Ibrahim Kalin: Operacioni në Afrin, fitore e paqes dhe disfatë e terrorizmit

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se operacioni “Dega e Ullirit”, përmes së cilit Afrini u çlirua nga pushtimi terrorist, paraqet fitore të paqes dhe disfatë të terrorizmit...

Ibrahim Kalin: Operacioni në Afrin, fitore e paqes dhe disfatë e terrorizmit

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se operacioni “Dega e Ullirit”, përmes së cilit Afrini u çlirua nga pushtimi terrorist, paraqet fitore të paqes dhe disfatë të terrorizmit.

Në një artikull për “Daily Sabah”, një e përditshme turke në gjuhën angleze, Ibrahim Kalin është fokusuar në zhvillimet rreth operacionit “Dega e Ullirit” në distriktin veriperëndimor të Sirisë.

Ai ka rikujtuar se me marrjen e Afrinit përmes operacionit që filloi më 20 janar, është kaluar në një fazë kritike.

“Pastrimi i rajonit nga elementet e PKK/PYD-së është një sukses i madh në luftën kundër terrorizmit dhe kjo duhet të mbështetej si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë. Por fitorja e Turqisë dhe disfata e PKK-së ka shqetësuar disa. Kështu, ne pamë qartë problemet në mënyrën e të menduarit të disa qarqeve perëndimore”, ka vlerësuar Kalin.

Duke tërhequr vëmendjen mbi qëndrimin e kthjellët të Turqisë kur bëhet fjalë për organizatën separatiste terroriste, zëdhënësi presidencial ka nënvizuar se këto grupe janë organizata terroriste, njësoj si dhe DAESH-i.

Pasi ka vënë në pah se vendi i tij po lufton në shumë fronte kundër organizatës terroriste marksist-leniniste në fjalë, e cila pretendon se përfaqëson kurdët, Kalin ka theksuar se lufta e Turqisë kundër PKK-së nuk është kurrsesi një luftë kundër kurdëve, ashtu siç lufta kundër DAESH-it nuk është një luftë kundër arabëve apo myslimanëve.

Operacioni në Afrin – ka vijuar ai – është përmbyllur me shpejtësi dhe sukses duke parandaluar humbjet civile dhe shmangur dëmtimin e qyteteve, pa shkaktuar krizë humanitare dhe, mbi të gjitha, duke mundësuar pa humbur kohë fillimin e kthimit të civilëve në shtëpitë e tyre.

Më tej, Ibrahim Kalin ka përgënjeshtruar me një gjuhë të prerë edhe pretendimet në lidhje me ndryshimet e strukturës demografike në Afrin nga ana e vendit të tij.

“Turqia nuk ka qenë kurrë e përfshirë në biznesin e ndryshimeve demografike. Regjistrimi i saj në zonën midis qyteteve Jarablus dhe Al-Bab në Siri është shumë i qartë. Pra, pretendimi se do të ndryshohet struktura demografike e Afrinit është një gënjeshtër me bisht e YPG-së. Në të vërtetë, ishin PYD-ja dhe YPG-ja ato që imponuan ndryshime të strukturës demografike në Tel Abyad, Kobani dhe qytete të tjera arabe në Siri, të cilat ‘Amnesty International’ i ka raportuar si krime lufte të mundshme”, ka sqaruar ai.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë ka potencuar gjithashtu se administrata Obama ka gabuar rëndë duke ofruar ndihmë për fraksionin sirian të PKK-së (PYD-YPG).

“Ata mund të merren sa të duan me manovra të caktuara strategjike, por ky realitet nuk mund të ndryshohet. Mbështetja për organizatën separatiste terroriste PKK nën emrin e luftës kundër DAESH-it është para se gjithash padrejtësi ndaj kurdëve. Ky vendim vuri përballë dy aleatë të NATO-s, SHBA-në dhe Turqinë, mbi çështjen e një teme shumë të rëndësishme rajonale”, ka thënë Kalin.

Pasi ka potencuar se operacioni në Afrin është fitore e paqes dhe disfatë e terrorizmit, zëdhënësi Ibrahim Kalin e ka mbyllur artikullin e tij me këto fjalë: “Kjo është një goditje e madhe për terroristët në zonat veriore të Sirisë dhe duhet të mbështetet nga të gjithë ata që mbajnë një qëndrim të qartë kundër terrorizmit në të gjitha format e tij.”



Lajme të ngjashme