Erdogan: Parlamenti do të miratojë operacionet ushtarake ndërkufitare

Në një reportazh për “Reuters” Presidenti Erdoan tha se Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë (TBMM) do ta miratojë rezolutën për dërgimin e ushtarëve jashtë vendit (në Irak dhe Siri).

Erdogan: Parlamenti do të miratojë operacionet ushtarake ndërkufitare

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në një reportazh për agjencinë Reuters të lajmeve tha se Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë (TBMM) do ta miratojë rezolutën për dërgimin e ushtarëve jashtë vendit (në Irak dhe Siri).

 

I ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për punimet e sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) iu përgjigj pyetjeve të Reuters-it.

I pyetur për reagimet e Turqisë ndaj referendumit për pavarësi që ka në plan të mbajë administrata rajonale kurde e Irakut (KRG) më 25 shtator Presidenti tha se të shtunën parlamenti (TBMM) do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme dhe do të miratojë rezolutën për dërgimin trupave ushtarake jashtë vendit.

 

Erdoan sqaroi se vendimi lidhur me sanksionet e Ankarasë ndaj administratës rajonale kurde të Irakut do të merret në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Kabinetit të Qeverisë (që do të mbahen sot).

Në përgjigje të një pyetjeje tjetër Erdoan tha se i vinte keq që një vend demokratik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) të strehojë terroristët.

Erdoan nënvizoi edhe një herë se kreu i organizatës terroriste dhe strukturës paralele në shtet (FETO/PDY), autori i tentativës së grushtit të shtetit në 15 korrik 2016 dhe që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duhet ti ekstradohet Turqisë.

“Në kohën e Zotit Obama ne u kemi dhënë këtyre (amerikanëve) 85 kuti me dokumente (prova) dhe ndërkohë që është hedhur një hap i tillë, PKK-ja vazhdon të strukturohet në të njëjtën mënyrë edhe këtu. PKK-ja ka një rrjet organizativ shumë serioz edhe këtu (në Amerikë). Të gjitha këto ua kemi përcjellë autoriteteve amerikane. Natyrisht që nuk na vjen mirë ku shikojmë që terroristët strehohen në një vend si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), që pretendon se është djepi i demokracisë. Ne këto i përcjellim me anë të dosjeve. Këtu bëhet fjalë për 85 libra, por për 85 kuti të mbushura plot me dosje, me dokumente e prova. Pra po flas për gjëra të tilla. Kur bëhet fjalë për ndonjë terrorist, apo ndonjë shtetas (amerikan) që ndodhet tek ne, atëherë nga ne kërkojmë që ta ekstradojmë menjëherë. Patjetër që kjo nuk është një qasje e drejtë. Uroj që partnerja jonë strategjike, ShBA-ja ta zgjidhë me shpejtësi këtë gabim dhe të reagojë; ajo (ShBA-ja) duhet të na ndihmojë në hedhjen e hapave që ne duhet të hedhim ndaj këtyre të poshtërve që morën pjesë në tentativën për grusht shteti në vendin tonë, që shkaktuan vdekjen e 250 qytetarëve në vendin tim vetëm gjatë dy ditëve, 15-16 korrik; që bombarduan Parlamentin tonë, Kompleksin Presidencial, Qendrën Operacionale të Policisë, dhe bashkë me të gjitha këto bombarduan edhe Urën e Bosforit në Stamboll, që tani mban emrin “Ura e Dëshmorëve”,- tha Presidenti Erdoan.

Në lidhje me politikën amerikane ndaj Sirisë, Erdoani tha se kjo politikë ka gabime, duke dhënë si shembull bashkëpunimin që bën Amerika në luftën e saj kundër organizatës terroriste DAESH duke bashkëpunuar me një organizatë tjetër terroriste, PYD, që është zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.

"Siç e dini ShBA-ja po lufton në Siri kundër DAESH-it duke bashkëpunuar me PYD-në e YPG-në. Unë ua bëra atyre (amerikanëve) këtë propozim: ‘Këtë punë bëjeni me ne. Ne t’ju japim juve 2 brigada me trupa, t’ju japim edhe Ushtrinë e Lirë Sirianë dhe operacionin tokësor bëjeni bashkë me Turqinë. Ju na mbështesni vetëm në operacionin ajror’. Siç e dimë të gjithë, në Cerablus, Rai, Dabik dhe al-Bab ne kemi neutralizuar më shumë se 3 mijë pjesëtarë të DAESH-it në një hapësirë me sipërfaqe 2 mijë kilometra katrorë dhe këtë operacion ne e kemi bërë pa marrë mbështetje nga askush. Edhe tani ne mund ta bëjmë bashkë shumë lehtë përpjekjen kundër DAESH-it në Raka, që nesër emri juaj të mos përmendet e shoqërohet me emrin e organizatës terroriste. Unë nuk besoj absolutisht që të jetë e drejtë përdorimi i një organizate tjetër terroriste për të shkatërruar një organizatë terroriste dhe për mua ata që kanë menduar kështu, kanë ndjekur politikën e zhgënjimit”, tha Erdoan për “Reuters”.

I pyetur se si i vlerëson marrëdhëniet Turqi-Gjermani Presidenti Erdoan tha se shpreson që marrëdhëniet janë në një pikë “që mund të rregullohen”.

 

"Sepse ne nuk kemi ndonjë problem me popullin gjerman. Problemi qëndron tek sjelljet dhe qëndrimet e gabuara që po mbajnë kundër shtetit të Republikës së Turqisë disa politikanë në administratën gjermane, pra po e qartësoj ka disa përjashtime, dhe në mesin e këtyre politikanëve ka edhe nga ata që ne i kemi njohur për miq dikur. Ka edhe nga ata me të cilët kemi marrëdhënie shumë të mira. Të gjithë këta na sulmuan për motive politike duke menduar se ‘nëse qëndrojmë kundër Turqisë do të marrim më shumë vota’, gjë kjo që na habiti”, i tha Erdoan agjencisë Reuters.

Në përgjigje të pyetjes për blerjen e raketave ruse S-400 Erdoan tha se kontrata tashmë është lidhur dhe është caktuar madje edhe harta rrugore e zbatimit të saj.

Raketat S-400 do ti marrim sipas kësaj harte rrugore (plan veprimi),- u shpreh Erdoan, dhe e vijoi reportazhin për Reuters me këto fjalë: "Ne jemi të vendosur ti blejmë këto raketa nga Rusia për sa kohë që nuk do të ketë një qasje negative nga ana ruse, por më duhet të them edhe këtë që, për shembull, në Greqi ka raketa të llojit S-300. Dhe deri tani nuk është ngritur askush dhe të thotë diçka në lidhje me këto raketa (S-300), as nga NATO-ja, e as nga vendet e tjera anëtare të NATO-s”. 

I pyetur për lirinë e shtypit dhe arrestimin e gazetarëve Presidenti Erdoan, tha se “në Turqi nuk ka asnjë vështirësi për sa i përket lirisë së shtypit".

"Po a mund të ketë liri shtypi pa kufi? A mund të themi që ‘gazetarët gëzojnë një liri të pakufizuar, pa limit?’ Nëse një gazetar mban armë pa leje dhe kapet me një armë të tillë, nuk do të ndiqet procedura përkatëse për këtë gazetar? Ose nëse kryen vepra penale si vjedhje p.sh., nuk do të veprohet në lidhje me këtë gazetar? Nëse ai ka marrë pjesë, është implikuar në akte terroriste, nuk do të ndiqet ai penalisht? Nuk do të zbatohet ligji ndaj tij, nëse ka bashkëpunuar me terroristët? Nuk do të veprohet sipas ligjit, nëse ky gazetar ka mbështetur terrorin, ka kryer veprimtari agjenturore? Për momentin nuk është politika ajo që i merr vendimet në lidhje me këto çështje. Vendimet i marrin mekanizmat ligjore të Republikës së Turqisë, pasi Turqia është një shtet ligjor dhe në qoftë se ligji shkelet brenda këtij shteti të së drejtës atëherë institucionet përkatëse do të veprojnë ndaj cilitdo”, përfundoi Erdoan.



Lajme të ngjashme