Rekord historik i turistëve rusë në Antalia: 3.376.000 deri në fund të shtatorit

Prefekti i Antalias, Munir Karaloglu, deklaroi gjatë vizitës së ambasadorit Aleksey Yerkhov se numri i turistëve rusë në këtë qytet është rritur në 3 milionë e 376 mijë në fund të muajit shtator...

Rekord historik i turistëve rusë në Antalia: 3.376.000 deri në fund të shtatorit

Antalia ka thyer rekord në numrin e turistëve rusë.

Shefi i misionit diplomatik rus në Ankara, Aleksey Yerkhov, realizoi në Antalia vizitën e tij të parë pas emërimit si ambasador në Turqi.

Prefekti i Antalias, Munir Karaloglu, deklaroi gjatë vizitës së ambasadorit Yerkhov se numri i turistëve rusë në këtë qytet është rritur në 3 milionë e 376 mijë në fund të muajit shtator.

“Është thyer një rekord historik, pasi numri i turistëve rusë në vitin 2014 ishte 3 milionë e 307 mijë persona”, shtoi ai.

Munir Karaloglu theksoi gjithashtu se marrëdhëniet politike, tregtare dhe ekonomike ndërmjet Rusisë dhe Turqisë vijojnë në nivelin më të lartë nën drejtimin e liderëve të dy vendeve.

“Udhëtimet për në Antalia do të vazhdojnë gjatë muajve tetor e nëntor dhe ky numër do të rritet akoma më shumë. Natyrisht që këtu nuk mund të flasim vetëm për udhëtimet, pasi në Antalia kemi edhe shumë miq e qytetarë rusë, që kanë blerë pasuri të patundshme dhe tashmë banojnë e jetojnë vazhdimisht në Antalia. Jemi të lumtur për këtë”, u shpreh Prefekti Karaloglu.

Ndërsa Aleksey Yerkhov u shpreh mjaft i kënaqur që iu dha rasti të vizitojë Prefektin e Antalias, një mik i vjetër i tij, këtë herë si shef i misionit diplomatik të shtetit rus në Turqi.

Ambasadori Yerkhov bëri me dije po ashtu se delegacionet e të dyja vendeve do të takohen më datë 20 tetor për eksportin e domates nga Turqia në Rusi.



Lajme të ngjashme