OKB: 180 milionë fëmijë i pret një e ardhme më e errët e prindërve

Sipas një studimi të UNICEF, publikuar me rastin e “20 Nëntorit, Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve”, e ardhmja e 180 milionë fëmijëve do të jetë më e errët krahasuar me prindërit e tyre.

arakanlı kimsesiz çocuklar ailelerini arıyor.jpg
savaş çocukları.jpg
suriyeli çocuklar.jpg
çocuk.JPG
çocuk.jpg

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) publikoi një studim me rastin e “20 Nëntorit, Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve”.

Sipas studimit 180 milionë fëmijë nga 37 shtete, në krahasim me 20 vitet e kaluara, po ballafaqohen me nivel më të lartë të varfërisë ekstreme, mosvijimin në shkollë dhe rrezikun e vdekjes nga dhuna.

Në studim thuhet se në 14 shtete, ku vazhdojnë përleshjet dhe mbizotëron qeverisja e keqe si në Benin, Kamerun, Madagaskar, Zambia dhe Zimbabve, është rritur numri i personave që jetojnë duke fituar më pak se 1,9 dollarë në ditë. Njoftohet se në 21 vende, ku vazhdon kriza financiare dhe përleshjet e armatosura, si Siria dhe Tanzania, ka një rënie të madhe të numrit të fëmijëve që regjistroheshin në shkollat fillore.

Sipas studimit në fjalë në vendet si Republika e Afrikës Qendrore, Iraku, Libia, Sudani Jugor, Ukraina dhe Jemeni shihet një rritje e nivelit të vdekjeve nga incidentet e dhunshme tek personat e moshës nën 19 vjeç. Përkundër zhvillimeve në nivel global, në studim thuhet se një në çdo 12 fëmijë do të ketë një të ardhme më të errët krahasuar me prindërit e tyre.

Drejtori i UNICEF-it për të Dhëna, Hulumtime dhe Politika, Laurence Chandy, në një deklaratë lidhur me çështjen tha se përkundër asaj që shumica e fëmijëve në botë kanë përfitime të papara më parë, një pjesë e vogël e fëmijëve të harruar janë të privuar nga këto përfitime.

Fëmijët ankohen për mosvlerësimin e mendimeve të tyre

Sipas një hulumtimi tjetër të UNICEF-it, ku përfshihen fëmijët e grupmoshave 9-18 vjeç nga 14 shtete, fëmijët ndjejnë shqetësim të madh për çështjet globale si dhuna, varfëria, terrorizmi, përleshjet, ndryshimi i klimës, keqtrajtimi i refugjatëve dhe emigrantëve.

Hulumtimi u realizua me pjesëmarrjen e më shumë se 11 mijë fëmijëve nga Turqia, Brazili, India, Japonia, Kenia, Malajzia, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Nigeria, Egjipti, Afrika e Jugut, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Sipas hulumtimit, gjysma e fëmijëve nga këto 14 shtete ankohen se nuk u jepet rëndësi mendimeve të tyre kur merret ndonjë vendim për të ardhmen e tyre. Në hulumtim thuhet se 73 për qind e fëmijëve të Republikës së Afrikës së Jugut dhe 71 për qind e atyre të Britanisë së Madhe janë ata të cilët e ndejnë nivelin më të lartë të mosvlerësimit të tyre.

Fëmijët nga 14 shtetet kërkojnë nga liderët botërorë që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje për problemet globale si terrorizmi, arsimimi i pamjaftueshëm dhe varfëria.

Shqetësimi i fëmijëve për refugjatët

Fëmijët e të gjitha shteteve në fjalë ndjejnë shqetësim të nivelit të njëjtë për terrorizmin dhe arsimimin e pamjaftueshëm. Fëmijët nga Turqia dhe Egjipti terrorizmin global e shohin si një problem shumë të rëndësishëm.

Në të gjitha shtetet ku UNICEF-i zhvilloi këtë hulumtim, çdo i katërti nga 10 fëmijë ndjejnë shqetësim të madh për trajtimet e këqija ndaj fëmijëve refugjatë dhe emigrantë. Më shumë se gjysma e fëmijëve në Turqi dhe Brazil dhe çdo i 3-ti nga 5 fëmijë në Meksikë janë fëmijët të cilët ndjejnë më së shumti shqetësime për trajtimet e padrejta ndaj refugjatëve dhe emigrantëve.

“Mesazhi ynë është shumë i qartë”

Ndërsa një rezultat tjetër i rëndësishëm i hulumtimit është se 45 për qind e fëmijëve nga shtetet objekt i hulumtimit në fjalë nuk besojnë se të rriturit dhe liderët botërorë do të marrin vendime të mira për të ardhmen e fëmijëve. Vendi ku besimi ndaj liderëve botërorë është në nivelin më të ulët është Brazili me 81 për qind, kurse pas tij vjen Republika e Afrikës së Jugut me 69 për qind.

Përkundër kësaj, India është në vendin e parë sa i përket nivelit të ndjenjës së besimit të fëmijëve ndaj liderit të vendit.

Aktivisti 14-vjeçar dhe mbrojtësi i të drejtave fëmijëve të UNICEF-it, Jaden Michael, tha se "Dita e të Drejtave të Fëmijëve” nënkupton dhënien e fjalës për të ardhmen e tyre te fëmijët. “Mesazhi ynë është shumë i qartë. Duhet të themi haptazi atë çfarë mendojmë dhe bota duhet të na dëgjojë kur ne e themi këtë”, tha ai.



Lajme të ngjashme