Franca përshëndet fitoren e hidhur të Merkelit

Zëdhënësi i qeverisë franceze, Christophe Castaner u shpreh të hënën për një “fitore të hidhur” për Angela Merkel për shkak të rritjes së shpejtë të ekstremit të djathtë.

merkel rajoy macron
Almanya_Merkel secim
angela merkel, martin.jpg
g20 merkel

Zëdhënësi i qeverisë franceze, Christophe Castaner u shpreh të hënën për një “fitore të hidhur” për Angela Merkel në zgjedhjet parlamentare, ku u evidentua një avancim i shpejtë i ekstremit të djathtë, shumë i dhunshëm, shumë i ashpër, shumë radikal, aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë.

“Fillimisht duhet përshëndetur fitorja e Angela Merkel. Është e katërta dhe në Francë kur konstatohet që një drejtues qeverie të fitojë katër herë radhazi mbetet një fakt mjaft për t’u admiruar”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë franceze për mediat RMC dhe BFMTV.

“Më pas, po, po konstatohet që kjo fitore është e hidhur. Të lë një shije të hidhur, pasi po konstaton rritjen e një ekstremi të djathtë mjaft të dhunshëm, mjaft të ashpër, mjaft radikal aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë. Është një fakt që lë gjurmë”, shtoi Castaner.

Partia e së djathtës nacionaliste, AfD, regjistroi të dielën një fitore historike për një lëvizje të këtij formati në zgjedhjet gjermane, duke thyer një tabu në këtë shtet i gjendur përballë një sfide të re, sipas deklaratave të Angela Merkel.

Macron nuk e përmendi fitoren e AfD në mesazhin e publikuar të dielën në mbrëmje në Twitter.

Në pushtet prej 12 vitesh me tre mandate, Angela Merkel u shpall fituese në krye të konservatorëve gjermanë në legjislativet e së dielës, por e dobësuar nga suksesi historik i së djathtës nacionaliste dhe nga vështirësitë për të gjetur partnerë për të qeverisur, pas refuzimit të socialdemokratëve për një koalicion të ri.

Liberalët gjermanë, me shumë gjasa partnerë të Merkel në qeverinë e ardhshme, paralajmëruan që të dielën se do të kundërshtonin projektbuxhetin e zonës euro të Emmanuel Macron.

“Është thelbësore në marrëdhëniet franko-gjermane që të ketë një motor që mundëson të ndryshojë gjërat në planin evropian dhe, Emmanuel Macron që ka punuar me të, do të prezantojë nesër një udhërrëfyes për të transformuar në thellësi Evropën”, vijoi Castaner, duke mbajtur një fjalim të ri në lidhje me Evropën që presidenti francez duhet të mbajë të martën në Universitetin e Sorbonës, në Paris.

“Ideja është e thjeshtë, duke marrë në konsideratë se nëse vërtetë duam të luftojmë kundër nacionalizmit, populizmit në secilin nga vendet tona, duhet të kemi një Evropë të fuqishme, të fortë, që mbron, që çliron. Ky shembull nuk është rasti aktual, pra duhet të rithemelojmë Evropën”, u shpreh Castaner.

Presidenti francez nuk ka kursyer përpjekjet që prej emërimit të tij në maj për të rivendosur një lidhje të fortë mes Parisit dhe Berlinit, me ambicien e një plani në perspektivë për të rindërtuar Evropën pas ”tërmetit” të shkaktuar nga Brexit.

 


Lajme të ngjashme