Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të ndihmojë myslimanët e Arakanit

Një nga organizatat humanitare, e cila nuk mbeti e heshtur ndaj kërkesave për ndihmë të qindra mijëra myslimanëve të Arakanit është Gjysmëhëna e Kuqe Turke.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të ndihmojë myslimanët e Arakanit

Një nga organizatat humanitare, e cila nuk mbeti e heshtur ndaj kërkesave për ndihmë të qindra mijëra myslimanëve të Arakanit që kanë ikur nga persekutimi në Mianmar dhe janë strehuar në Bangladesh, është Gjysmëhëna e Kuqe Turke.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke, sidomos që nga fillimi i fluksit të fundit të refugjatëve ka dërguar ndihma për dhjetëra mijëra myslimanë të Arakanit në Bangladesh. Kjo organizatë shpërndan çdo ditë ndihma për mijëra persona.

Numri i myslimanëve të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë dhe të budistëve fanatikë në Mianmar që nga 25 gushtë e deri më tani dhe të cilët janë strehuar në Bangladesh është të paktën 620 mijë. Kurse së bashku me numrin e atyre që kanë shkuar në Bangladesh para kësaj date, numri i myslimanëve të Arakanit në këtë vend sipas të dhënave të OKB-së ka arritur në 750 mijë.

Gjysmëhëna e Kuqe është njëra nga organizatat, e cila i është përgjigjur thirrjes për çdo lloj ndihme, duke filluar nga ushqimi, shëndetësia, strehimi e veshmbathja.

Kjo organizatë e cila është aktive për 5 vite në këtë rajon, që nga muaji gusht e deri më tani ka përmbushur nevojat e dhjetëra mijëra personave.

Në këtë kuadër deri më tani Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka shpërndarë 37 mijë e 427 pako emergjente të ushqimit, 19 mijë e 744 pako të ushqimit, 16 mijë e 155 pako higjienike dhe 5 mijë batanije. Pakot e ndihmave janë planifikuar që të mbulojnë nevojat një mujore të një familjeje.

Ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Turke së fundmi kanë shpërndarë ndihma në një kamp të rajonit Burmapara, i cili ndodhet në Cox Bazar. Për një ditë janë shpërndarë 600 pako emergjente të ushqimit dhe 600 pako higjienike.

Për ata të cilët nuk ishin në gjendje që këto pako të ndihmave t’i çojnë në strehimoret e tyre në kamp, u ndihmuan ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe. Ekipet i bartën këto ndihma në shpinë deri në shtëpitë e myslimanëve të Arakanit.

Menaxheri operacional i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ahmet Erbil, në një deklaratë për gazetarin e AA-së dha informacione për aktivitetet e tyre. Ai tha se brenda një dite shpërndajnë rreth 1 mijë pako ushqimore dhe higjienike.

“Për momentin ndihmat tona po arrijnë në rreth 1 mijë familje, pra në 5 mijë persona”, tha Erbil.

Duke folur për ndihmat higjienike, Erbil tha se këto produkte ndahen brenda kovave, në mënyrë që edhe ato të jenë të përdorshme.

“Në mesin e tyre ka detergjente, sapun, pastë për dhëmbë, brushë për dhëmbë, prerëse të thonjve. Këto janë planifikuar për të përmbushur mesatarisht nevojat një mujore të një familjeje. Këto bëhen edhe në drejtim të kërkesave që vijnë. Kurse brenda pakos ushqimore ndodhen dy lloje të orizit, thjerrëza dhe biskota energjie”, tha ai. (AA)



Lajme të ngjashme