Inva Mula ndez publikun ulqinak

Ulqinakët dhe mysafirët e shumë duartrokiten divën shqiptare Inva Mula në kalanë e qytetit, ku u mbajt edicioni i tretë i festivalit të muzikës klasike “Belcanto Dolcino”.

Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_05.JPG
Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_07.JPG
Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_06.JPG
Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_01.JPG
Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_04.JPG
Arnavut lirik sopranosu Inva Mula_Ülgün_Ulqin konser_03.jpg

Sopranoja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula ndezi publikun në Kalanë e Ulqinit

Në Kalanë e Ulqinit u mbajt edicioni i tretë i festivalit të muzikës klasike “Belcanto Dolcino”. Në natën e tretë të këtij edicioni ishte e pranishme sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi.

Inva Mula solli një perfomancë dhe interpretim të magjishëm nga pjesët operistike, këngë napoletane, e veçmas me një interpretim të rralle soli këngët arbëreshe dhe jaret shkodrane.

Edhe këtë radhë u dëshmua se qyteti i lashtë i Ulqinit ka dimension artistik, audiencë, arkitekturë dhe histori për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz. Emocione pati dhe vetë sopranoja Inva Mula. Ajo në një prononcim ekskluziv për Zërin e Turqisëthotë se mbresat janë të jashtëzakonshme.

I.Mula: “...Mbresat e mia janë të jashtëzakonshme, për arsye se në radhë të parë është një herë e parë, një herë e parë si gjithmonë në një skenë të re. Kjo ishte më bukur se në ndonjë teatër. Unë nuk do të doja një ambient më të bukur se sa ky, i cili ishte i mbushur me energji humane, jashtëzakonisht të bukur pozitive, njerëz që kishin dëshirë të dëgjonin, njerëz që kishin dëshirë të ndanin këto emocione. Më shumë se sa pritshmëria ime, sepse unë vetë ndjeva emocione edhe si pjesëmarrëse edhe e ndjeva veten si pjesë e këtij publiku të mrekullueshëm...”

Mjaft nga këngët u përcollën me duartrokitje edhe nga publiku i shumtë në Kalanë e Ulqinit.

I.Mula: “...Shqipfolësit janë kudo dhe unë gëzohem që në teatër, kur këndoj dhe performoj bashkë me publikun që më pret jashtë, më presin edhe shqiptarët dhe them që sa mirë që erdhi kjo ditë...”

Talentet shqiptarë po pushtojnë gjithnjë e më shumë skenat botërore

Figura të shquara të artit siç është Inva Mula kanë ngritur lartë vlerat e vendit duke e shndërruar atë në një imazh të vlerave si vend me kulturë të lashtë, me histori dhe me traditë të pasur. Vetë Inva Mula ndihet e lumtur që nuk është e vetme dhe se numri i artistëve shqiptarë që kanë sukses në skenat botërore është gjithnjë më i madh.  

I.Mula: “...Fakti që unë zhvillova emisionin “Virtuozët” ishte që unë të mbështesja talentet për t’u thënë, që ka një ekran, ka një orkestër, ka një profesor që ju dëgjon dhe jo vetëm për mbështetjen e tyre, por edhe publikun që të shikojë se çfarë pune e madhe është për tu bërë një artist. Për tu bërë një artist i vërtet ti sakrifikon fëmijërinë, sakrifikon rininë, sakrifikon lojën dhe publiku duhet të jetë koshient , dhe sa më shumë të ketë koshiencë publiku, edhe përkrahja është më e madhe për artistin. Mendoj që ne nga dita në ditë po nxjerrim artistë të rinj, të cilët po ballafaqohen me artin e madh botëror. Them që sa kohë kemi humbur dhe prindërit tanë nuk kanë mundur dot të dalin, por jemi të lumtur që të paktën ky brez ka mundësi që të depërtojë nëpër botë...”

E lindur nga dy prindër artistë, të cilët kanë dhënë ndihmesë në edukimin e brezave, Inva ndihet krenare për gjeneratat e edukuara nga nëna e saj.

I.Mula: “...Jam krenare për studentët e saj. Me gjithë se ato kanë marrë teknikën vokale mbi të gjitha nga ajo kanë marrë një dashuri të madhe...”

Inva Mula paralajmëron projekte interesante televizive në Shqipëri

Krahas interpretimeve në skenat më të mëdha botërore Inva Mula tha për Zërin e Turqisë se do të jetë e pranishme edhe në Shqipëri me projekte të ndryshme televizive.

I.Mula: “...Gjithmonë jam në vazhdimësi të karrierës me udhëtime pa fund, përgatis vepra të rëndësishme për një turne të rëndësishëm në Romë pastaj në Australi dhe një tjetër në Kinë. Kam një plan, që ju publiku do ta ndiqni së shpejti në një televizion të madh kombëtar, që do të nisë në dhjetor dhe kjo do të mbetet surprizë për publikun...”

Po aq i suksesshëm në program ishte edhe pianisti virtuoz Genc Tukiçi, i cili me kënaqësi kishte pranuar ftesën për të ardhur siç tha ai në vendlindjen e të parëve të tij.

Genc Tukiqi: rikthehem me koncert në vendlindjen e të parëve

G.Tukiçi: “...Si mund të ndihesh ndryshe kur vjen në shtëpinë tënde dhe ndan emocione me njerëzit e shtëpisë. Nuk përshkruhet me fjalë emocioni që ndjej, aq më tepër që jam përkrah një këngëtareje, që është një ndër interpretueset aktualisht më të mëdha në botë...”

Pianisti Genc Tukiçi ka një bashkëpunim shumë të frytshëm me Inva Mulën dhe bashkë do të realizojnë dhe projekte të tjera në të ardhmen.

G.Tukiçi: “...Me Invën kemi shumë plane dhe projekte, sepse është një bashkëpunim që në fëmijëri, sepse ka vite që jemi bashkë edhe në Francë dhe ky duet ka shëtitur botën. Ne do të vazhdojmë bashkë, sepse kemi shumë projekte. Personalisht projekti më i afërt që kam, do të luaj koncertin e tre tenorëve, që është me datën 7 tetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe me Invën më 19 nëntor kemi koncert në Vatikan, në Romë...”

Edhe edicioni i tretë i festivalit “Belcanto Dolcino” dëshmoi se takime të këtij lloji thellojnë bashkëpunimin dhe se kultura është një hapësirë e përbashkët.

Për Zërin e Turqisë nga Ulqini përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme