Kosova anëtarësohet në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit

Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht anëtarja e 121 me të drejta të plota e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë.

Kosova anëtarësohet në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit

Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në njoftimin e dërguar pak më parë.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj shprehet se “Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve  anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve përkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjellë edhe rezultatet diplomatike”.

Hoxhaj thekson se, anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmojë Kosovën  në aspektin ekonomik sepse do të ofrojë siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar, pasi që kjo gjykatë do t’iu mundësojë investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit.

Anëtarësimi në këtë organizatë përveç tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private.



Lajme të ngjashme