Koment - Të jesh në botë, por jo i asaj!

Kjo është sfida intelektuale dhe morale që qëndron sot para nesh, të jetosh në botë në një mënyrë që i kryen të gjitha detyrimet e saj, por pa e mohuar ekzistencën e saj ose e dorëzuar veten në të.

Koment - Të jesh në botë, por jo i asaj!

Një nga kritikat që i drejtohet Islamit në qarqet fetare perëndimore dhe orientaliste është pretendimi se Islami është një fe shumë më tokësore (materialiste) në krahasim me krishterimin. Polemistët e krishterë e shohin Profetin Muhamed, për dallim nga Jezu Krishti, si shumë të përfshirë në çështjet sociale dhe politike të botës. Për më tepër ata bëjnë edhe akuzën se Islami nuk është një fe, por një ideologji. Këto pohime bazohen në nocione të gabuara dhe krahasime të rreme. Islami ndaj botës (materiale) mban një qëndrim të mos-lidhjes edhe aq shumë pa e mohuar ekzistencën e saj. Ekuilibri delikat që duhet arritur është të jetosh në këtë botë në një mënyrë kuptimplote pa iu nënshtruar asaj.

Duhet mençuri, urtësi dhe art për t'i trajtuar gjërat me seriozitetin e thellë dhe vlerën që ato meritojnë, duke i parë ato përfundimisht si të vogla dhe të parëndësishme në lidhje me planin e krijimit të Perëndisë dhe vendin tonë në të. Bota është një vello dhe lodër; Asnjë qenie njerëzore nuk duhet ta humbasë vetveten në të. Inteligjenca dhe dinjiteti njerëzore qëndrojnë mbi momentet e përkohshme të botës. Por, si vepra e artit të Perëndisë, bota gjithashtu na shpalos para syve madhështinë, dizajnin dhe mëshirën e Tij. Ajo shërben si një shenjë, duke treguar diçka më të madhe dhe më të rëndësishme sesa shuma totale e cilësive fizike/materiale të saj. Bota mund të jetë një burim dhimbjeje, vuajtjeje dhe dhune, por nga ana tjetër ajo është edhe burimi i mençurisë, dashurisë, miqësisë dhe dhembshurisë. Kjo na çon në pyetjen kritike që ne duhet t'i bëjmë vetes gjatë gjithë kohës: Si duhet të bëjmë jetën tonë në këtë në mënyrë serioze dhe kuptimplote pa iu dorëzuar asaj?

Kjo nuk është thjesht një çështje konceptuale. Ajo formëson edhe mënyrën se si hyjmë në ndërveprim me botën që na rrethon. Ajo përcakton mënyrat me të cilat ne e ndërtojmë ose e shkatërrojmë botën. Është një pyetje që qëndron në zemër të gjithë qytetërimit - një çështje që bota moderne nuk di si ti përgjigjet.

Mendimtarët dhe shkencëtarët klasikë myslimanë e kanë trajtuar seriozisht realitetin fizik të botës, por kurrë nuk e kanë konsideruar atë si një kuptim vetë-përmbushës në vetvete. Ata prodhuan një studim të avancuar dhe shkencërisht të shëndoshë të botës natyrore, duke siguruar një analizë të hollësishme të vetive fizike të universit. Megjithatë, kjo "botë" që ata studiuan kaq shumë nuk ishte një realitet vetë-shpjegues dhe vetë-justifikues. Ata studiojnë botën fizike brenda kontekstit më të gjerë të asaj që Kurani e quajti “hayat al-dunya” (jeta e kësaj bote ose jeta tokësore). Ky term kritik mund të jetë më i përshtatshëm si "jeta e botës".

Ajo çfarë nënkuptohet me "jetën e botës" nuk është gjë tjetër veçse një kontekst marrëdhëniesh, një fushë ekzistence, ku parimet e ngarkuara me vlerë të së mirës dhe të së keqes marrin përparësi mbi parimet fizike dhe matematikore të substancave materiale. Bota nuk është thjesht një "gjë" ose "vend", në të cilin njerëzit vijnë për të banuar. Është kryesisht një hapësirë morale, një kontekst besimesh dhe qëndrimesh që formësojnë gjendjen njerëzore. Qëndrimet tona ndaj botës janë të informuara nga rëndësia që i kushtojmë kësaj hapësire dhe kontekstit të qëllimeve për të cilat jetojmë.

Kështu, ne duhet ta trajtojmë "jetën e kësaj bote" si një sfidë morale dhe shpirtërore pa hedhur poshtë ekzistencën materiale të botës. Pritet që njeriu ti pritet ti japë kësaj bote atë çfarë pritet prej tij në një mënyrë të duhur dhe të gëzueshme, por të rikujtojë gjithmonë edhe fjalët që ka thënë Profeti Muhamed: “Jini një i huaj (gharib) në këtë botë dhe mos iu bashkëngjitni kurrë asaj. Ecni në këtë rrugë dhe shijoni bukurinë e saj, por dijeni se fundi final nuk është këtu”.

Ky qëndrim i dyfishtë i mos-bashkënjitjes botës dhe dhënies asaj atë që meriton (në aspektin e kryerjes së obligimeve) është më fakt një zgjatje e asaj që rekomandon me insistim Islami për të ndjekur rrugën e mesme në të gjitha gjërat dhe për t’iu shmangur të gjitha ekstremizmave. Ja pra mbi këtë sfond Islami ka ndërtuar një nga qytetërimet më të qëndrueshme në historinë njerëzore. Shkencëtarët, studiuesit, artistët, sundimtarët, fshatarët dhe myslimanët e tjerë kanë kërkuar rrugët për ta kultivuar botën në harmoni me rendin dhe bukurinë e universit. Arritjet e tyre të mëdha materiale dhe shkencore nuk i orientuan kurrë ata drejt materializmit dhe adhurim të botës. Por ata kurrë nuk e refuzuan realitetin e tyre me murgëri. Ata e trajtuan botën si të përkohshme dhe relative, por gjithashtu janë munduar e punuar për ta bërë atë më të bukur dhe të drejtë. Sipas Kuranit, i gjithë universin na është dhënë me mirëbesim, si një "amanet" dhe ai që e meriton këtë amanet duhet të jetë i besueshëm. Kjo është e vetmja mënyrë që bota të bëhet një vend i sigurt dhe i besueshëm për të gjithë njerëzit.

Sfida intelektuale dhe morale para nesh është kjo: të jemi në botë, por jo i saj. Është të jetosh në botë në një mënyrë që i kryen të gjitha detyrimet e saj, por pa e mohuar ekzistencën e saj ose e dorëzuar veten në të. Është të gëzojmë plotësisht jetën, duke mos lënë të na humbasë kurrë nga syri qëllimi ynë final në këtë botë.

Pra, akuza se Islami është një fe e kësaj bote (tokësore, materiale) është krejtësisht e gabuar. Islami i jep botës detyrimin e vet brenda kontekstit më të gjerë të gjërave pa harruar qëllimin përfundimtar të ekzistencës tonë në tokë. Islami nuk është një fe që mohon botën. Sekreti qëndron këtu: të kuptojmë dhe zbatojmë me kuptimin e plotë drejtësinë, e cila është “vendosja e çdo gjëje në vendin që i takon”. Kur jemi të drejtë ndaj botës dhe vetes, gjithçka merr atë që i takon.

Si rrjedhim ne duhet të jetojmë në botë për të kapërcyer cilësitë më të ulëta dhe para së gjithash për të arritur një gjendje përsosmërie morale dhe shpirtërore që do ti shërbejë qëllimit për të cilin bota është krijuar dhe na është besuar. Arritja e së vërtetës, virtytit, dashurisë dhe lumturisë në një mënyrë të mirëfilltë dhe të qëndrueshme është e mundur vetëm kur ne zhvillojmë një qëndrim jo-lidhës ndaj botës dhe duke e ditur mirë përse jemi këtu.

Autor:Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

 

 


Lajme të ngjashme