Shqipëria 60 vjet në UNESCO

Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, u zhvillua në Tiranë konferenca me temë “Shqipëria 60 vjet në UNESCO”...

Ditmir Bushati - Arnavutluk'un UNESCO'da 60. Yılı.jpg
Mirela Kumbaro Furxhi - Arnavutluk'un UNESCO'da 60. Yılı.jpg

Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, u zhvillua në Tiranë konferenca me temë “Shqipëria 60 vjet në UNESCO”.

Në këtë konferencë, ku ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, zyrtarë të lartë të UNESCO-s dhe akademikë, u diskutua për përvojat e Shqipërisë në UNESCO dhe rolin e kësaj organizate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se ndryshimet rrënjësore politike në vend dhe ndërveprimi me UNESCO-n e vendosi në qendër nevojën për mbështetjen për integrimin e vendit në botë dhe ndryshimin e imazhit. 

“Në harkun kohor të tre dekadave, Shqipëria është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive mbi diskutime madhore të agjendës së organizatës dhe ia ka dalë të përfshijë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish që nxjerrin në pah vlerat universale dhe të padiskutueshme të trashëgimisë sonë kulturore, shoqërore e natyrore si Butrinti, Gjirokastra, etj.”, deklaroi Bushati. 

Duke folur për anëtarësimin e zonës së Ohrit në UNESCO, ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha: “Një tjetër dosje e rëndësishme, ajo e zonës së Ohrit, është aktualisht në shqyrtim dhe ne kemi besim që vitin e ardhshëm do të bëhet një margaritar në gjerdanin e trashëgimisë botërore. Në epokën e sotme të angazhimit të fuqishëm si në planin kombëtar ashtu dhe në atë global për të luftuar ekstremizmin, radikalizmin, dhunën ekstreme dhe terrorizmin, modeli shqiptar i kohezionit social dhe përpjekjet tona për t'u forcuar në shkollën e mendimit dhe analizën kritike të botës dhe fenomeneve janë një kontribut konkret në këtë drejtim, në pajtim të plotë dhe të koordinuar edhe me UNESCO-n.”

Sipas Bushatit, Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë praninë e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n, si një investim për qytetarët e Kosovës, por edhe për forcimin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Bashkëpunimi efektiv rajonal e më gjerë në fushën e arsimit, kulturës, shkencës e komunikimit nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje dhe kontribut gjithëpërfshirës. Ne do të vijojmë të jemi në linjën e parë të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, përmes nxitjes, evidentimit dhe konsolidimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe mbi nevojën për të investuar më shumë për rininë”, theksoi ai.

Ndërsa ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, u shpreh në fjalën e saj se Butrinti dëshmon se “ishim dhe jemi banorë të një vendi që ka gjurmë të qytetërimeve të hershme”.

“Jemi pjesëmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit evropian. Pas Butrintit, në vitin 2005 do të ishte radha e qendrës historike të Gjirokastrës për t’u bërë pjesë e trashëgimisë botërore, zgjeruar më vonë me qendrën historike të Beratit në vitin 2008. Dy qendra të regjistruara jo vetëm si shembuj të rrallë të një arkitekture karakteristike, por edhe si dëshmi bashkëjetese fetare të përkatësive të ndryshme, dëshmi edhe një herë se paqja që meritojmë dhe që duam ndërtohet mes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri”, tha Kumbaro.

Shqipëria është anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) më datë 16 tetor 1958. / AA



Lajme të ngjashme