Në Shqipëri operojnë mbi 400 kompani turke

Numri i të punësuarve në to është më shumë se 15.000 vetë, kurse vlera e përgjithshme e investimeve të sektorit privat turk në Shqipëri është afër 3 miliardë dollarë.

Murat Ahmet Yörük - Edi Rama - Seyhan Pencablıgil.jpg
Arnavutluk Durres Limanı_ihracaat_ithalat_02.jpg
Arnavutluk_Tiran_Ethem Bey Camii restorasyonu_TIKA_01.jpg
Arnavutluk Marubi Resim Müzesi_07.jpg
Arnavutluk Marubi Resim Müzesi_11.jpg
ALSAR_Türkiye Bursları_öğrenciler_kitap tanıtımı_02.jpg

Intervistë e Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük

-Mbi 400 kompani turke veprojnë në Shqipëri

 Aktualisht janë më shumë se 400 kompani turke që veprojnë në Shqipëri si, në fushën e energjisë, minierave, telekomunikacionit, tekstileve, sistemin bankar, logjistikë dhe shëndetësi. Numri i të punësuarve në to është më shumë se 15 000 vetë.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük u shpreh pak ditë më parë në një intervistë për ATSH-në se, “marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve zënë një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe”.

Vlera e përgjithshme e investimeve të sektorit privat turk në Shqipëri është afër 3 miliardë dollarë. Ndërsa, vëllimi ynë tregtar në vitin 2017 ishte rreth 450 milionë dollarë.
Por, ne nuk i konsiderojmë të mjaftueshme këto shifra si në investime, ashtu edhe në vëllimin tregtar dypalësh
”, – tha Yörük.

Por, shtoi se, “potenciali ynë është shumë i lartë se këto shifra. Kemi mundësi për të investuar në shumë sektorë si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, transport, energji, miniera dhe turizëm. Sot, ekonomia turke është e 16-ta në botë. Në vitin 2017 me një rritje mesatare 7.4 për qind ishte ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë. Kemi një ekonomi dhe infrastrukturë dinamike dhe në zhvillim”.

Ne parashikojmë që këtë potencial ta mobilizojmë në të mirë të Shqipërisë dhe kështu të kontribuojmë për mirëqenien, punësimin dhe rritjen e të ardhurave për vëllezërit tanë shqiptarë. 
Në potencialin tonë për investime sigurisht që nuk ka një limit. Në vitin 2013, pra në vitin e 100-vjetorit të “Marrëveshjes sonë të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit” dhe të shpalljes së Republikës së Turqisë, dëshirojmë që investimet tona të arrijnë në 5 miliardë dollarëe më shumë dhe që numri i të punësuarve në kompanitë tona të kalojë shifrën 30 000
”, – theksoi Yörük.

Veçanërisht, nënvizoi se, “në fushën e turizmit, Shqipëria ka një potencial të madh. Por po të krahasohet me vendet përreth, vërejmë se pjesa që merr Shqipëria nga të ardhurat e turizmit është e ulët. Po të shikojmë bukuritë natyrore, bregdetin madhështor dhe të pastër, pasuritë historike dhe kulturore, duket qartë se Shqipëria mund të përfitojë shumë më tepër nga turizmi”.

***

-Eksport-importet nga/drejt Durrësit, kryesisht me Turqinë, Rusinë etj.

Eksport-importet me Turqinë, Rusinë dhe Italinë nga/drejt portit të Durrësit zënë më shumë se gjysmën e volumit të mallrave të përpunuara në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës (APD), në vendin e parë për shkëmbimin e mallrave është Turqia, me 24% të vëllimit të përgjithshëm të mallrave që përpunohen në Durrës, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë, ndodhen Rusia dhe Italia, me përkatësisht 17 dhe 13%.

Nga të njëjtat të dhëna mësohet se Malta, Greqia dhe Libia shkëmbejnë me anijet që nisen nga/drejt Durrësit, secila nga 7% të vëllimit të përgjithshëm të mallrave, ndërsa me nga 3% ka një sërë vendesh të tjera, si Spanja, Ukraina, etj.
Rusia me 29%, Turqia me 19% dhe Greqia e Italia janë vendet nga të cilat mbërrijnë më shumë mallra importi, ndërsa gjysma e mallrave të prodhuara në Shqipëri shkojnë në portet e Italisë, 40% të tjera në Maltë, 8% dhe 2% përkatësisht në Turqi dhe në Francë.

Në portin e Durrësit janë përpunuar në 6-mujorin e parë të këtij viti afro 1 milion e 826 mijë tonë mallra me anije dhe tragete. 

***

-Xhamia e Et’hem Beut në ”Rrugët e Besimit” 

”Rrugët e Besimit” si një nga destinacionet e reja për t’u vizituar po vijon dhe në këtë sezon veror punën që objektet e kultit të jenë të denja për të mirëpritur turistët vendas e të huaj.

Inspektimi i radhës u zhvillua para pak ditëve në xhaminë e “Et’hem Beut”, në Tiranë, nga Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani dhe nga prof. Aleksandër Meksi.

Ata inspektuan nga afër punën e kryer në ndërhyrjet restauruese, konservimin e pikturës murale si dhe punimet në dru të dekoruar.

Profesor Meksi, studiues i monumenteve të xhamive në Shqipëri, nuk nguron të ofrojë konsulencën dhe këshillat e tij për projektin e ndërmarrë, në restaurimin e pesë xhamive.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mbikëqyr në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e punimeve në 5 kantieret e ngritura në xhamitë e qyteteve Tiranë, Berat dhe Gjirokastër.

