Suedi – Gjurmë islame në varret vikinge, veshje me mbishkrimet “Allah” dhe “Ali”

Veshje me shkrimet “Allah” dhe “Ali” janë zbuluar të premten në disa varre vikinge të shekullit të 9-të në Suedi...

Suedi – Gjurmë islame në varret vikinge, veshje me mbishkrimet “Allah” dhe “Ali”

Veshje me shkrimet “Allah” dhe “Ali” janë zbuluar të premten në disa varre vikinge të shekullit të 9-të në Suedi.

Annika Larsson nga Departamenti i Historisë Antike dhe Arkeologjisë të Universitetit “Uppsala”, bëri me dije se gjatë studimit të inventarit të varreve vikinge, të cilat janë zbuluar në qytetin Birka, kanë gjetur veshje dhe pëlhura me mbishkrimet “Allah” dhe “Ali”.

“Ishte një zbulim shumë interesant. Vikingët duhet të jenë influencuar nga feja islame dhe nga besimi i jetës së amshuar në parajsë, pas vdekjes”, vlerësoi ajo.

Pasi sqaroi se germat arabe të këtyre fjalëve janë me kënde gjeometrike dhe i përkasin llojit të shkrimit “Kufi”, arkeologia vijoi me këto fjalë: “Vikingët i varrosnin të vdekurit bashkë me rrobat dhe bizhuteritë e tyre. Ne gjetëm në këto varre rroba dhe pëlhura mëndafshi, mbi të cilat ishin qëndisur me fije argjendi fjalët ‘Allah’ dhe ‘Ali’. Zbulimi na emocioni pa masë. Rrobat e qëndisura me këto fjalë ishin vendosur përgjithësisht nën kokën e të vdekurit. Këto fjalë i kemi hasur edhe në disa jastëkë.”

Më tej, Larsson tërhoqi vëmendjen mbi shkëmbimet kulturore ndërmjet vikingëve dhe botës islame.

“Përgjatë shtratit të Vollgës në territoret ruse ka pasur shkëmbime kulturore mes Skandinavisë dhe Azisë Qendrore. Pëlhurat e zbuluara në varret vikinge kanë ardhur këtu ose përmes rrugëve tregtare, ose gjatë plaçkitjeve. Por më interesante dhe ajo çfarë spikat këtu është shkëmbimi dhe ndryshimi i kulturës. Sipas disa burimeve të shkruara, myslimanët arabë udhëtonin në Perëndim për tregti ose qëllime të tjera”, u shpreh historiania.

Larsson vuri në pah gjithashtu se shumë zbulime historike tregojnë që vikingët besonin në jetën pas vdekjes.

“Thuhet se Odeni, një nga perënditë vikinge, ishte një luftëtar nomad nga Azia që më pas është vendosur në Malardalen të Suedisë. Vikingët besonin se jeta vazhdon edhe pas vdekjes dhe se në parajsë ka jetë pa fund. Ky besim është influencuar direkt nga islami”, nënvizoi arkeologia suedeze duke shtuar se rrobat dhe pëlhurat e zbuluara në varret vikinge po ekspozohen në Muzeun e Enkoping dhe kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 3 shkurt 2018.

Edhe dy vite më parë, gjatë gërmimeve arkeologjike në ishullin Bjorko, në një varr viking gjithashtu të shekullit të 9-të ishte zbuluar një unazë me mbishkrimin “Allah”.



Lajme të ngjashme