Të diplomuar, por të papërgatitur për punë

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është një tjetër problem kryesor me të cilin u duhet bizneseve dhe investitorëve të huaj në Kosovë.

Türkiye intibarlı meslekleri8.jpg
10-11/Files/UploadedImages/4868892661encokkazandiranmeslekler.jpg
Türkiye intibarlı meslekleri1.jpg
Türkiye intibarlı meslekleri3.jpg

Kosova në Fokusin Javor - Të diplomuar, por të pa-përgatitur për punë

Në Kosovë ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, edhe pse ka shumë të diplomuar. Dhe kjo vlerësohet si njëra ndër sfidat më të mëdha në Kosovë nga organizata që merren me çështje të zhvillimit ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se edukimi e ka rolin kryesor në këtë çështje. Sipas tij, marrja e përvojave nga vendet e tjera do të ishte ndihmesë për tejkalimin e gjendjes.

“Njëra ndër sfidat me të mëdha që ballafaqohet sektori privat në Kosovë. Të kuptojmë rëndësinë që për të arritur të gjitha këto objektiva,  edukimi e ka rolin krucial në këtë drejtim. Prandaj, kjo konferencë e ka të vetmin qëllim, që, bashkërisht të punojmë me tepër në ketë drejtim. Të bëjmë një bartje ose një transfer të përvojave nga vendet që kanë përvojë në këtë drejtim”, ka thënë Gërxhaliu.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, theksoi faktin se Kosova është vendi me numrin më të madh të të papunëve në rajon edhe pse ka popullsi të re.

“Përballemi me një sfidë të madhe që vjen nga niveli aktual i papunësisë dhe rritja e vazhdueshme e popullsisë në moshë pune. Deri me tani, ne vazhdojmë të kemi aktivitetin dhe punësimin me të ulët, dhe normat me të larta të papunësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrja e të rinjve në tregun e punës nuk është në nivelin që ne kishim dëshiruar. Ajo gjendët ende me e ulëta në rajon, dhe larg vlerave të synuara të Bashkimit Evropian”, ka thënë Recica.    

Në forum u tha se 80 për qind e ndërmarrjeve e kanë të vështirë për të gjetur punëtorë të kualifikuar. Ndërmarrjet kanë vlerësuar se pa  investimin e tyre në ngritjen profesionale të punëtoreve, ata nuk janë në gjendje që të përmbushin kërkesat e vendeve të punës.

***

U shënua Dita Botërore e Turizmit

Në Kosovë u shënua Dita Botërore e Turizmit, me një konferencë ku u diskutua për format e zhvillimit të turizmit në vend. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se për Kosovën do të ishte mirë anëtarësimi në Organizatën Botërore të Turizmit, e cila funksionon në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

“Kosova synon të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Turizmit sikur që presim të jemi anëtarë të UNESCO-s”,  ka thënë ministri.

Edhe Besian Mustafa, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), tha se Turizmi si sektor ekonomik ka nevojë për një përkrahje shumë më të madhe.

“Ne do të përpiqemi që të ngremë edhe nivelin e ofrimit të kapaciteteve turistike në mënyrë që turistët të cilët vinë në Kosovë të ndahen të kënaqur”, ka thënë ai.

Sipas statistikave të publikuara në tryezë, Kosovën brenda një viti mesatarisht e vizitojnë 200 mijë turistë.

***

Shfaqen parregullsi gjatë fushatës 

Koalicioni i organizatave jo qeveritare Demokracia në Veprim, publikoi të gjeturat nga monitorimi i nëntë-ditëshit të parë të fushatës, për zgjedhjeve lokale. Shqetësuese për këto organizata është prania e fëmijëve në tubimet zgjedhore, gjuha e urrejtjes në fjalimet publike si dhe shfrytëzimi i resurseve publike për fushatë. Albert Krasniqi nga koalicioni i organizatave jo qeveritare, u bëri thirrje qytetareve që të mos të bien pre e provokimeve të shprehura përmes gjuhës së urrejtjes.

Edhe në këtë fushatë evidentohet si problem përdorimi i resurseve publike për qëllime të subjekteve politike. Më së shumti raste të tilla janë evidentuar për PDK-në. Ndërkohë sipas Krasniqit parregullsitë të cilat po hasen po raportohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Krasniqi tha se më së shumti ankesa janë bërë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

***

Akreditohen 25 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës për  akreditim të vëzhguesve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen me 22 tetor, 2017. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se deri me tani janë akredituar gjithsej 25 mijë vëzhgues, që përfaqësojnë subjekte politike, OJQ, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare. Në mesin e vëzhguesve të akredituar deri më tani janë edhe vëzhguesit nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian.

“I kemi dy rekomandime. Rekomandimi i parë ka të bëjë më 4 mijë e 310 vëzhgues ndërsa rekomandimi i dytë ka të bëjë më 17mije e 444 vëzhgues, emrat e të cilëve i kemi në CD”, ka thënë Daka.

Kurse Miradije Mavriqi, drejtoreshë për Regjistrimin e partive politike, tha se deri me 27 shtator  zyra ka procesuar rekomandimin e 40 organizatave vëzhguese që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Zyra ka procesuar në rekomandimin e parë. I keni 25 organizata vëzhguese, gjegjësisht me 4 mijë e 310 vëzhgues, ndërsa në rekomandimin tjetër i keni  25 organizata me gjithsej 17 mijë e 444 vëzhgues”,  tha Mavriqi.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëroi edhe anëtarët e Këshillave të vendvotimeve në të 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve.

***

Miratohet marrëveshja financiare IPA me vlerë mbi 70 milionë euro

E drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj, të pestën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime tjera të fushave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Afati i miratimit të marrëveshjes është fundi i këtij viti, andaj propozohet që miratimi i këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky projektligj vendos tatimin mbi pronën e paluajtshme dhe përcakton rregullat dhe procedurat themelore për administrimin e tatimit në pronë nga komunat dhe Ministria e Financave. Ai siguron një proces të drejtë në përcaktimin e këtij tatimi si dhe garanton transparencë në grumbullimin e këtij tatimi.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe plotësim ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, sipas të cilave, presidentit të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit, i sigurohet mbështetje në hapësira të punës dhe staf mbështetës. Në mbledhje janë miratuar edhe plotësim ndryshimet e vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 15 maj 2017, për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit siguron shfrytëzimin e buxhetit për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe për zgjedhjet lokale.

***

Suspendohen anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e qeverisë, janë suspenduar dhjetë anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike. Vendimi është bazuar në rekomandimet e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ekzaminimit të dokumentacionit për disa kandidatë të zgjedhur në borde të ndërmarrjeve publike, ku është konstatuar se emërimi i tyre është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dy nismat për plotësim-ndryshim të Marrëveshjes Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA) për vitin2012 dhe të Marrëveshjes Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA) për vitin 2013 në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Të dy marrëveshjet kanë nevojë të ndryshohen, me qëllim të zgjatjes së afatit për realizimin e projekteve të parapara për realizim nga këto marrëveshje.

Kryeministri ka informuar kabinetin për thirrjen e seancave të Kuvendit, ku do të debatohet për programin e Qeverisë dhe interpelanca e kryeministrit për rastin e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kryeministri ka njoftuar edhe për emërimin e zëvendësministrave nga radhët e komuniteteve në qeverinë e Republikës së Kosovës. Kryeministri ka vlerësuar që kjo është bërë me qëllim që komunitetet të ndjehen të integruara në kabinetin qeverisës dhe ka kërkuar nga ministrat që të bashkëpunojnë me zëvendësministrat e emëruar në dikasteret e tyre.

***

Ministri Hamza paralajmëron politika fiskale më ambicioze se Pakoja Fiskale 2.0

Ministri i Financave, Bedri Hamza, paralajmëroi masa të reja që synojnë krijimin e lehtësive për bizneset, nga fillimi i vitit të ardhshëm. Në një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit, Hamza po ashtu tha se qeveria aktuale nuk do të fillojë të zbatojë pakon fiskale 2.0 të planifikuar nga qeveria e kaluar. 

Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se qeveria do të krijojë politika fiskale më ambicioze se sa ato të pakos fiskale 2.0 që parashiheshin nga qeveria Mustafa. Gjashtë masat që pritet të zbatohen nga janari, do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, deklaroi Hamza para komitetit të biznesit.

Ministri Hamza përveç këtyre masave tha se do i propozojë qeverisë edhe largimin e akcizës për mazutin e gazin i cili do të përdoret si burim i energjisë. Këto masa lehtësuese u mirëpritën nga përfaqësues të komunitetit biznesor.

Përfaqësuesi i Odes Ekonomike Amerikane, Visar Hapqiu, propozoi që të miratohet edhe ligji për tatimin në të ardhurat koorporative. Ai tha se zbatimi i këtij ligji do të nxiste edhe investitorët e huaj për investime ne Kosovë. Ministria e Financave dhe komuniteti biznesor formuan edhe një këshill konsultativ, i cili do të punojë për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes. 

***

Mogherini tregon rrugën e liberalizimit të vizave 

Shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, në takimin që ka pasur me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Behxhet Pacolli, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përmbushë kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave. Në një komunikatë të Zyrës së Mogerinit, pas takimit, thuhet se ajo ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionit me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë takimit me shefen e Diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli, ka ri-konfirmuar edhe përkushtimin e Institucioneve të Kosovës për dialog, teksa ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të ketë një afatizim kohor për përfundimin e këtij dialogu. Në komunikatën nga zyra e Pacollit thuhet se ai ka potencuar faktin se “liberalizimi i vizave është hapi vendimtar, që duhet kryer tani nga ana e Bashkimit Evropian, sepse kjo ndikon fuqishëm në perspektivën e të rinjve kosovarë.

Në anën tjetër Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian ka kërkuar nga pala kosovare të zotohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri  më tash në dialogun me Serbinë.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Mogerinit, thuhet se ajo ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

“Kosova është në pozitë të mirë për të ecur përpara në përmbushjen e dy kushteve të vetme të mbetura për liberalizimin e vizave, ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” thuhet në komunikatë.

Vizita e ministrit Pacolli, në Bruksel është e para që kur ai e pranoi detyrën.

***

Komuna e Prishtinës, si Barcelona

Qytetarët e kryeqytetit do të kenë mundësi që të informohen përmes platformës digjitale ”Open Data” në lidhje me aktivitetet dhe vendimet e komunës së Prishtinës. Platforma është prezantuar nga kryetari Shpend Ahmeti, dhe ajo u vlerësua se do të ndikojë në rritjen e transparencës për shërbimet komunale.

“Jemi zotuar që për transparencë radikale, dhe shumicën e vendimeve dhe informative i kemi publikuar në ueb faqen tonë. Megjithatë, tash kemi vendosur që të shkojmë edhe në një nivel më lart. Të gjitha informatat, të cilat qytetarët i kërkojnë qofte për aspekte të llogaridhënies, ose të informimit të thjeshtë, t’i kenë në dispozicion me më pak klikime të mundshme”, ka thënë Ahmeti.

Kurse nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se qytetarët do të kenë mundësinë që shumë shpejt të vijnë tek informacioni përmes kësaj platformë.

“Të gjithë të interesuarit mund të vijnë shumë shpejt tek informacioni i saktë mbi shpenzimet, mbi  të hyrat, buxhetin tonë. Gjithsej janë të përfshirë 14 kategori me 48 data sete, do të thotë të gjitha ato kategori që kemi pasur mundësi t’i paraqesim në mënyrë tabelore.”

Kjo platformë është marrë si model nga një qytet i zhvilluar siç është Barcelona, theksuan zyrtarët komunalë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme