TIKA do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve të Malit të Zi me projekte të ndryshme

Gjatë aktivitetit të saj 10-vjeçar në Malin e Zi Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka mbështetur mbi 300 projekte të ndryshme me një vlerë totale 20 milionë euro.

TİKA_Karadağ spor faaliyetlerine destek.JPG
TİKA_Karadağ faaliyetlerine destek.jpg
TİKA_Karadağ sağlık alanında yardımlar.jpg
TİKA_Karadağ Ulqin_Ülgün zeynin yağ fabrikası için sözleme imzaladı.jpg
TİKA_Karadağ-a yaptığı yardımlar.jpg
TİKA_Karadağ faaliyetleri.jpg

Mozaik nga Mali i Zi – TIKA mbështet projekte të rëndësishme

Agjencia Shtetërore Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhjetë vite që operon në Mal të Zi. Tregues domethënës për këtë kontribut janë mbi 300 projekte të realizuara që kapin shumën 20 milion euro. Ajo  është një nga shembujt konkretë të miqësisë që ka shteti i Turqisë me Malin e Zi. Me fondet e saj janë ndërtuar dhe rehabilituar spitale, kopshte, shkolla etj. Ujësjellës, fabrika, objekte infrastrukturore, e ndihmesë i është dhënë sektorit të bujqësisë dhe janë restauruar objekte me vlera të trashëgimisë kulturore. Krahas kësaj TIKA u ka ofruar kontribut e ndihmë të pakursyer edhe kategorive të njerëzve në nevojë dhe fëmijëve me aftësi ndryshe, si dhe janë përkrahur veprimtari të shumta me karakter social, kulturor, sportiv dhe shkencor. Ndihma e pakursyer e TIKA–s vlerësohet lartë nga institucionet dhe personalitetet shtetërore në Mal të Zi. Ka më shumë se një vit që në krye të Zyrës në Podgoricë është z. Ahmet Altun, i cili vazhdon me realizimin e projekteve në fusha të ndryshme. Projektet e realizuara gjatë kësaj periudhe janë reale dhe të prekshme. Z. Altun flet me modesti për atë çfarë ka bërë, dhe e konsideron si detyrim moral aktivitetin e TIKA-s për të kontribuar dhe ndihmuar. Në intervistën  ekskluzive për Zërin e Turqisë ai thotë se në Mal të Zi nuk ndihet si i huaj, pasi ne kemi shumë gjëra të përbashkëta.

V. Katana:Z. Altun, tashmë u mbush një vit nga ardhja Juaj këtu si Koordinator i Zyrës së TIKA-s në Mal të Zi, respektivisht në Podgoricë. Si do ta vlerësonit vitin e pare të punës Tuaj?

A.Altun: Para së gjithash dëshiroj t’ju falënderoj për intervistën. Dihet që Mali i Zi është një shtet i ri, por shikuar nga aspekti strategjik është një vend i rëndësishëm. Gjatë qëndrimit tim këtu kam pasur rast të vizitoj shumë qytete dhe fshatra të Malit të Zi dhe mund të them se ne kemi shumë gjera të përbashkëta, kemi kulturën e përbashkët, sjelljet dhe shumë gjëra të tjera. Pra unë nuk e ndiej veten si i huaj në këtë vend, por ndihem sikur kam kaluar një kohë të gjatë këtu dhe mund të them se jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin dhe kështu do të vazhdojmë në realizimin e projekteve në Mal të Zi.

-Mali i Zi është shtet i ri, por i parë nga aspekti strategjik, ai zë një vend të rëndësishëm në Ballkan

V. Katana:TIKA është shumë aktive në Mal të Zi dhe realizon projekte në fusha të ndryshme në interes të qytetarëve. Ku jeni më shumë të fokusuar?

A. Altun: TIKA në Mal të Zi realizon projekte pothuajse në të gjitha fushat. Ne bëjmë përpjekje që këto projekte të jenë në përputhje me standardet dhe strategjinë shtetërore, andaj të gjithë projektet në Mal të Zi bëhen në bashkëpunim me dikasteret ministrore, institucionet shtetërore, ato të qeverisjes lokale dhe sektorin joqeveritarë. Më së shumti projekte janë realizuar në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, restaurimit, furnizimit me ujë bashkëpunimin kulturorë etj.

- TIKA përkrah projekte në fushën e arsimit

V. Katana: Keni mbështetur shumë projekte që kanë të bëjnë me fushën e arsimit, a mund te veçoni disa nga to?

A. Altun: Njëra nga fushat, ku ne realizojmë një numër të madh të projekteve është fusha e arsimit, pasi kemi parë që kjo fushë lë për të dëshiruar, e qëllimi jonë është që gjeneratat e reja, konkretisht sistemi arsimor të jetë një sistem modern, ku të gjithë fëmijët do të kenë mundësi të shkollohen sipas standardeve moderne. Në këtë drejtim do të përmendja projektin për pajisjen e qendrës edukative në shkollën e mesme profesionale “Sergej Staniq” në Podgoricë. Pastaj kemi organizuar konferencën ndërkombëtare për mjekët e rinj dhe studentët e mjekësisë. Po ashtu kemi realizuar projektin e adaptimit dhe pajisjen e institucionit parashkollor “Uz Osmjeh” në Podgoricë. U kushtojmë rëndësi këtyre institucioneve, në mënyrë që fëmijët të kenë kushte sa më të mira për arsim.

- Fusha e shëndetësisë, një tjetër degë e rëndësishme, ku është e fokusuar ndihma dhe përkrahja e TIKA-s

V. Katana: Z. Altun, një numër i projekteve që i ka realizuar TIKA kanë qenë të orientuara në drejtim të shëndetësisë. Këtu ka pasur rezultate impresionuese, janë riparuar qendra shëndetësore dhe spitale, janë furnizuar me pajisje mjekësore dhe janë ndërtuar laboratorë. Cilat nga këto projekte do të veçonit?

A. Altun: Krahas arsimit, fushë tjetër e rëndësishme është edhe shëndetësia. Qëllimi ynë është krijimi i kushteve më të mira shëndetësore në spitale dhe shtëpitë e ndryshme të shëndetit për qytetarët e Malit të Zi, prandaj në këtë kontekst deri tani kemi realizuar një numër të madh të projekteve në spitalet e përgjithshme dhe shtëpitë e shëndetit. Kemi pajisur disa pjesë të spitaleve, ku janë dhuruar pajisje të ndryshme. Në këtë drejtim një projekt madhor vitin e kaluar ishte pajisja e shërbimit të urgjencës në Qendrën Klinike spitalore, ndërsa këtë vit kemi bërë kompletimin me pajisje të repartit të okulistikës në po të njëjtën qendër, ndërsa në veri, në Berane dhe në Plavë kemi ndihmuar me aparatura për fizioterapi dhe klinikën okulistike.

- TIKA ka një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shtetërore, administratat lokale dhe sektorin joqeveritar

V. Katana:Z. Altun, keni realizuar një sërë projektesh në bashkëpunim me institucionet shtetërore me qëllim të rritjes së kapaciteteve fizike gjegjësisht hapjes së vendeve të reja të punës. Çfarë mund të na thoni për këtë?

A. Altun: Siç dihet Mali i Zi është duke bërë përpjekje të mëdha për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është në rrugë të mbarë në këtë drejtim. Natyrisht për t’u arritur standardet që kërkon BE-ja, duhet të forcohen kapacitetet fizike të institucioneve shtetërore, andaj në këtë kontekst shumë Ministri dhe institucione shtetërore i drejtohen zyrës tonë për ndihmë. Një projekt madhor këtë vit ishte projekti i adaptimit dhe pajisjes së objektit të Ministrisë së punëve të jashtme të Malit të Zi dhe jemi të bindur se me pajisje të reja dhe adaptim, ndërtesa e kësaj ministrie do të jetë më reprezentative që është shumë me rëndësi për aderim në Bashkimin Evropian (BE). Po ashtu kohët e fundit kemi përfunduar projektin e adaptimit dhe kompletimin me pajisje të Drejtorisë për Sigurinë e Ushqimit dhe Veterinarisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu ne kemi bërë dërgimin e mjekëve në specializime të ndryshme në Turqi. Sa i përket fushës së mediave kemi projektin që realizojmë me Radio Televizionin e Turqisë (TRT), ku kemi dërguar gazetarë të shumtë si nga mediat shtetërore, ashtu edhe nga ato private në seminarin e përvitshëm që organizohet në Antalia. Që nga viti 2013 ne organizojmë edhe me Drejtorinë e Policisë një numër të madhe të kurseve të programit të aftësimit e kjo do të vazhdoj edhe këtë vit.

TIKA përkrah projektet që hapin vende të reja pune

V.Katana: Z. Altun, edhe në fushën e bujqësisë keni realizuar projekte të shumta?

A. Altun: Sa i përket fushës së bujqësisë, qëllimi ynë është që të zbusim numrin e të papunësuarve. Sa i përket zhvillimit ndonjëherë në Mal të Zi ka dallime ndërmjet rajoneve, zona të ndryshme brenda vendit. Në këtë kontekst posaçërisht në veri të Malit të Zi kemi realizuar një numër të madh të projekteve, e nëse do t’i numëronim ato, atëherë do të përmendim donacionin e serave në veri, ku përfituan 50 amvisëri, pastaj për të parën herë këtë vit kemi realizuar projektin në fushën e bletarisë, ku 65 amvisërive u kemi dhuruar koshere dhe pajisjet e nevojshme përcjellëse. Gjithashtu në fushën e bujqësisë kemi realizuar projektin në avancimin e kultivimit të mjedrave bashkë me sistemin e ujitjes dhe pajisjet e tjera përcjellëse. Njëri ndër projektet më të rëndësishëm këtë vit është edhe ndërtimi i kompleksit për prodhimin e vajit të ullirit, gjegjësisht përpunimit të ullirit. Ky projekt realizohet në Ulqin e qëllimi jonë është që të krijojmë një objekt modern i cili do t’i shërbej te gjithë kultivuesve të ullirit dhe prodhuesve te vajit te ullirit. Presim qe ky projekt të përfundoj në fund të nëntorit ku në mënyrë solemne do ta  prezantojmë dhe do te shohim se si mund të prodhohet vaji I ullirit në mënyre moderne.

- Kontributi i TIKA-s në ruajtjen e trashëgimisë kulturore

V. Katana: Z. Altun, TIKA po ashtu rëndësi i jep edhe restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore?

A. Altun: Kemi realizuar disa projekte që kanë të bëjnë me restaurimin e objekteve të përbashkëta nga koha Perandorisë Osmane. Gjatë viteve të kaluara kemi restauruar Xhaminë e “Osman Agës” në Podgoricë, gjithashtu Xhaminë e Nizamit në Tuz. Siç e dinë të gjithë në qytetin e Tivarit kemi ndërtuar qendrën më moderne Islame Kulturore, që është e veçantë jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në mbarë bregdetin e Adriatikut. Këtë vit, në përfundim e sipër është edhe restaurimi i Kullës së Sahatit dhe rregullimi i sheshit në Podgoricë. Kemi restauruar edhe Xhaminë e “HyseinPashës” në Plevle, që i përket trashëgimisë së hershme kulturore të Malit të Zi.

V. Katana: Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin me Qeverinë e Malit te Zi, gjegjësisht me institucionet shtetërore?

A. Altun: Të gjitha projektet që ne i realizojmë në Mal të Zi i bëjmë përmes takimeve të përbashkëta me dikasteret e ndryshme ministrore dhe organeve shtetërore. Ne u kushtojmë rëndësi të madhe këtyre takimeve dhe raporteve që krijohen dhe në të ardhmen do të vazhdojmë t’i avancojmë këto marrëdhënie dhe të kemi raporte të shkëlqyera me të gjitha institucionet shtetërore të Malit të Zi.

- Qyteti i Ulqinit në fokus të përkrahjes nga TIKA. Së shpejti inaugurohet kompleksi për përpunimin e vajit të ullirit dhe restaurimi i disa objekteve me vlera të mëdha kulturore

V. Katana: Po për projektet që keni realizuar dhe pritet të realizohen në komunën e Ulqinit?

A. Altun: Mund të themi se Ulqini është njeri ndër qytetet më të bukura në Mal të Zi, andaj ne i kushtojmë rëndësi të madhe këtij qyteti. Sa i përket vitit 2017-të, kemi realizuar disa projekte në Komunën e Ulqinit. Njëri nga to është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithashtu do ta përmend sërish edhe projektin në fushën e bujqësisë, siç është ndërtimi i Fabrikës për Përpunimin e Vajit të Ullirit dhe prodhimeve nga vaji i ullirit. Ky objekt do të inaugurohet në muajin nëntor, ku presim që prodhimi i parë i vajit të jetë në këtë muaj. Ndërsa për sa u përket projekteve që pritet të realizohen vitin e ardhshëm, është restaurimi i Hamamit të Ali Pashës, Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë. Përgatitjet kanë përfunduar dhe presim që vitin e ardhshëm këto të jetësohen.

- TIKA ka nisur hartimin e programit për projektet që do të realizohen gjatë vitit 2018-të

 V. Katana: Z. Altun, ngadalë po afrohet  edhe fundi i këtij vit. Ndërkaq në vitin 2018-të ku do të jeni më shumë të fokusuar?

A. Altun: “Ne tashmë kemi nisur përgatitjet për projektet që planifikojmë për vitin 2018-të. Neve ç’do ditë na mbërrijnë kërkesa nga institucione të ndryshme shtetërore dhe vetëqeverisjet lokale dhe në bazë të gjitha këtyre kërkesave do të bëjmë planin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Natyrisht qëllimi ynë është të realizojmë sa më shumë projekte në Mal të Zi e para së gjithash të fokusuar do të jemi në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, furnizimit me ujë, restaurimit dhe do të përpiqemi të jemi të pranishëm në këtë shtet për ndihmë në të gjitha fushat. Qëllimi jonë është shtrija e dorës së ndihmës nga populli i Turqisë për popullin e Malit të Zi”,- Tha në fund të intervistës ekskluzive për Zërin e Turqisë. Z Ahmet Altun, shefi i Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe Koordinim (TIKA).

(Intervistoi për Zërin e Turqisë, Vera ALIBEGU KATANA)



Lajme të ngjashme