Vdes Manitas de Plata, kitaristi më i njohur cigan i botës

Kitaristi cigan, Manitas de Plata, vdiq në moshën 93-vjeçare në një azil në jug të Francës, njoftoi sot vajza e tij, Françoise.

Vdes Manitas de Plata, kitaristi më i njohur cigan i botës

"Manitas de Plata, shitësi më i madh i disqeve në historinë e Francës, popullarizoi muzikën cigane dhe flamenkon në mbarë botën. I shkatërruar, ai u kthye në muajin gusht në azil, ku dhe vdiq i rrethuar nga të afërmit", theksoi vajza.

Ricardo Baliardo, emri i tij i vërtetë, lindi në gusht të vitit 1921 në rulotën familjare në Sete, ku jetonte një komunitet i madh cigan. Babai i tij ishte tregtar kuajsh.

Që prej moshës 9-vjeçare, ai mësoi kitarën pa ditur të lexonte asnjë notë, inkurajuar nga xhaxhai i tij.

Pasi mori emrin "Manitas de Plata" (duart e vogla prej argjenti), cigani që luante në tarracat e kafeneve në Côte d’Azur filloi të frekuentonte poetin, Jean Cocteau, piktorët Pablo Picasso dhe Salvador Dali dhe aktoren Brigitte Bardot, të gjithë të pasionuar për jugun.

Fotografi Lucien Clergue ia rekomandoi regjisorëve amerikanë, të cilët do ta bindnin të shkonte të luante në Nju-Jork, ku triumfoi në Carnegie Hall.

I dashuruar me gratë e bukura dhe veturat luksoze, kitaristi i famshëm, Manitas de Plata, i përdori të ardhurat e tij për të ndihmuar fisin. Deri në 80 persona jetonin me subvencionet e tij, gratë, fëmijët, xhaxhallarët, nipërit. Atij nuk i mbeti asgjë deri në fund të jetës.

Manitas de Plata, konsideruar në atë kohë si artisti evropian më i njohur në botë, la pas një vepër të madhe me 80 disqe të regjistruara dhe 93 milionë albume të shitura në mbarë botën.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme