A është i mundur një ‘reset’ në marrëdhëniet Turqi-BE?

Ndreqja e marrëdhënieve të Turqisë me Bashkimin Evropian (BE) varet nga ajo se sa do të jenë në gjendje liderët evropianë ta pranojnë që një marrëdhënie mbi themelin e pabarazisë dhe padrejtësisë tanimë nuk mund vazhdojë.

turkiye ile ab'den bakanlar duzeyinde diyalog toplantisi.jpg
Turkiye ve AB bayraklari.jpg
10-11/Files/UploadedImages/6251571572turkiyeavrupabirlii.jpg

Ibrahim Kalin: A është i mundur një ‘reset’ në marrëdhëniet Turqi-BE?

Flamurët e BE-së dhe Turqisë valëviten në një hotel në StambollTurqia që nga viti 2005 është një vend me statusin e kandidatit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE). Ky proces, i vlerësuar dikur si një kapitull i ri emocionues dhe premtues në marrëdhëniet e Turqisë me pjesën tjetër të Evropës, që nga ajo kohë e deri më sot ka sjellë më shumë zhgënjim, një mungesë gjithnjë e në rritje të besimit dhe gropa në rrugë, aq shumë sa që askush nuk do ti kishte menduar dot këtu e 12 vite më parë.

Problemet dhe krizat në nivel rajonal dhe kombëtar i kanë tensionuar dukshëm marrëdhëniet e Turqisë me disa vende të caktuara evropiane dhe e kanë ndërprerë procesin e pranimit të saj në BE. Është e qartë se marrëdhëniet Turqi-BE sigurisht kanë nevojë për një ‘reset’ (nisje nga e para). Por kjo nuk mund të ndodhë nëse të dyja palët nuk pajtohen që të angazhohen me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtë, me respekt dhe si partnerë të barabartë.

Kritikat e ashpra, që arrijnë deri në provokime, në adresë të Turqisë mund të sjellin përfitime populiste afatshkurtra, por ato nuk garantojnë për asnjë paqe, siguri apo prosperitet. Për të qenë më të qartë, problemet me të cilat përballemi sot i kapërcejnë kufijtë e Turqisë dhe Evropës dhe ndikojnë marrëdhëniet mes shoqërive myslimane dhe perëndimore në një kohë të krizave globale, nativizmit shkatërrues, racizmit të pakontrolluar dhe dëshpërimit në rritje në mbarë botën. Është e pamundur të promovohet paqja në botë dhe të mbështetet një kulturë e respektit reciprok dhe bashkëjetesës në nivel global, nëse botët islame dhe perëndimore nuk do të bashkohen për të kapërcyer dallimet dhe për të punuar për të mirën e përbashkët të njerëzimit.

 

Në disa vende evropiane, armiqësia ndaj Turqisë është bërë pjesë e politikës së brendshme, sepse ajo i shkon për shtat votuesit të krahut të djathtë. Kjo gjendje, e cila një dekadë më parë filloi si një problem i papërfillshëm, sot është bërë pjesë e rrymës kryesore në politike (politikës tradicionale). Ndjekja e një politike toleruese, zbutëse ndaj ekstremit të djathtë mund të jetë me pasoja katastrofike. Është e panevojshme të thuhet se antiErdoganizmi në Evropë nuk ka shkaktuar vetëm tensionimin e marrëdhënieve tona me qeveritë evropiane, por ka lënë në një situatë të pasigurt me miliona shtetas turq që jetojnë brenda kufijve të Bashkimit Evropian.

Turqia e sotme nuk është as ajo e vitit 1963, kur kjo deklaronte interesimin e saj për t’u bërë anëtare e Komunitetit Ekonomik Evropian, siç quhej atëherë Bashkimi Evropian (BE), as ajo e vitit 1999, kur u pranua me statusin e vendit kandidat. Që nga vitet 1960 e këtej popullsia jonë pothuajse është trefishuar, kurse PBB-ja është rritur me më shumë se 80 herë që nga viti 1963.

Sidoqoftë, ajo që disa vëzhgues kanë tendencë të injorojnë është se Evropa e sotme nuk është ajo e viteve 2000. Kontinenti i vjetër sot karakterizohet nga ekstremizmi neonazist, populizmi dhe krimet e urrejtjes kundër emigrantëve, myslimanëve dhe të tjerëve. Situata e përkeqësimit të shpejtë të sigurisë në Evropë, së bashku me përpjekjet e disa qeverive evropiane për t’ia mbyllur në fytyrë Turqisë derën e anëtarësimit në BE, kanë rezultuar në një rënie të vazhdueshme të mbështetjes së popullit turk ndaj procesit të anëtarësimit të vendit në BE.

Turqia ka bërë vazhdimisht thirrje për një qasje të re dhe më konstruktive, ndërkohë që populistët e Evropës merrnin në shënjestër kulturën e saj, liderët e zgjedhur dhe interesat e saj. Kohët e fundit, pas referendumit kushtetues të Turqisë në prill 2017, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) u takua me krerët evropianë, përfshi këtu edhe kancelaren gjermane Angela Merkel, për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet reciproke. Këto takime Erdoani i realizoi përkundër faktit që qeveria gjermane, së bashku me disa vende të tjera evropiane, u përfshinë në punët e brendshme të Turqisë duke u dhënë mbështetje kundërshtarëve të reformës kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e organizatave të njohura si PKK dhe FETO, dhe duke parandaluar zërat e pro-reformistëve, që vinin nga qytetarët turq që jetojnë brenda kufijve të tyre.

Në një takim me zyrtarët e BE në Bruksel pas këtij referendumi, Presidenti Erdoan rikonfirmoi edhe një herë angazhimin e tij për ringjalljen e marrëdhënieve Turqi-BE. Rritja mbytëse e populizmit të ekstremit të djathtë në Evropë ka penguar bërjen e një përparimi në këtë drejtim.

Zgjedhjet e muajit të kaluar në Gjermani e rrënjosën këtë urrejtje që përhapet gjithnjë e më shumë kundër Turqisë dhe Presidentit Erdoan, por kjo nuk do të arrijë të ndalojë ngritjen e populizmit të djathtë në Evropë. Megjithëse udhëheqësit e partive politike më të njohura të Gjermanisë bënë gjatë fushatës zgjedhore deklarata të ashpra në adresë të vendit tonë (Turqisë), rezultatet e tregojnë shumë hapur të vërtetën, numrat është e pamundur të injorohen: Më shumë se 1 milion votues, që në zgjedhjet e 2003-it kishin mbështetur koalicionin e kancelares Merkel CDU/CSU, në këto zgjedhje u bashkuan me partinë raciste, Alternativën për Gjermaninë (AfD).

Sidomos në ish-Gjermaninë Lindore, lëvizjet radikale në të djathtë dhe në të majtë kanë arritur suksese të konsiderueshme në kurriz të partive kryesore. Fakti që lëvizjet radikale dolën më të suksesshme në një kohë kur ekonomia gjermane po shfaq një performancë relativisht të mirë, ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e supozimeve tradicionale mbi lidhjen që ekziston midis varfërisë dhe radikalizmit. Politika e tolerancës dhe zbutjes nuk ka funksionuar një shekull më parë, kështu që nuk kemi arsye të besojmë se do të funksionojë tani.

Ne e konsiderojmë anëtarësimin në BE një qëllim strategjik për arsye politike, ekonomike dhe sigurie. Turqia luan një rol të rëndësishëm për sigurinë e Evropës në një botë që po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Por ne nuk jemi gati të pranojmë standarde të dyfishta, kërcënime dhe armiqësi të hapur.

Marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian (BE) mund të riparohen me kusht që udhëheqësit evropianë të pranojnë se një marrëdhënie e pabarabartë dhe e padrejtë nuk është më e qëndrueshme. Ata duhet të jenë të përgatitur të respektojnë zgjedhjet demokratike të popullit turk; të tregojnë respektin e duhur ndaj liderëve të zgjedhur të Turqisë dhe ta trajtojnë Turqinë si një partnere të barabartë.

Kjo vlen edhe për marrëveshjen e emigrantëve Turqi-BE dhe liberalizimin e vizave Shengen, e drejtë që duhej t'u ishte dhënë shumë vite më parë qytetarëve turq. Është e padrejtë që dështimi i Evropës në drejtim të përmbushjes së angazhimeve të saj të trajtohet si një çështje teknike dhe e vogël dhe pastaj të akuzohet Turqia si plan-prishëse.

 

Një marrëdhënie e mbështetur në besimin dhe respektin reciprok e në solidaritet do ti shërbente edhe interesave të Turqisë, edhe interesave të Evropës. Por kjo nuk mund të jetë një marrëdhënie njëdrejtimëshe dhe barra e vërtetimit të kësaj nuk mund të lihet vetëm mbi shpatullat e Turqisë. Nëse Evropa, për këtë apo atë arsye, i kthen shpinën Turqisë apo një vendi tjetër atëherë është më se e natyrshme që këto vende të eksplorojnë dhe vlerësojnë mundësi të tjera. Për më tepër, nuk ka kuptim të vihet në dyshim aspirata e Turqisë për të zgjeruar perspektivën e politikës së saj të jashtme përtej horizontit të Perëndimit në një botë, ku politika globale formësohet nga qendra të shumta.

Në vend të kësaj, evropianët duhet të bëjnë një përpjekje më të bashkërenduar për të kapërcyer trashëgiminë e eurocentrizmit, e cila nëse merret në konsideratë realiteti i shekullit 21-të, e dëmton Evropën më shumë se të tjerët; dhe një përpjekje që i kushton vëmendje shqetësimeve dhe interesave legjitime të Turqisë për sigurinë. Krijimi i një klime të re, ku mund të rivendosen në pikën zero (reset) marrëdhëniet Turqi-BE, është i mundur vetëm nëse vlerat si: drejtësi, barazi, besim dhe respekt vendosen në vend të standardeve të dyfishta dhe manovrave politike.

Autor: Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

 

 


Lajme të ngjashme