e biznesit në vendet e Ballkanit dhe pritjet për të ardhmen

Raporti i sondazhit publik që është realizuar nën emrin "Barometri Ballkanik 2018" nga ana e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), krahas opinionit të përgjithshëm publik, hulumtoi edhe botën e biznesit të Ballkanit Perëndimor. Studimi përfshin në total 1200 kompani (biznese) me madhësi dhe fusha të ndryshme aktiviteti. Sipas studimit në fjalë pritjet e bizneseve të Ballkanit për të ardhmen nuk janë edhe aq shumë optimiste. 

Studimi është kryer duke anketuar nga 200 kompani në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, dhe ka nxjerrë rezultate të rëndësishme për komunitetin e biznesit në Ballkanin Perëndimor. Para së gjithash, mesatarisht 29% e biznesmenëve të anketuar në Ballkan besojnë se gjendja ekonomike në vendet e tyre është përkeqësuar në vitin 2016. Përveç kësaj, vetëm 25% e biznesmenëve besojnë që gjendja e përgjithshme ekonomike në vendet e tyre gjatë vitit 2017 u përkeqësua. Gjithashtu vetëm 36 % e biznesmenëve presin që gjendja e përgjithshme në vendet e tyre të përmirësohet deri në fund të vitit 2018.  

Sipas rezultateve të anketës, në 45% të kompanive në Ballkan gjatë vitit 2017 biznesi nuk ka pësuar ndryshime të mëdha; përmirësim ka pasur në 40% të tyre, kurse në 14% të kompanive punët kanë shkuar keq. 50% e kompanive në Ballkan presin një rritje të kërkesës për produktet ose shërbimet e tyre në të ardhmen.

Brenda vitit 2017, 58% e kompanive në Ballkan nuk e ndryshuan nivelin e punësimit, 10% e tyre e reduktuan numrin e punëtorëve dhe 32% e rritën atë. Në përgjithësi, kompanitë në vendet e këtij studimi nuk kanë shumë përvojë në punësimin e të huajve.

Kompanitë në Ballkan, preferojnë që personelin, për të cilin kanë nevojë, ta sigurojnë me anë të rekomandimeve personale. Vetëm 26% e kompanive bëjnë shpesh njoftime përmes mediave të shkruara dhe atyre elektronike.

Sepse nga aspekti i fuqisë punëtore dhe cilësisë së trajnimit kompanitë janë të kënaqura. Faktikisht firmat e përfshira në studim jo vetëm që nuk janë novative, por nuk kanë edhe një tendencë të fuqishme për të punuar në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye mund të thuhet se janë të kënaqura nga fuqia punëtore cilësore.

Sipas rezultateve të Barometrit Ballkanik, vetëm 9% e kompanive në Ballkanin Perëndimor kanë investuar në kërkime dhe zhvillime.  Gjatë periudhës 2015-2017, 59% e kompanive në rajon kanë hedhur në treg produkte të reja ose të zhvilluara në masë të konsiderueshme. Teknologjitë e reja zakonisht sigurohen përmes blerjes së makinerive dhe pajisjeve të reja. Në vend të kërkimeve teknologjike, firmat në rajon preferojnë të investojnë në trajnimet lidhur me punën. Por edhe shpenzimet ndaj punëtorëve ndërlidhen me trendin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit.

Sipas biznesmenëve të vendeve të Ballkanit, pengesa më e madhe për të bërë biznes dhe për ta zhvilluar atë është niveli i taksave, rregullimet ligjore në punësim dhe rregullimet në rrogën bazë.

Në vend të kredive bankare kompanitë vazhdojnë të bëjnë biznes me fitimet e ardhura nga vetë biznesi. Sepse në vitin 2017 vetëm 30% e kompanive të Ballkanit Perëndimor kanë marrë kredi nga bankat.

Për sa i përket tregtisë ndërkombëtare, vetëm 46% e kompanive të vendeve të Ballkanit Perëndimor pavarësisht se kanë deklaruar se kanë dalë me fitim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore CEFTA  2006, shohin ngrohtë përmirësimin e lidhjeve tregtare ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Faktikisht rezultatet e Barometrit të Ballkanit tregojnë se vendet ballkanike janë relativisht të mbyllura në aspektin e eksportimit të mallrave dhe shërbimeve dhe më të hapura ndaj importeve. Në të vërtetë, 87% e mallrave dhe shërbimeve të kompanive të anketuara shiten brenda vendit dhe 6% e tyre shiten në vendet e Bashkimit Evropian (BE) kurse 6% e shitjeve bëhen mes vendeve të përmendura të Ballkanit (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi). 87% e makinerive, materialeve dhe shërbimeve sigurohen nga tregu i brendshëm. Kurse 6% shiten në vendet e Ballkanit dhe 6% të tjera në vendet e përmendura të Ballkanit, subjekt i këtij studimi. Parashikohet se edhe 74% e kostos së prodhimit të makinerive, materialeve dhe shërbimeve sigurohen nga tregu i brendshëm.

Rezultatet e Barometrit Ballkanik tregojnë se në Ballkanin Perëndimor numri i kompanive shumë kombëtare nuk është i madh. Për këtë arsye edhe numri i kompanive që prodhojnë mallra të ndërmjetshme për firma të mëdha mbetet në nivel të ulët.

Një pjesë e madhe e biznesmenëve në Ballkanin Perëndimor janë optimistë lidhur me anëtarësimin në BE. Vetëm 9% e tyre besojnë se anëtarësimi në BE do të ndikojë negativisht në biznesin e tyre. Përgjithësisht bizneset që kanë një qasje më pozitive ndaj anëtarësimit në BE janë kompanitë eksportuese. Nga ana tjetër ndaj mbrojtjes së mjedisit po tregohet kujdes në dukje, kurse në të vërtetë nuk ka dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se kompanitë po ndërmarrin masa kundër ndotjes së mjedisit.

Në përfundim mund të themi se kompanitë në vendet e Ballkanit Perëndimor thonë se qeveritë nuk konsultohen mjaftueshëm me ato gjatë përgatitjes së ligjeve që rregullojnë bërjen biznes në vendin e tyre. Krahas kësaj, ashtu siç shfaqin raporte të ndryshme, kompanitë në Ballkanin Perëndimor janë të detyruara të bëjnë biznes në një mjedis ku ryshfeti është i përhapur.

 

Nga Dr. Erhan Turbedar  



Lajme të ngjashme