Koment – Vallë mos po i vjen fundi qytetërimit tonë?

Paraardhësit tanë mijëra vite më parë i kanë sakrifikuar qytetërimet e tyre për të kënaqur egon dhe pangopësinë e tyre, në vend që t'i përdorin për të ndërtuar një botë më bashkëpunuese e pjesëmarrëse. Por kujdes! Gjenet e tyre janë identike me tonat...

Koment – Vallë mos po i vjen fundi qytetërimit tonë?

Koment – Vallë mos po i vjen fundi qytetërimit tonë?

Njeriu modern vazhdon të çuditet gjithnjë e më shumë nga zbulimet e reja, të cilat tregojnë se sa e madhe është distanca e përshkuar nga aztekët, inkasit, majat dhe qytetërimet e tjera të lashta në shkencë dhe teknologji. Sa më shumë që konkretizohen gërmimet arkeologjike dhe studimet mbi gjetjet e këtyre gërmimeve, aq më shumë mbetemi gojëhapur ne, si trashëgimtarë të qytetërimit të sotëm.

Arritjet e tyre në fusha të rëndësishme të jetës si inxhinieria, astronomia dhe mjekësia janë të pabesueshme. Ne s’kemi mundur t’i kapim dot as sot ato maja, të cilat ata i kanë prekur që në lashtësi. Shkencëtarët e sotëm habiten sidomos nga suksesi i tyre në matematikë, gjeometri dhe astronomi.

Hulumtimet në lidhje me hapësirën apo vendndodhjet dhe distancat e galaktikave dhe planetëve janë të mundshme vetëm me mjetet teknologjike të sotme. Pavarësisht se kanë kaluar mijërave vite, ende nuk është përcaktuar se si ata kanë shkuar përtej caqeve të sotme të shkencës.

Kurse një tjetër studim i rëndësishëm i shkencëtarëve modernë ka të bëjë me shkaqet dhe mënyrën e zhdukjes së atyre qytetërimeve madhështore. Megjithatë akoma s'ka një të dhënë konkrete rreth sesisë së zhdukjes së këtyre qytetërimeve dhe teknologjive, të cilat njerëzimi i admiron madje edhe sot.

Sipas njërës prej tezave, këto qytetërime janë zhdukur si pasojë e sëmundjeve epidemike, të cilat kanë shkaktuar vdekje masive. Një tjetër tezë, e cila bazohet në të dhënat që shkencëtarët disponojnë, pretendon se qytetërimet antike të sipërcituara janë zhdukur për shkak të luftërave shkatërruese.

Për mendimin tim, teza e dytë është më racionale dhe e arsyeshme. Madje në lidhje me këtë pretendim ka gjithashtu disa prova, edhe pse jo të pakundërshtueshme. Në të vërtetë, po t'i hedhim një sy historisë së njerëzimit gjatë 200 viteve të fundit, do të shohim dhe arrijmë në përfundimin se kjo tezë është më e fuqishme dhe ka më shumë gjasa të jetë e drejtë.

Akumulimi dhe përhapja e kapitalit, masakrimi i miliona njerëzve në Luftën I dhe Luftën II Botërore, mund të na ndriçojnë neve për këtë çështje. Por, mjerisht, sot shikojmë me keqardhje se njerëzit s'kanë nxjerrë asnjë mësim nga dramat dhe vdekjet shfarosëse, që të parët e tyre kanë përjetuar në të kaluarën.

Mjafton të shikojmë përreth vetes sonë dhe do të vërejmë menjëherë se tregtarët e armëve enden e vijnë vërdallë anembanë botës. Tashmë duket se të gjithë janë mësuar të hasin pamjen e tregtarit më të papritur të armëve në vendin më të paparashikueshëm.

Shtetet, të cilat deri para 1 ore punonin “për njerëzimin” me qëllime fisnike si zgjatja e dorës së ndihmës për nevojtarët në zonat e fatkeqësive dhe luftërave, bëhen papritmas mbështetës të terrorizmit. Një organizatë bamirëse humanitare, e cila ndihmon të gjithë të prekurit nga katastrofat në çdo skaj të planetit tonë pa bërë dallime fetare, racore apo qeverisëse, demonizohet në mënyrë të befasishme.

Për shembull; një kriminel shpallet menjëherë terrorist kur vret njerëz të një kulture dominuese, por kur një individ i së njëjtës kulture dominuese masakron – pa dallim në gra, fëmijë e të moshuar – besimtarët që dalin nga xhamitë pasi kryejnë ritet fetare, ai përshkruhet me atë stilin tanimë të njohur si “ujk i vetmuar”.

Po ashtu, sot, të njëjtat fuqi dominuese i akuzojnë shtetet papritmas për financim të terrorizmit dhe pastaj i nxjerrin ato nga lista e zezë pasi u shesin armë me vlerë miliarda dollarë.

Aktet terroriste fillojnë dhe shtohen si me shkop magjik në zonat më të qeta të botës, por njëherësh edhe po kaq të efektshme në tregtinë globale. Ose, kur nuk u gjunjëzoheni imponimeve të vendit dominues, në qytetet dhe ishujt tuaj befasisht mbijnë batalione të tëra me terroristë. Shembulli më konkret për këtë janë Filipinet.

Armët grumbullohen dhe bëhen stok në çdo skaj të botës, nga Jugu deri në Veri. Të gjitha shtetet dominuese janë tashmë prej kohësh në garë për t’u pajisur me armët më të sofistikuara dhe më vdekjeprurëse. Ato janë duke e shndërruar globin në një top të zjarrtë duke u besuar teknologjive dhe kapitalit që zotërojnë.

Ndërsa ne e shikojmë këtë çmenduri sikur të ishte një pjesë teatrale apo një lojë kompjuterike, pa mundur të bëjmë diçka!

Jemi duke vrapuar me dijeni dhe vetëdije të plotë drejt shtrëngatës, fatkeqësisë së madhe, kiametit...

Kur shkencëtarët shpikën trurin/inteligjencën artificial/e, njerëzit ngritën këtë pyetje: “Vallë a ka mundësi që robotët të marrin kontrollin dhe të sjellin fundin e njerëzimit?”

Situata në fjalë s’ka thuajse asnjë gjasë; lehtësisht mund të themi se shansi i saj është i barabartë me zero. Sepse, me teknologjinë e sotme dhe të shekujve në vijim, duket gati e pamundur që trurit artificial t’i jepen apo instalohen “instinkti” dhe “ambicia”. Por ata njerëz, që u errësohet dhe eklipsohet arsyeja, gjykimi e largpamësia duke vepruar instinktivisht me ambiciet e pushtetit, kamjes dhe forcës dominuese, mund të sjellin fundin e qytetërimit tonë. Pra, siç duket, fundin tonë do ta përgatisin vetë ambiciet tona të shfrenuara.

Po, ne sot u jemi afruar kulmeve të qytetërimeve antike të inkasve dhe majave. Kemi shembur barrierat mendore dhe imagjinare në gjenetikë e biologji. Mirëpo, në vend që ta përdorim për të ndërtuar një botë më bashkëpunuese e pjesëmarrëse, këtë sukses jemi duke e shfrytëzuar deri në abuzim të skëterrshëm kundër vetë llojit tonë; për ta vrarë, shtrydhur dhe vënë atë nën thundrën e hegjemonisë sonë.

A e dini se me shpenzimet njëvjeçare të komplet vendeve të botës në industrinë e mbrojtjes mund të eliminohet plotësisht problemi i urisë dhe i skamjes mbi Tokë?

Ne bartim gjenet e inkasve, aztekëve, majave dhe themeluesve të qytetërimeve të tjera. Pra, jemi stërnipa dhe pasardhës të tyre.

Edhe pse s’jemi ende në nivelin e stërgjyshërve dhe paraardhësve në shumë fusha të jetës, mjerisht, ne kemi rënë robër të egos, ambicieve, grykësisë e lakmive tona dhe tashmë jemi në prag të “suksesit” për ta dreqosur e transformuar qytetërimin tonë në një makineri shkatërruese, e aftë të mbjellë veç mortje.

Mendimi im është që edhe paraardhësit tanë dhjetëra-mijëra vite më parë i kanë sakrifikuar qytetërimet e tyre për të kënaqur egon dhe pangopësinë e tyre; sepse gjenet e tyre janë identike me tonat!

 

Autor: Erdal Simsek

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme