Katari u bën ballë efekteve të bllokadës ekonomike

Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad Al-Thani deklaroi se ata kanë arritur të tejkalojnë në masë të madhe efektet negative të bllokadës që zbatohet ndaj vendit të tij.

Katari u bën ballë efekteve të bllokadës ekonomike

Në fjalimin e tij në ceremoninë e fillimit të sesionit të 47-të në Asamblenë Konsultative të Katarit, Sheiku Tamim tha: "Ne arritëm të kapërcejmë efektet negative të bllokadës", duke iu referuar bllokadës së vendosur ndaj Katarit nga disa vende arabe dhe që vazhdon që nga qershori 2017.

"Pavarësisht barrierave, eksportet tona në vitin 2017 u rritën me 18 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm",- deklaroi Sheiku Tamim, duke shtuar se vendi i tij kishte qenë i suksesshëm në ruajtjen e monedhës vendase përballë monedhave të huaja nëpërmjet Bankës Qendrore të Katarit.

“Ekonomia e Katarit është forcuar kundër goditjeve të jashtme, vetëmjaftueshmëria e vendit është rritur akoma edhe më shumë”, cilësoi Sheiku Tamim.

Duke folur për marrëdhëniet midis vendeve të Gjirit, Sheiku Tamim tha:

"Rënia e marrëdhënieve me Gjirin dobëson aftësinë tonë për të zgjidhur problemet e rajonit. Siguria dhe stabiliteti i vendeve tona nuk mund të arrihet duke prekur sovranitetin e tyre".

Qeveritë e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejnit dhe Egjiptit më 5 qershor 2017 i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe bllokada ekonomike që vendosën ndaj këtij vendi (Katarit) shkaktoi krizë në rajonin e Gjirit.

Për shkak të mbylljes së rrugëve tokësore, ajrore dhe detare nga vendet fqinje eksportet e Katarit ndoqën një kurs negativ në javët e para të bllokadës.

 


Lajme të ngjashme