Aamir Khan në Turqi: Një histori e mirë afron dhe lidh njerëzit me njëri-tjetrin

Aktori, regjisori dhe producenti indian, Aamir Khan, realizoi një takim me studentë të profileve të ndryshme në Qendrën e Kinema-Televizionit “Prof. Dr. Sami Sekeroglu” të Universitetit të Arteve të Bukura “Mimar Sinan”, në Stamboll...

Aamir Khan në Turqi: Një histori e mirë afron dhe lidh njerëzit me njëri-tjetrin
Aktori i famshëm i Bollywood-it, Aamir Khan vjen në Turqi për të promovuar filmin e tij të ri
Aktori i famshëm i Bollywood-it, Aamir Khan vjen në Turqi për të promovuar filmin e tij të ri

Khan bëri të ditur se gjendet në Turqi për promovimin e filmit “Secret Superstar" që do të shfaqet në 20 tetor në kinema njëkohësisht edhe në Indi edhe në Turqi.

Aktori, regjisori dhe producenti indian, Aamir Khan, realizoi një takim me studentë të profileve të ndryshme në Qendrën e Kinema-Televizionit “Prof. Dr. Sami Sekeroglu” të Universitetit të Arteve të Bukura “Mimar Sinan”, në Stamboll.

Në Turqi me ftesë të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për të promovuar filmin e tij të ri “Secret Superstar”, Aamir Khan u prit me interes të madh nga studentët, pjesa dërrmuese e cilëve në degën Kinema-TV.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, aktori 52-vjeçar u shpreh se ndihej shumë i lumtur nga ky takim me të rinj plot vullnet dhe pasion.

“Kam ardhur në jetë si anëtar i një familjeje kinematografësh. Im atë ishte producent, ndërsa xhaxhai edhe regjisor, edhe producent. Isha vazhdimisht i rrethuar nga aktorë e njerëz të ekranit. Përreth meje xhiroheshin filma pa pushim. Në të vërtetë, kinematografinë e kam mësuar duke u rritur. Kur isha i vogël, skenaristët vinin pranë babait tim për t’u treguar historinë e tyre dhe unë i dëgjoja nga një qoshe e shtëpisë. Në moshën 15-vjeçare isha një i ri, që kishte dëgjuar me qindra histori dhe lexuar me dhjetëra skenarë. Atëherë nuk e dija, por kjo ishte shkollë, ishte formimi im kinematografik”, tha ai duke folur për fillimet e karrierës së tij.

Fillimet dhe përvojat e Aamir Khan në kinematografi

“Eksperienca ime e parë erdhi kur një shok më kërkoi ta ndihmoja teknikisht dhe të luaja në filmin e tij me metrazh të shkurtër. Kur xhirimet e filmit përfunduan, unë thash për herë të parë se ‘dua patjetër të jem pjesë e sektorit kinematografik’. Ndërsa përvoja ime e parë zyrtare ishte ajo në një film të xhaxhait tim, si ndihmësregjisor. U dashurova pas dhomave të montazhit, sepse aty mësova të shoh gabimet. Tashmë jam pjesë e kësaj bote të mrekullueshme prej 30 vitesh. Është një botë, të cilën e çmoj pa masë. Ndjenjat e mia për të janë të papërshkrueshme. Shpresoj që ky sektor t’ju lumturojë edhe juve sikurse mua”, u shpreh artisti indian me famë botërore në fjalën drejtuar studentëve.

Më pas, Khan iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe të larmishme të studentëve. Ai theksoi se botën e filmave nuk e shikon si konkurruese.

“S’ka rëndësi se nga cili shtet vjen një histori e mirë. Po, Amerika është përpara në këtë fushë, por ata kanë investuar dhe hulumtuar shumë për t’ia arritur. Kemi shumë gjëra për të mësuar prej tyre. Unë nuk krahasoj me ta as filmat e mi. Për të zënë një vend të mirë në botën e kinematografisë, një skenarist, regjisor apo producent duhet të tregojë një histori të mirë. Ndaj një histori e mirë afron dhe lidh njerëzit me njëri-tjetrin, pasi vetë kinematografia është një mjet i komunikimit masiv”, vlerësoi ai.

I pyetur nga studentët nëse kishte në plan të xhironte një film rreth Mahatma Gandhit, lider legjendar i lëvizjes indiane për pavarësi, Khan u përgjigj se këtë nuk e kishte menduar kurrë më parë.

“Jam i mendimit se ai është një personalitet dhe karakter i jashtëzakonshëm, por këtë projekt s’e kam menduar kurrë më parë. Ekziston një film rreth jetës së tij. Unë vetë kam lexuar shumë libra për të. Dhe, nëse një ditë do të arrij të pasqyroj një anë të tij të patrajtuar më herët, besoj se mund të bëj një film për Gandhin”, nënvizoi regjisori i famshëm indian.

Në fund të bashkëbisedimit rreth 1 orë e gjysmë të gjatë, Aamir Khan bëri “selfie” me studentët.



Lajme të ngjashme