Jemen - Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndan ushqime për jetimët

Në kuadër të programit të mbështetjes, Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka shpërndarë pako të tjera me ushqime për familjet e fëmijëve jetimë në Aden të Jemenit.

turk kizilayi yemen1.jpg

Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka ndihmuar me ushqime familjet e fëmijëve jetimë në Aden të Jemenit.

Në Aden u organizua një ceremoni për shpërndarjen e 123 pakove me ushqime për jetimët. Nga pala turke në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari i Delegacionit të Gjysmëhënës së Kuqe, Mustafa Ajdën (Aydın) dhe anëtari i këtij delegacioni, Murat Karakaja (Karakaya); kurse nga pala jemenase ishin të pranishëm Koordinatori i Përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Ndihmat në Jemen, Xhemal Belfukeyh dhe drejtori i Shoqatave dhe Sindikatave Bamirëse të Jemenit, Isam Vadi.

Kryetari i Delegacionit të Gjysmëhënës së Kuqe, zoti Ajdën në fjalën e rastit deklaroi se ndihmat ushqimore për jetimët në Aden janë shpërndarë në kuadër të fushatës së programit mbështetës që ndjek agjencia bamirëse turke (Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë) në disa provinca të Jemenit.

"Synimi ynë është që të lehtësojmë sado pak vuajtjet e fëmijëve që kanë mbetur jetimë në përleshjet që vazhdojnë për më shumë se 4 vite në këtë vend”,- shtoi ai.

Në kuadër të programeve të ndihmës, që Gjysmëhëna e Kuqe ka realizuar më herët në Jemen,- e vijoi fjalën e tij zoti Ajdën,- janë shpërndarë më shumë se 5 mijë pako me ushqime, ndërsa dha lajmin e mirë se në programet e ndihmave që janë planifikuar për muajt e ardhshëm janë përfshirë edhe disa provinca të tjera të vendit.

Kurse Drejtori i Shoqatave dhe Sindikatave Bamirëse të Jemenit, zoti Vadi nga ana e tij shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë turke dhe popullit të saj për punën e tyre humanitare që kanë bërë në vendin e tij.

Drejtor Vadi gjithashtu shprehu kënaqësinë për dorën e ndihmës që zgjatet ndaj fëmijëve jetimë.

Jemeni, vend ku destabiliteti politik vazhdon për një kohë të gjatë, është përfshirë nga luftimet mes Huthive dhe forcave të qeverisë.

Pasojat e urisë, kolerës që kanë pllakosur vendin, konfliktit të armatosur dhe sulmeve ajrore, i vuajnë civilët. Vendi po përballet me një dramë të madhe njerëzore.



Lajme të ngjashme