Lihnida-Historia si u krijua liqeni i Ohrit, premiera përrallë-baleti në Teatrin Metropol në Tiranë

”Lihnida” historia si u krijua liqeni i Ohrit, kjo përrallë – balet vjen premierë në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) këtë të shtunë nga Rudina Demaliaj.

Lihnida-Historia si u krijua liqeni i Ohrit, premiera përrallë-baleti në Teatrin Metropol në Tiranë

Kjo përrallë balet vjen me koroegrafia: Rudina Demaliaj, Libreti Sonila Kapidani, Kostumografia: Ina Elezi ,Skenografia: Hysni Loka, Interpretojnë: Balerinët e së Ardhmes.

“Lihnida” një libret i shkruar nga Sonila Kapidani, e cila është bazuar mbi legjendën e fshatit të Mokrës “Si u përftua Liqeni” shkruar nga Ramadan Sokoli. Përralla – balet interpretohet nga fëmijët e grupmoshës 7-10 vjeç, me të cilët Rudina Demaliaj punon prej një kohe të gjatë.

“Kjo gojëdhanë është qëmtuar në vitin 1957 nga Ramadan Sokoli në Malësinë e Mokrës. Ia ka treguar një fyelltar i moshuar, thatanik dhe trupdrejt. Motërzime të saj, ka dhe në zona të tjera të vendit tonë, por studiuesi ka zgjedhur ta botojë këtë sepse fjalët e bartësit kanë gdhendur imazhe mjaft të gjalla të liqenit të stërlashtë”, thotë Kapidani. Ndërkohë nga ana koreografike Demaliaj shton: “Në këtë balet janë ndërthurur zhanri i baletit klasik dhe atij modern, duke ruajtur edhe motivet shqiptare. Shfaqja është e ndërtuar mbi muzikën e grupit “Celtic”.

Kjo përzgjedhje është bërë për shkak të ngjashmërisë së saj me muzikën shqiptare”. Vepra është e ndërtuar me dy akte. Akti i parë, tregon historinë e një fshatari dhe vajzës nëpërmjet të cilëve trajtohet problematika, që zona e Mokrës ka me mungesën e ujit dhe në aktin e dytë përshkruhet historia e vajzës që shkon për të gjetur ujë, natën pranë burimit.

“Kjo vepër ka një domethënie aktuale me situatën në të cilën ne po kalojmë. Njeriu në vetvete ka luftën e tij për të ruajtur dhe kujdesur për vendin ku jetojmë. Përgjegjshmëria sociale që njeriu ka ndaj tokës është linja kryesore në këtë vepër”, shton ajo. Ndërkaq sipas saj janë ndërthurur elemente të legjendës si shtojzovallet, gjarpri etj.

Shfaqja do të jetë në datat 20, 21, 27, 28 maj dhe 1 qershor, ora 11:00 në Teatrin Metropol në Tiranë.



Lajme të ngjashme