Janë 5 xhami monumente kulture si xhamia “Mbret” Berat, xhamia e “Beqareve” Berat, Teqeja e “Helvetive” Berat, xhamia “Ethem Beut” Tiranë, Xhamia e “Pazarit” Gjirokastrës, të cilat po i nënshtrohen restaurimit të tyre. Kjo kryhet në kuadër të projektit për ndërhyrje restauruese dhe rikonstruksioni të xhamive të sipërmendura financuar nga donatorët turk, pikërisht nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.

***

-Në Tiranë u zhvillua prezantimi i veprës së titulluar “Historia Osmane dhe Institucionet”

Studentët e ekselencës të Fondacionit “ALSAR”, në kuadër të veprimtarive kulturore të projekteve të vullnetarizmit organizuan veprimtari të prezantimit të recencave të veprave studimore.

Në veprimtarinë e zhvilluar u bë prezantimi i recensës së veprës së titulluar “Historia Osmane dhe Institucionet” të autorit Prof. Dr. Mehmet Maksudoglu”. Referues në këtë ceremoni ishte studenti i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Indrit Qehajaj.

Gjatë prezantimit të tij, nxori në pah vlerat dhe faktet se ky libër i Prof. Dr. Maksudoglu bazohet në dokumente autentike të formuluara në kohën kur ato kishin fuqi veprimi. Autori argumenton se, ndryshe nga perandoritë e tjera në historinë e shoqërisë njerëzore, Perandoria Osmane ka funksionuar si Devlet i bazuar në parimet e Kur’anit Famëlartë, që kultivonin mendësitë dhe praktikat e respektimit të kulturave, të formave të organizimit ekonomik e shoqëror, të arsimimit dhe arteve të popujve të ndryshëm.

Diskutimi u ndal dhe mbi tolerancën fetare që mbizotëronte në Devletin Osman dhe politikat që ndiqeshin për ta ruajtur këtë tolerancë dhe për ti siguruar çdo besimtari të drejta të barabarta dhe sigurinë e jetës, nderit dhe pasurisë.

Studentët nuk kishin menduar të qëndronin vetëm në trajtimin e historisë osmane, por të diskutonin dhe për territoret shqiptare nën osmanët. U diskutua mbi sistemet që u përdorën nga osmanët në këto troje, për Sadrazamët (kryeministrat) shqiptarë në shtetin osman, për pashallëqet dhe deri tek Ismail Qemali. Ata vlerësuan në këtë mënyrë gjatë analizës dhe vlerësimeve të tyre se ky libër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, hedh dritë mbi çështje të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare që nga fillimi i shekullit XV deri në vitin 1912.

Të pranishëm në sallën e konferencave të Fondacionit “ALSAR” ishin studentë të fakulteteve të ndryshme, të cilët përgëzuan referuesin për prezantimin e tij në këtë nismë të ndërmarrë, që synon të zgjerojë horizontin e tyre kulturor.

***

-Muzeu Kombëtar “Marubi” ndër vizitat më tërheqëse për të huajt

Nga fillimi i sezonit të verës, turizmi shqiptar ka lëvizur me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dasmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencën, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro-hungareze.

Specialistja e Muzeut Kombëtar “Marubi”, Tea Cuni për mikrofonin “Zëri i Turqisë” tha

“…Marubi që nga viti 2016 që është hapur, pikërisht në periudhën e sezonit turistik, pra në maj të 2016 ka pasur një numër të konsiderueshëm vizitorësh, kryesisht vizitorë të huaj. Duke parë statistikat e vizitorëve në vite të ndryshme në këtë godinë të re, pjesa më e madhe e vizitorëve në vitet e kaluara kanë qenë vizitorë të huaj, por edhe vizitorë  vendas edhe pse me një përqindje të vogël diferencë, 2 %  më shumë janë vizitorë të huaj që vijnë kryesisht nga vende të Evropës perëndimore. Menjëherë pas vizitorëve shqiptarë, kemi vizitorë italian, francez, gjerman, ndërsa periudhën e fundit po shohim shumë vizitorë belgë, holandez dhe anglez...”.

Ndërkaq, Cuni ndër të tjera përmendi se janë moshat kryesisht të reja dhe të moshave të mesme që vizitojnë këtë muze mjaft me vlera për Shqipërinë, por jo vetëm, sikundër ajo citoi edhe projektet që ofron kjo qendër e rëndësishme kulturore.

“…Vizitori i Muzeut “Marubi” ka targete të grupeve të ndryshme, por ka një moshë mesatare që shkon nga 35-45 që bëjnë edhe numrin më të madh të vizitorëve që ne kemi ne muze.  Ne, aktualisht jemi të angazhuar me disa projekte edukative që i drejtohen kryesisht shkollave, duke filluar që nga parashkolloret deri tek cikli i mesëm. Ndërkohë, do të fillojmë edhe angazhimin me universitet, sepse kjo është mënyra më e mirë që ato përmes vizitave të njihen dhe të vizitojnë muzeun. Gjithashtu të jenë ato që të ftojnë të tjerët, miqtë e tyre, familjarët, pse jo edhe prindërit e tyre dhe të vijnë bashkë e të vizitojnë Muzeun “Marubi”....”

Vlen të përmendet se të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme