Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 1.)

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 1.)

Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 1.)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Si familje njerëzore, ne ndajmë së bashku planetin tonë. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta për të ndarë me shoqëritë me të cilat kemi stile jetese shumë të ndryshme, sepse ekzistenca jonë mbi Tokë ka nisur në të njëjtën periudhë të historisë. Kur ballafaqohemi me një katastrofë globale, ne ndikohemi bashkë me familjen njerëzore pavarësisht besimit, gjuhës, fesë apo racës që i përkasim. Duke qenë se jemi krijuar në të njëjtën epokë, kjo na bën të jemi në një ndikim të ndërsjellë njohurish, kulturash dhe mënyrash jetese me njerëz të hapësirave gjeografike të afërta ose të largëta. Kjo influencë nganjëherë na detyron të pyesim veten nëse jemi më tepër nën ndikimin e të parëve apo të bashkëkohësve tanë.

Po mundohem ta sjell fjalën tek arsimi. Njerëzit e arsimuar mirë apo keq kanë potencial për të ndryshuar jetën tonë nga afër pavarësisht nëse ata jetojnë në vendin tonë apo në ndonjë shtet tjetër shumë larg nesh. Një person i keqarsimuar mund të bëhet “bombë vetëvrasëse” dhe t’ju shkëpusë juve nga jeta apo të dashurit tuaj nga ju. Kurse zbulimi që bën një person i mirarsimuar, të cilin nuk e njihni aspak, mund ta lehtësojë shumë jetën tuaj ose mund t’ju rikthejë në jetë.

Rrjedhimisht, arsimi është një fenomen global, jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe infektiv për të gjitha vendet. Arsimi i mirë apo i keq në një vend ka ndikim pozitiv ose negativ të drejtpërdrejtë në vendet e tjera.

Cila është gjendja jonë në shkallë globale në aspektin arsimor?

Sigurisht, ka mjaft fusha në të cilat ne jemi shumë mirë. Por në këtë artikull dua të theksoj anët negative.

Kur shikojmë Perëndimin, shkollat ​​po bëhen gjithnjë e më tepër kazerma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku niveli i vrasjeve në shkolla është dy herë më i lartë sesa në pjesën tjetër të botës. Vrasësit e fëmijëve të vegjël dhe të rinjve janë kryesisht shokët e tyre të klasës. Raporte seksuale dhe bixhoz në moshë të mitur, shkallë e lartë e konsumit të pijeve alkoolike dhe drogës në një moshë shumë të re, lidhje familjare të shkëputura, familje të copëtuara dhe fëmijë të braktisur nëpër rrugë, prindër që nuk kujtohen as në festa...

Situata nuk është e ndryshme as në Lindje. Edhe pse niveli i krimit nuk është aq i lartë sa në Perëndim, sistemet arsimore të Lindjes nuk japin identitet, s’formojnë karakter, nuk e përgatisin njeriun për jetën, në të shumtën e rasteve imponojnë mësimin përmendësh në vend që të nxisin mendimin e lirë dhe në përgjithësi janë të shkëputura nga jeta...

Kurse në botën islame, krahas përçarjes apo mungesës së unitetit ndërmjet vendeve myslimane, arsimi është një tjetër problem esencial i theksuar nga i ndjeri Alija Izetbegoviç.

Nëse arsimi i mirë apo mungesa e arsimit në një vend ka vetinë të ndikojë nga afër të gjitha vendet, atëherë duhet të ketë një konsensus të përgjithshëm mbi një profil njerëzor pavarësisht nga feja, gjuha, ideologjia, besimet, raca ose ngjyra. Përkundrazi, të gjithë ne jemi në rrezik si familje njerëzore. Arsimi duhet të ketë parime globale për një botë më të volitshme për të jetuar, më të begatë dhe më paqësore. Këto parime mund të fillojmë t’i kërkojmë duke vënë në pyetje qëllimin e arsimit.

Qëllimi i arsimit duhet të jetë përgatitja e qenies njerëzore për jetën. Lloji i arsimit që ne duam, në thelb, është i lidhur ngushtë me botëkuptimin tonë, me filozofinë tonë të jetës, me atë se si ne e shikojmë jetën. Filozofia jonë e arsimit është zgjatim i filozofisë sonë të jetës. Nëse na mungon një botë më e qëndrueshme, ku ka më pak padrejtësi dhe më pak të këqija, ku dallimet respektohen më shumë dhe njerëzit janë më të virtytshëm, atëherë edhe qëllimi i arsimit duhet të jetë mundësimi i kësaj atmosfere. Arsimi nuk nënkupton vetëm shkollimin apo arsimin modern. Prandaj shkolla s’është mënyra e vetme për të arritur objektivin e lartpërmendur, por një prej instrumenteve të tij.

Nëse kemi një shqetësim të përbashkët për jetën dhe nëse i bashkohemi objektivit të përgjithshëm që përmendëm më lart, si familje njerëzore, atëherë ne mund të kemi parimet universale arsimore, të cilat do të jenë në dobinë tonë dhe do të mbrojnë dallimet tona.

Por cilat mund të jenë këto parime themelore?

1) Një arsim që formon vetëdijen për drejtësinë

Arsimi duhet së pari të formojë ndjenjën e drejtësisë pa marrë parasysh as periudhën kohore (tradicionale, moderne, postmoderne apo një përkufizim tjetër në të ardhmen) në të cilën jetojmë, as mënyrën tonë të jetesës dhe as atë se si ne e përcaktojmë veten tonë. Sipas Hz. Omerit, “drejtësia është baza e shtetit”. Ndërsa sipas filozofit gjerman, Immanuel Kant, “nëse drejtësia hiqet, atëherë s’mbetet asgjë që mund t’i japë vlerë jetës së njeriut”. Së pari duhet të ketë drejtësi, pasi liria dhe barazia janë parime imanente dhe të pandara prej saj. Pa dyshim që si individë të familjes njerëzore ne s’jemi dakord për atë se çfarë është drejtësia dhe çfarë padrejtësia. Por shtyllat themelore të drejtësisë dihen pak a shumë. Të gjitha fetë, besimet dhe ideologjitë pajtohen në vija të përgjithshme për të mos vrarë, për të mos vjedhur, për të fituar përmes rrugëve të ligjshme dhe për të mos bërë keq. Në këtë kontekst, parimi i parë që duhet t’u mësohet nxënësve apo studentëve në të gjitha nivelet, është të fitosh me djersën e ballit, me meritë, pa i hyrë në hak askujt. Thuhet se drejtësia kuptohet më mirë nëpërmjet antonimit të saj, padrejtësisë. Le të mendojmë për një çast sikur të gjithë të përpiqeshin për të fituar pa punuar dhe pa respektuar rregullat. Vallë a mund ta imagjinoni kaosin që do të shpërthente?

Mangësitë e krijuara gjatë procesit arsimor në njohuri, përvojë dhe mirësjellje mund të korrigjohen edhe më vonë; por deficiti i drejtësisë (ndjenja e fitimit pa meritë) gjatë procesit arsimor nuk mund të mbyllet gjatë tërë jetës.

Ndjenja e drejtësisë tek nxënësit/studentët formohet dhe konsolidohet më tepër përmes sistemit arsimor, sjelljes së arsimtarëve dhe praktikës në jetë, jo me anë të njohurive gjatë procesit arsimor. Në këtë kuadër, drejtësia duhet të përvetësohet në nivelin e ndjenjave, vetëdijes dhe besimit, jo në shkallën e njohurive. Padrejtësia, mizoria dhe pabarazia duhet të shmangen me një besim të fortë dhe të prerë duke njohur mirë problemet që ato do të shkaktojnë.

2) Një arsim që e bën njeriun qëllimmirë dhe optimist

Arsimi duhet të edukojë individë zemërmirë, shpirtpastër dhe optimistë për jetën. Unë shoh të rinj pesimistë dhe të dëshpëruar, të cilët e bekojnë ngërçin në vend të zgjidhjes dhe u qasen të tjerëve gjithmonë me mosbesim. Si mund të durohet një jetë e tillë? Ç’lloj bukurie mund të ndërtohet me këtë pikëpamje negative? Njeriu duhet të shohë drejt të së ardhmes me optimizëm, sepse vetëm kështu mund të mendojë pozitivisht. Natyrisht që “e mira” dhe “e keqja” mund të ndryshojnë deri diku sipas kulturave dhe besimeve. Por të synosh edukimin e njerëzve të mirë në një botë ku ka shumë arsye për të qenë pesimist, është një vlerë e paçmueshme. Të jesh optimist dhe pozitiv në jetë është kushti më themelor që njeriu të përvetësojë domosdoshmërinë për të qenë i mirë në vetvete dhe në paqe me veten, mjedisin dhe njerëzit e tjerë përreth tij.

Edhe pse të jesh optimist në jetë dhe të mendosh mirësi janë dy virtyte shumë të çmuara, “drejtësia” vjen gjithmonë përpara “të mirës”.

Do të vazhdojmë javën e ardhshme...

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme