Koment – Tregtia e jashtme e vendeve të Ballkanit dhe Turqia

Shkëmbimet tregtare të vendeve të Ballkanit dhe vendi që zë Turqia në tregtinë e jashtme të këtyre vendeve

Koment – Tregtia e jashtme e vendeve të Ballkanit dhe Turqia

Agjenda Ballkanike - Tregtia e jashtme e vendeve të Ballkanit dhe Turqia

Në vitin 1990, Bashkimi Sovjetik ishte një partner i rëndësishëm në tregtinë e jashtme të vendeve të Ballkanit. Kurse sot partneri më i rëndësishëm tregtar i jashtëm i të gjitha vendeve të Ballkanit është Bashkimi Evropian (BE). Po të shikojmë shifrat e vitit 2016, del se vendet e rajonit mesatarisht 65% të tregtisë së mallrave e zhvillojnë me vendet e BE-së. Pjesa e tregtisë së mallrave me vendet e BE-së në Maqedoni dhe Rumani i tejkalon 70%, kurse në Serbi, Shqipëri, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Bullgari niveli ndryshon ndërmjet 64% dhe 68%. Tregtia e vendeve të Ballkanit me BE-në po rritet më shpejt se tregtia brenda rajonit.

Liberalizimi i tregtisë së jashtme në Greqi, Bullgari, Rumani dhe Kroaci ka përparuar me procesin e pranimit të këtyre vendeve në BE. Ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, tregtia e jashtme e ka rritur peshën e saj në periudhën pas vitit 2008 me ndikimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE dhe të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), e cila u nënshkrua në Bukuresht më 19 dhjetor 2006. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor u bënë më të hapura për shkak të tregtisë së jashtme, ndërsa kërkesa e jashtme solli edhe rritje të vëllimit të eksportit. Nga ana tjetër, rritja e importit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Maqedonisë, në periudhën 2008-2016 ndaloi ose mbeti në një nivel të moderuar.

 

Për shembull, në vitet 2008-2016 Kosova arriti që ti shtojë eksportet e saj me 84%, Serbia me 63%, Maqedonia me 53% dhe Bosnjë-Hercegovina me 44%. Duke parë vëllimet e importit, kuptohet që për të njëjtën periudhë ka patur një rritje prej 36% në Kosovë dhe 27% në Maqedoni, ndërsa në vendet e tjera rritja e importeve ka qenë në nivel të papërfillshëm, ose ka pasuar rënie.

Përkundër këtyre përmirësimeve në eksport, problemi i deficitit të tregtisë së jashtme dhe llogarisë rrjedhëse (korrente, aktuale) është një ndër problemet makroekonomike që vazhdon të jetë prezent në vendet e Ballkanit. Si arsye kryesore për këto deficite të jashtme mund të shihen mallrat që prodhohen në rajon me teknologji të vjetërsuar dhe që nuk mund të konkurrojnë dot shumë në tregjet ndërkombëtare. Meqenëse pjesa e sektorit publik ishte shumë e madhe deri para disa vitesh, mjedisi i konkurrencës nuk u zhvillua, gjë kjo që solli rritje të vëllimit të importeve.

E parë në aspektin e raportit të deficitit të llogarisë rrjedhëse ndaj PBB-së si prag kritik pranohet niveli -5%. Në periudhën 2000-2016, raporti i deficitit të llogarisë korrente ndaj PBB-së në vendet e OECD-së mesatarisht ka qenë midis -1,7% dhe 0,3%. Raporti i deficitit të llogarisë korrente ndaj PBB-së në vendet e Ballkanit Perëndimor si: Mali i Zi, Shqipëri dhe Kosovë ka vazhduar të jetë një problem serioz, duke regjistruar në vitin 2016 një vlerë që ndryshon nga 9,2% deri në 19%. Në vendet e tjera të Ballkanit, bilanci i llogarisë rrjedhëse në periudhën ndërmjet viteve 2009 dhe 2016 ka hyrë në një tendencë të rënies graduale. Megjithatë, kjo rënie ka qenë kryesisht për arsye të tkurrjes së importit të kërkesës së brendshme, e cila ra për shkak të krizës ekonomike, veçanërisht në Greqi. Problemi i deficitit në llogaritë rrjedhëse nuk do të jetë i qëndrueshëm pa përmirësuar fuqinë e tyre konkurruese dhe rrjedhimisht pa rritur kërkesën e huaj për produktet rajonale.

Po të shikojmë shkëmbimin e mallrave që bëjnë mes tyre 10 vendet e Ballkanit, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Greqia, përballemi me një tablo interesante. Duke u nisur nga shifrat e vitit 20016 vendet e rajonit që janë më të varura nga tregtia brenda rajonit në aspektin e eksportit janë Kosova me 52%, Mali i Zi me 45% dhe Serbia me 34%, kurse në aspektin e importit janë Mali i Zi me 46%, Kosova me 37% dhe Maqedonia me 27%. Pjesa që zë Rumania me Greqinë në tregtinë e Ballkanit është më e pakta, madje konsiderohet simbolike, sa që shprehet me numra njëshifrorë.

Lidhur me tregtinë e jashtme të Turqisë me vendet e Ballkanit, duket qartë që Rumania, Bullgaria dhe Greqia janë partnerët më të rëndësishëm tregtar të Turqisë në rajon. Pjesa e Rumanisë në eksportet totale turke në vendet e Ballkanit në vitin 2016 ishte 35%, e Bullgarisë 34% dhe e Greqisë 17%. Siç mund të shihet nga shuma e vlerave të këtyre tre vendeve, vëllimi i tregtisë së jashtme të Turqisë me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet në nivele shumë të ulëta. Megjithatë, në krahasim me vitin 2010, duket se pjesa e Rumanisë dhe Greqisë në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Turqisë në vitin 2016 me vendet e Ballkanit ka pësuar rënie, ndërsa pjesa e Bullgarisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës është rritur ndjeshëm.

 

Edhe pse tregtia e jashtme e Turqisë me vendet e Ballkanit në vitin 2016 është rritur rreth 15 herë krahasuar me vitin 1989, pjesa që zë ky rajon në tregtinë e jashtme turke në përgjithësi mbetet e ulët. Në fakt, pjesa që zënë 10 vendet e Ballkanit në eksportin e përgjithshëm të Turqisë në vitin 2016 ishte 6,1%, kurse brenda importeve totale ishte vetëm 3,2%.

Ndërsa po të analizojmë sipas vendeve shpërndarjen e vëllimit të tregtisë së jashtme të vendeve të Ballkanit, pozicioni i Turqisë si partner i tregtisë së jashtme duket më i rëndësishëm. Për shembull, pjesa e Turqisë në eksportet totale të Bullgarisë dhe Greqisë në vitin 2016 ishte përkatësisht 8% dhe 5,4%. Në të njëjtin vit, pjesa e Turqisë në totalin e importeve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte respektivisht 10,3% dhe 7,9%.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme