Multikultura, multilingualizmi dhe interkulturalizmi në Maqedoni

Nëse synojmë unitetin, atëherë do të duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët që janë ndryshe nga ne, tha ministri i Arsimit i Maqedonisë, Arbër Ademi në hapje të seminarit ndërkombëtar për multikulturizmin, multilingualizmin.

Multikultura, multilingualizmi dhe interkulturalizmi në Maqedoni

Nëse synojmë unitetin, atëherë do të duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët që janë ndryshe nga ne, deklaroi ministri i Arsimit i Maqedonisë, Arbër Ademi në hapje të seminarit ndërkombëtar “Multikultura, multilingualizmi dhe interkulturalizmi përgjatë shekujve”,

Në fjalimin e tij ministri Ademi, në seminarin i cili u mbajt në Universitetin "Nëna Tereza" në Shkup, tha se bëhet fjalë për çështje të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqëritë, siç është Maqedonia.

“Ne përkrahim secilin aktivitet, secilin seminar, i cili çmon këto vlera, sepse besojmë fuqishëm se nëse dëshirojmë të jetojmë në unitet, do të duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët që janë ndryshe nga ne dhe ky është një virtyt, është një bazë për përparimin mbarëshoqëror”, theksoi Ademi.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, në adresimin e tij para të pranishmëve theksoi se ndonëse jetojmë njëri pranë tjetrit, qytetarët e vendit nuk janë dhe aq bilinguistë.

"Ne që jetojmë këtu si qytetarë të Republikës së Maqedonisë, kemi jetuar njëri pranë tjetrit, megjithatë shumë pak jemi bilinguistë, prandaj inkurajoj të gjitha institucionet, në veçanti universitetet të organizojnë konferenca të tilla ku do të arrijmë konkluzione konkrete", tha ai.

Akademiku Luan Starova, foli mbi aspektet e multikulturalizmit dhe multilinguizmit që dalin nga kategoria e tolerancës, nga aspekti i kulturës dhe letërsisë shqiptare.

"Teza ime kryesore është se toleranca ndërfetare, që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në mesin e shqiptarëve, është faktori kryesor për mbijetesën e tyre, që lidhet me ndërtimin e marrëdhënieve të mira të bashkëjetesës me popullsinë me të cilën shqiptarët kanë bashkëjetuar ose ka jetuar pranë", tha Starova.

Rektori i Universitetit “Nëna Tereza”, Aziz Pollozhani tha se seminari do të marrë karakter tradicional.

"Synojmë ta bëjmë këtë konferencë tradicionale. Përmes qasjes akademike ti zhvillojmë këto komponente, në mënyrë që mund ta afirmojmë edhe tek të rinjtë, në mesin e rinisë studentore dhe më gjerë", theksoi Pollozhani. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme