Kosovë - Zbulime të reja arkeologjike në Dresnik

Gërmimet e vazhdueshme në Lokalitetin Arkeologjik në Dresnik të Klinës kanë rezultuar me gjetje të reja shumë interesante dhe të rëndësishme për njohjen e qytetërimit të hershëm në Kosovë.

Kosovë - Zbulime të reja arkeologjike në Dresnik

Nga gërmimet, që janë zhvilluar në këtë vit, janë zbuluar edhe dy dhoma me mozaikë shumëngjyrësh. Vitin e kaluar ishte zbuluar një objekt me 4 dhoma me mozaikë, secili i veçantë. Përveç këtyre, këtë vit është zbuluar edhe një mur rrethues i qytetit të lashtë, me gjerësi 3,7 metra.

Po ashtu, janë gjetur edhe monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekullit III dhe IV, si dhe copëza të shtatoreve dhe shtyllave të punuara nga mermeri. Në disa sonda të gërmuara janë gjetur mure dhe struktura të objekteve të ndryshme.

Arkeologët nga Instituti Arkeologjik i Kosovës konsiderojnë se me këto është zbuluar një qytet dardan i periudhës romake. Për të parë nga afër punimet dhe gjetjet që janë bërë, të hënën në Dresnik ishte ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi. Ai përgëzoi arkeologët për punën, që kanë bërë prej dy vjetesh dhe e konsideroi këtë lokalitet si tejet të rëndësishëm.

"Padyshim se rezultatet nga gërmimet janë evidente. Dresniku është një prej lokaliteteve arkeologjike me të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe si i tillë mbetet prioritet i yni edhe në vitet e ardhshme. Ne do të përkrahnim Institutin Arkeologjik që të vazhdojë gërmimet në këtë hapësirë prej rreth 30 hetarësh, ku shtrihet ky qytet i lashtë", ka thënë ministri Krasniqi. Ai shtoi se planet janë që Dresniku të jetë një nga pikat më të rëndësishme në Kosovë.

"Përveç në gjetje të reja dhe konservim, siç kemi bërë nga fillimi, ne do ta kemi Dresnikun prioritet të lartë dhe do të përkrahim Institutin Arkeologjik që këtë hapësirë ta transformoj në park arkeologjik dhe të jetë një prej atraksioneve turistike të vendit tonë", tha ai.

Arkeologu Masar Valla, që ka udhëhequr gërmimet në këtë lokalitet, tha se përveç te tjerash, zbulimet janë një kontribut i madh për shkencën. Valla theksoi se do të ketë punë të vazhdueshme deri në gërmimin e gjithë hapësirës, që do të çojë deri në zbulimin e tërësishëm të qytetit.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Klinës, Tushe Mehmetaj, u shpreh se për komunën e tyre është mjaft e rëndësishme zbulimi i këtij qyteti dardan. Ky zbulim, tha ajo, do të jetë një element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, si një aspekt i rëndësishëm për zhvillim ekonomik.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme