Skulptura brenda gurëve të çmuar

Punimet e artistit turk Viktor Öcal, i cili merret me punimin artistik të arit dhe gdhendjen e skulpturave të ndryshme brenda gurëve të çmuar janë mahnitëse.

sanat-3.jpg

Interesimi i Öcal për artin e bizhuterive ka qenë që nga fëmijëria e tij e hershme. Siç thotë në një intervistë për Anadolu Agency (AA), interes të posaçëm ka filluar të shfaq në vitin 1983 kur rruga e kishte çuar deri në Kapali Çarshinë e famshme të Stambollit.

Edhe pse në shikim të parë mund të thuhet se merret me prodhimin e bizhuterisë artistike, ose siç quhet në disa vende si stoli autoriale, Öcal thekson se "sadekar" është emri i vërtetë i atyre që merren me këtë lloj arti.

"Ajo çfarë bën një sadekar, në vërtetë është përpunimi artistik i metaleve të çmuara. Pra, sadekari merret me përpunimin e metaleve të çmuara në një bizhuteri, ajo mund të jetë një unazë, byzylyk, vathë apo ndonjë gjë tjetër zbukurim që njerëzit nuk e mbajnë gjithmonë me vete", tha Öcal.

Por, ajo çfarë e bën Öcalin një artist të veçantë është "teknika e negativitetit në skulpturë". Kjo është një teknikë e shpikur nga ai dhe e cila ka të bëjë me gdhendjen e skulpturave të ndryshme brenda gurëve të çmuar.

Öcal nxjerr në pah se kjo teknikë ngjason shumë me atë të përdorur në periudhën romake. Dallimi mes këtyre dy teknikave është se e tija ka dy dimensione. Öcal duke përdor këtë teknikë brenda një guri ka futur një mikro skulpturë tredimensionale.

"Fillimisht këtë teknikë e përdora për skulpturat e monumenteve në gur, por desha ta rrisja atë në një nivel më të lartë, dhe pastaj e bëra figurën e Aristotelit brenda gurit", tha Öcal.

Ai theksoi se kjo skulpturë gjithmonë ka një vend të veçantë për të.

"Ajo që është veçanërisht e rëndësishme që të theksohet për këtë teknikë është se brenda gurit formoni një hapësirë tredimensionale, pastaj e formësoj atë dhe e bëj të duket si një skulpturë, prandaj e kam quajtur teknikë e negativit në skulpturë. Ajo që bëhet në të vërtetë është kundërvendosja e një mikro skulpture. Duhet shumë kohë, kërkon durim. Kur je nervoz, nuk duhet të afrohesh", thotë Öcal.

Në koleksionin e tij mund të shohësh personazhet e Aristotelit, Mevlana Xhelaludin Rumit, pastaj imazhin e Presidentit të parë të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, por edhe një numër personash të tjerë dhe monumente historike. (AA)



Lajme të ngjashme