Serialet televizive turke në panairin ATF në Singapor

Telenovelat turke do të ndiqen së shpejti edhe nga audienca aziatike...

Serialet televizive turke në panairin ATF në Singapor

Një numër i madh serialesh televizive turke, mes të cilave spikasin “Zgjimi - Ertugrul” (Diriliş Ertuğrul), “Kryeqyteti: Abdul Hamid” (Payitaht: Abdülhamid), “Na ishte njëherë Çukurova” (Bir Zamanlar Çukurova) dhe “Gropa” (Çukur), do t’i paraqiten pëlqimit të profesionistëve të sektorit në Forumin dhe Tregun Televiziv të Azisë (ATF), në Singapor.

Siç njofton Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë përmes një komunikate të shkruar, ATF-ja e sivjetme do të organizohet në Singapor, në datat 5-7 dhjetor.

Komunikata thekson se serialet turke do të prezantohen me mbështetjen e Ministrisë në panairin më të rëndësishëm në botë të programeve televizive.

“Sektori turk i telenovelave, i cili ka marrë një hov të madh viteve të fundit duke zënë vendin e dytë në botë për eksporte, do të jetë në fokusin e këtij organizimi prestigjioz. Në këtë panair që organizohet në Singapor dhe ku provohen formate të ndryshme, pritet të marrin pjesë rreth 5.500 përfaqësues të sektorit me mbi 700 kompani. Një delegacion tregtar, i cili do të formohet nga përfaqësuesit më në zë të sektorit falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në bashkëpunim me Dhomën Tregtare të Stambollit, në panairin e sivjetmë do të takohen me profesionistë nga mbarë bota. Në stendën e vendit tonë, e cila do të ngrihet mbi një sipërfaqe rreth 54 m2, serialet tona televizive do t’i prezantohen përfaqësuesve të sektorit ndërkombëtar”, saktësohet në komunikatë dhe shtohet se panairi ATF do të mundësojë kontaktin e drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit e vendeve të synuara në aspektin e programeve televizive të Turqisë, siç janë Kina, Koreja e Jugut, India, Indonezia, Filipinet, Malajzia, Sri-Lanka dhe Tajlanda.

Në kuadër të ATF-së do të organizohet gjithashtu një panel që do të trajtojë suksesin dhe arritjet e sektorit turk të telenovelave, i cili ka arritur një vëllim prej 350 milionë dollarësh falë eksportit të serialeve në mbi 150 shtete të ndryshme të botës.

Tema kryesore e këtij paneli që do të organizohet më datë 5 dhjetor, është “suksesi i marketingut ndërkombëtar të serialeve turke dhe ngjitja e tij në vendin e dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.



Lajme të ngjashme